Veseli: Koalicioni lëkundet prej vetvetes

Aktuale

Veseli: Koalicioni lëkundet prej vetvetes

Më: 28 mars 2019 Në ora: 12:11
Kadri Veseli

Çdo vonesë që po bëhet nga Bashkimi Evropian për liberalizmin e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës, po e dëmton vetë kredibilitetin e Bashkimit Evropian.

Kështu deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili madje u tregua i ashpër me BE-në, duke thënë se po e marrin rininë e Kosovës, e në anën tjetër nuk po ua lejojnë lëvizjen e lirë.

Veseli ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbahen dy seanca të jashtëzakonshme, njëra për lojërat e fatit, e tjetra për orët e humbura gjatë grevës në arsim.

Veseli: Sot kemi dy seanca të jashtëzakonshme

“Lojërat e ashtuquajtura të fatit do të përmbyllen përfundimisht, e kemi pikë të rendit të ditës, seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga kryeministri i Kosovës. Po ashtu sot e kemi një seancë të jashtëzakonshme, e cila ka të bëjë me kërkesën e 42 deputetëve nënshkrues për situatën në sektorin e arsimit, në fakt për Sindikatën e Bashkuar dhe ministrinë, situata e cila është mbi orët të cilat janë humbur gjatë grevës tre javore. Këto janë dy temat të cilat do të trajtohen sot. Të dyja janë seanca të jashtëzakonshme. Dhe kemi vendosur që më datën 11 prill të kemi seancë, e cila do të jetë vazhdim i pikave të papërfunduara, janë diku mbi 45 pika të papërfunduara, të cilat kanë qenë të hapura nga seancat e kaluara”, ka thënë Veseli.

Veseli po ashtu ka njoftuar se seancë të rregullt do të ketë më 12 prill.

Sa i përket këtyre orëve të humbura, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar që nga debati në këtë seanca, të dalin me rekomandime, përmes të cilave do të gjendet zgjidhje për orët e humbura.

Sherifi: Të gjendet një formë për kompensimin e orëve

"Në emër të 42 deputetëve që sot kanë kërkuar të mbahet seanca për çështjen e arsimit, përkatësisht pas situatës së krijuar pas refuzimit të mbajtjes së orëve mësimore, të cilat nuk janë thjesht orë pune, por janë njësi mësimore. Janë çështje të cilat, jemi besoj të gjithë dakord që nuk munden të trajtohen njëjtë sikur orët e humbura në një fabrikë apo në një vend punishte në bujqësi apo diku tjetër. Pra, është orë mësimi, është e barabartë me njësi mësimorë. Nuk është minus një ore pune, por është minus një orë mësimore. Arsyetimin do ta bëjmë në seancë, sepse është kërkuar debat, dhe debati ka për qëllim që seanca të dalë me rekomandime, përmes të cilave do të gjendet zgjidhje që edhe sindikata edhe mësimdhënësit edhe Ministria e Arsimit, së bashku të gjejnë një modalitet për t’i kompensuar të gjitha këto”, tha Sherifi.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli po ashtu ka kritikuar Bashkimin Evropian, sipas tij këta të fundit,  po e marrin rininë e Kosovës, e në anën tjetër nuk po lejojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Veseli: BE po na i merr rininë, e s’po i lejon qytetarët të lëvizin lirshëm

 “Çdo vonesë që po bëhet nga Bashkimi Evropian për liberalizmin e vizave për qytetarët e vendit tonë e dëmton vet kredibilitetin e Bashkimit Evropian, karshi edhe vet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, të cilat është dashur për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Por, ai është problem tek e fundit  i Bashkimit Evropian , i cili nuk është duke e nderu, dhe jemi vendi i vetëm, dhe jemi qytetarët e vetëm që jemi më pro-evropianë, dhe më pro Bashkimit Evropian, po ashtu janë të izoluar. Në të njëjtën kohë çdo vit, janë duke na i marrë të rinjtë tonë, kjo është pak shqetësuese, për arsye se me dhjetëra mijëra të rinj, janë kuadrat ë kualifikuara, po i marrin po u japin viza pune, e nuk po i lejojnë qytetarët tanë që të lëvizin lirshëm, edhe kjo e ka hilen e vet”, tha Veseli.

I pyetur, se a po lëkundet koalicioni PAN, si shkak i anëtarëve të KQZ-së, ai me humor tha se koalicioni lëkundet prej “vetvetes”.

Veseli: Koalicioni lëkundet prej vetvetes

“Koalicioni qeverisës gjithmonë lëkundet prej vetvetes, kur i ka ardhur koha edhe lëkundet, por besoj që ende është duke qëndruar”, u shpreh ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat