Funksionalizohet KQZ-ja, PSD mbetet pa buxhet

Aktuale

Funksionalizohet KQZ-ja, PSD mbetet pa buxhet

Më: 28 mars 2019 Në ora: 13:33
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Pas emërimit të tetë anëtarëve të rinj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e parë në përbërje të re, në të cilën u mor vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2019.

Ky fond përfshin 4 milionë e 200 mijë euro në total, të cilat do t’u ndahen subjekteve politike, në mesin e tyre fonde të veçanta nuk ka marrë Partia Socialdemokrate.

Koalicioni PAN me të gjitha partitë tjera të vogla ka më shumë se 1 milion e 228 mijë e 500 euro, Lëvizja Vetëvendosje 1 milion e 8 mijë euro, pasuar nga LDK-ja sa bashku me AKR-në, 913 mijë euro.

KQZ po ashtu ka marrë vendim për zëvendësimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe asamblistëve nëpër kuvende komunale.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka theksoi se Rafet Rama nga PDK do të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës, në vend të Nezir Çoçajt, i cili pati dorëzuar mandatin.

Daka: Rafet Rama bëhet deputet

“Shqyrtimi dhe rekomandimi për Zyrën  presidentit të Republikës së Kosovës për kandidatin e radhës për deputet të Kuvendit të Kosovës. Ka një kohë të gjatë që kemi një kërkesë nga Zyra e Presidentit për deputetin e radhës, i cili do ta zëvendësoj deputetin Nezir Çoqaj nga Partia Demokratike e Kosovës… Bëhet fjalë për deputetin Rafet Rama”, theksoi Daka.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Adnan Rrustemi dhe anëtari tjetër Florian Dushi nga LDK, kërkuan që sa më parë të ekzekutohen këto vendime nga Sekretariati i KQZ-së për asamblistë dhe fondin e partive parlamentare.

Rrustemi: Vendimet e sotme të përmbushen sa më parë nga Sekretariati

“Sekretariati të mobilizohet që sa më parë t’i përmbushë procedurat sepse e dimë që më shumë se tre muaj subjektet politike janë pa fondin shtetëror dhe kjo ka ndikuar në funksionimin e tyre. Kështu që besoj që vendimet të nënshkruhen sa më parë dhe të përmbushen këto obligime”, tha Rrustemi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat