Nëna Fatë kërkon drejtësi për masakrimin e së bijës 6-muajsh nga paramilitarët serbë

Aktuale

Nëna Fatë kërkon drejtësi për masakrimin e së bijës 6-muajsh nga paramilitarët serbë

Më: 28 mars 2019 Në ora: 12:34
Fatë Qelaj

Më 12 tetor të vitit 1998 Fatë Qelaj u bë me vajzë, të cilën e pagëzoi me emrin Dafina. Por, ajo e gëzoi jetën me vajzën e saj vetëm për gjashtë muaj, pasi Dafinën më 28 mars 1999 e vranë dhe e masakruan forcat kriminale serbe.

Dafina është në mesin e 147 viktimave që u vranë e u masakruan në masakrën e Izbicës 20 vjet më parë.

Përveç që u masakrua duke qenë vetëm gjashtë muajsh, Dafinën, pasi familjarët e varrosin, serbët e zhvarrosën duke e dërguar në varrezat masive në Petrovo Sello të Serbisë, eshtrat e të cilës janë gjetur në vitin 2017.

Nëna Fata sot pas 20 vjetësh vazhdon të kërkojë drejtësi që mizorisht e ndanë nga vajza gjashtë muajsh, por thotë se dhimbja i është pakësuar kur ka gjetur eshtrat e saj.

Qelaj: Tash pasi e kam këtu me duket sikur të jetë e gjallë

"Atë ditë më zi për mua nuk ka, por tash pasi e kemi gjetur e kemi pru këtu prapë them shyqyr që e kam gjetur e di bile. 17 vjet nuk e kam ditur ku është hiç, tash pasi e kam këtu me duket sikur të jetë e gjallë ", u shpreh ajo.

E ëma e Dafinës kujton se ditën kur i është vrarë e bija ka qenë ditë e festës së Bajramit, por që thotë se u kthye në një dhimbje të madhe.

Sot Fata ka vetëm një dëshirë, që drejtësia të mos e humb gjakun e vajzës së saj.

Qelaj: Gjaku i tyre del në dritë për të gjithë

"Çikën e kemi varrosur këtu, e kanë hequr prej varrit, mbas 17 vjetësh e kemi gjetur prapë dhe i kemi prurë eshtrat këtu...Unë kisha pas qejf me marr drejtësi gjaku i tyre, se kanë marrë shumë gjak në këtë vend. Për mua si nënë vështirë boll, më vështirë nuk ka ku të shkojë më, ishalla gjaku i tyre del në dritë për krejt”, tha ajo.

Nga familja Qelaj, u vra edhe Rexhë Qelaj, ku sot 20 vjet pas, djali i tij Ganiu rrëfen se si i kishin gjetur të masakruarit në Izbicë. Ai tregon se për dy ditë rresht kishin varrosur të masakruarit, por ai thotë se serbët bënë krimin e dytë, duke i zhvarrosur kufomat e duke i dërguar nëpër varreza masive.

Qelaj: Ata e kanë bërë krimin e dytë, kanë ardhur i kanë marrë të gjitha kufomat

"Kam qenë këtu dëshmitarë që i kam pa të gjithë këta pleq, të rinj e deri tek fëmija gjashtë muajsh që e kanë masakruar forcat policore serbo-çetnikë. Këtu më se dy ditë i kemi varrosur, unë kam qenë këtu, kam qenë edhe pjesëtar i UÇK-së. Forcat serbe kanë bërë masakrën më makabre qysh i kanë bërë edhe në shumë pjesë të Kosovës. Andaj kjo ditë nuk harrohet. Pasi i kanë masakruar i kemi varrosur, ata e kanë bërë krimin e dytë, kanë ardhur i kanë marrë të gjitha kufomat dhe i kanë dërguar nëpër vende të ndryshme të Serbisë deri në kufi me Hungarinë. Ka ende që nuk janë gjetur, ka ende të zhdukur që nuk ia dimë as eshtrat ku i kanë", tregon ai.

Qelaj thotë se drejtësia do të ishte dashur të vijë për familjarët e të masakruarve, ku ai thotë se dihen me emër e me mbiemër se kush e ka kryer masakrën në Izbicë.

Qelaj: Gjëja më e keqe që ka ndodhur, që të gjithë dihen me emër e mbiemër

"Është gjëja më e keqe që ka ndodhur, që të gjithë dihen me emër e mbiemër dhe bash ai që i ka bërë masakrat ka qenë komandant i divizionit të Nishit, i mjeteve të motorizuara, tankeve dhe të gjithave. Dhe, ai gradohet në Serbi dhe bëhet ministër i Mbrojtjes.  Kjo është më e keqja, këtu edhe bashkësia ndërkombëtare ma merr mendja e ka një faj të madh. Po edhe institucionet tona që nuk kanë bërë sa duhet", është shprehur ai.

Në kompleksin memorial të varrezave në Izbicë, Bukurie Behrami i ka të varrosur shtatë familjarë të vrarë e masakruar.  Në mesin e tyre është edhe babai i saj Muhamet Behrami.

Behrami: Edhe tash për fatin e tyre nuk po dihet, disa i kemi gjetur disa jo

"Dy javë ditë kemi udhëtuar për të shkuar në Shqipëri, herë na kanë kthye këndej herë andej, kemi hequr boll edhe tash për fatin e tyre nuk po dihet, disa i kemi gjetur disa jo. Do të ishte mirë me u gjet të gjithë, me u heq dhimbja pak se ata lypin ende prej neve, kurse ne nuk i lypim të vrarët tanë ku janë...Ma keq nuk ka ku shkon, tanë i dënojnë që e kanë ruajtur pragun e shtëpisë, kurse ata nuk dënohen që i kanë bërë të gjitha këto masakra, gjithë këto vrasje", u shpreh ajo.

Lotët për vëllain nuk mund t’i ndalë Ramize Berisha, e cila thotë se masakrimin e vëllait e ka parë me sytë e saj.  

Teksa qëndron pranë varrit të Halit Ramaj, ajo thotë se të paktën serbët duhet të kërkojnë falje për të gjitha krimet që i kanë bërë në Kosovë.

Berisha: Na e kanë marrë vëllain na e kanë masakruar e kemi pa me sy

"Unë jam bijë e Izbicës, kemi ardhur këtu jemi strehuar te vëllai. Na e kanë marrë vëllain na e kanë masakruar e kemi pa me sy. Vëllai tjetër është plaguar por ai ka ikur nëpër mal i plagosur. Neve na kanë dërguar për në Klinë, tani jemi ndarë prapë kemi ardhur këtu. Kur kemi ardhur këtu i kemi gjetur të gjithë të masakruar, as kufomat nuk ua kemi njohur bash qysh duhet...Jo, jo, jo ata lypin ne me shkua ne me bë marrëveshje me ta, ata duhet me ardhur me na lyp neve falje çka na kanë bërë shkijetë", tha ajo derisa rrinte pranë varrit të të vëllait.

Edhe Shehide Fetahaj, qëndron pranë varrit të vëllait Halit Boja, i cili u vra 20 vjet më parë së bashku me të dy djemtë e tij. E motra, sot ka veç një dëshirë që drejtësia të merret me ata që ia vranë një pjesë të familjes.

Fetahaj: E kam të vrarë vëllain

"Këtu e kam të vrarë vëllain, ka qenë 47 vjet, djali i tij 19, tjetri djalë i tij 16, i tjetrit vëlla 13 vjet, i kanë vrarë të gjithë këtu në Izbicë. As nuk i kemi parë të vrarë veç kur jemi kthyer prej Tepelenës kur jemi kthyer e kemi ditur që si kemi", ka thënë ajo.

Ndryshe, 20 vjet më parë, më 28 mars 1999, ka ndodhur masakra e Izbicës, ku nga forcat policore e ushtarake të armikut u vranë 147 shqiptarë. Pas masakrës, kufomat e të vrarëve, i varrosen fshatarët e kësaj ane në fshatin Izbicë, por forcat serbe i zhvarrosën duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat