Veseli: S’jemi as më të mirë as më këqij se qytetarët e BE-së

Aktuale

Veseli: S’jemi as më të mirë as më këqij se qytetarët e BE-së

Më: 28 mars 2019 Në ora: 13:05
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar masa drastike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përmbyllje të projektit të mbështetur nga BE dhe realizuar nga forcat italiane karabinierët që kanë mbështetur Policinë e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve në luftën kundër dukurive negative, Veseli tha se Kosova ka shënuar progres, por do të vazhdojë më fuqishëm luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai tha se qytetarët e Kosovës ndjehen thellësisht të brengosur me korrupsionin, nepotizmin dhe klientelizmin në institucionet publike, ndërsa shtoi se ka ardhur koha të veprohet kundër këtyre dukurive negative, pasojat e të cilave janë të shumëfishta.

Veseli tha se institucionet e shtetit duhet të pastrohen nga abuzuesit dhe hajnat e kanë vendin në bankën e të akuzuarve, e jo në shtet.

Veseli: Hajnat në burg

“Korrupsioni dhe nepotizmi po rrezikojnë të bëhen standard në shoqërinë tonë. Për fat të keq, për ta luftuar shumë me fjalë, ndërsa me veprime po çalojmë, do të thotë nuk kemi arrit ta ndalim. Kjo duhet të ndërpritet, si mentalitet dhe veprim. Kjo po e dëmton shoqërinë dhe shtetin tonë në mënyrë qenësore. Kjo nuk ka petk politik, kjo ka vetëm pafytyrësi njerëzore, qytetare, por edhe ata të cilët janë të veshur me petkun publik. Ligjet nuk i kemi bërë për dekor por për të i zbatuar ato. Institucionet e shtetit duhet pastruar nga abuzuesit, hajnat e kanë vendin në burg dhe jo në shtet, individët me përgjegjësi zyrtare që në vend të luftojnë krimin kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me të, iu them se nuk do të vazhdojnë gjatë”, tha Veseli.

Ai tha se Kosova nuk ka rini për të humbur, as në lindje as në perëndim, ndërsa pati edhe një porosi për zyrtarët  e BE-së.

Veseli: Nuk jemi as më të mirë as më këqijtë se qytetarët e BE-së

“Kemi edhe një përgjegjësi në aspektin  rinisë sonë. Mos t’I marrin rininë tonë vetëm si punëtorë, por le të lejojnë liberalizimin e vizave, për vet faktin që 11 vjet. S’jemi as më të mirë as më të këqijtë se ju. Jemi evropian, fati historik na ka lënë mbrapa. Por nuk është e drejtë e as kujt me na tregua se jemi evropian të rangut të dytë”, deklaroi Veseli.     

Ndërsa, Ricardo Serri nga Zyra e BE-së, theksoi se terrorizmi dhe radikalizmi ka qenë problem në Kosovë, andaj ka pasur nevojë për këtë mbështetje për Policinë e Kosovës dhe institucionet e saj.

Serri: Strategji për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

“Ne po punojmë së bashku me ju për të implementuar strategjitë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne po ashtu punojmë në nivel rajonal me rrjetin e nivelit ballkanik. Kemi nënshkruar, po ashtu, planin e përbashkët kundër terrorizimit me gjashtë ministritë e vendeve të Ballkanit”, tha Serri.

Ndërsa, ambasadori i Italisë në Prishtinë, Piero Cristoforo Sardi ka nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për luftën kundër korrupsionit dhe ekstremizmit.

Ai theksoi se korrupsioni nuk është vetëm vepër e rëndë penale, por çon drejt shkatërrimit të vendit.

Sardi: Korrupsioni shkatërron shtetin

“Të gjithë e dimë rrezikun e krimit të organizuar I cili ka marrë dimensione ndërkombëtare dhe i cili kërkon koordinim ndërkombëtar në mënyrë që të luftohet dhe të parandalohet. Sa i përket korrupsionit, korrupsioni nuk është vetëm një vepër e rëndë penale, nuk perceptohet në mënyrën e duhur, por bën edhe shkatërrimin e një vendi”, tha Sardi.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka falënderuar BE-në që ka ndihmuar institucionet e sigurisë në Kosovë për të luftuar këto fenomene.

Ai tha se policia në vazhdimësi po i forcon kapacitetet që të jetë e aftë të ballafaqohet me sfidat dhe të punohet me partnerët, në mënyrë që të luftohet korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat