MTI-IFC me projekt të përbashkët për t’i mbështetur prodhuesit vendorë

Aktuale

MTI-IFC me projekt të përbashkët për t’i mbështetur prodhuesit vendorë

Më: 28 mars 2019 Në ora: 14:04
Endrit Shala, Damien Shiels

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur sot në takim Damien Shiels, menaxher për Evropën dhe Amerikën Latine në IFC, me të cilin ka biseduar për projektet e ardhshme që do t’i realizojë MTI.

Shala theksoi se IFC konfirmoi se së shpejti do të fillojë me një projekt të ri që do t’i mbështesë prodhuesit vendorë, kryesisht në prodhimtarinë teknologjike, që mundëson fuqizimin e tyre dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Temë e debatit ishte edhe shkëmbimi i përvojave në tërheqjen e investimeve me vendet e ngjashme siç është Irlanda. U vlerësuar edhe fuqizimi i mekanizimit për trajtimin e ankesave për investitorët, që do të bëhet në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është falënderuese ndaj IFC-së dhe Qeverisë Zvicerane për mbështetjen e deritanishme dhe ne jemi të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin në projektet që na presin për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ministri Shala.

Ministri Shala theksoi se MTI është mjaft e kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë në implementimin e Projektit “Përmirësimi i Klimës së Investimeve 2 – faza e dytë” që është duke u implementuar nga IFC/Banka Botërore.

“Projekti ka për qëllim përkrahjen me asistencë teknike në realizimin e aktiviteteve që ndërlidhen me mbështetjen e vazhdueshme të KIESA, ARBK-së dhe agjencive tjera të MTI-së për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte si dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit privat në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa Damien Shiels, konfirmoi se së shpejti IFC do të nisë me një projekt të ri në mbështetje të prodhuesve vendor, duke ndikuar edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ndryshe, MTI bashkë-kryeson Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka themeluar Sekretarinë Teknike të KKZHE-së, ndërkohë që janë dakorduar me IFC-në që në kuadër të kësaj Sekretarie të jetë edhe Sistemi për Trajtimin e Ankesave që vijnë nga investitorët që operojnë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat