Ndalohen përfundimisht lojërat e fatit

Aktuale

Ndalohen përfundimisht lojërat e fatit

Më: 28 mars 2019 Në ora: 17:07

(E plotësuar) - Pas votimit në lexim të parë të projektligjit që i ndalon gjitha lojërat e fatit, i cili u dërgua në Komisionin funksional për shqyrtim dhe u kthye sërish në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë, në të cilin ka kaluar dhe janë mbyllur të gjitha lojërat e fatit, përveç Lotarisë së Kosovës të bashkangjitura me dy amendamente të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku i paraqiti dy amendamentet përkatëse, i cili i ndalon të gjitha lojërat e fatit në tërë territorin e Kosovës dhe nenin dy që me këtë shfuqizohet Ligji i kaluar për lojërat e fatit dhe aktet nënligjore deri në zbatimin e tij.

Abdixhiku: Janë dy amendamente

“Janë dy amendamente, neni i parë ndryshon në si në vijim, me këtë ligj ndalohet gjitha lojërat e fatit në tërë territorin e Kosovës. Dhe neni dy, se më këtë shfuqizohet Ligji  për lojërat e fatit dhe aktet nënligjore për në zbatimin e tij. Ne kemi thënë që ish dashtë qeveria që të vij me ligj të veçantë si çdo shtet tjetër, ne i kemi kthyer lojërat e fatit në pikën zero”, tha ai

Ndërkaq, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se ka pasur dilema sa i përket licencave, sepse sipas saj ato janë pa afat.

Haxhiu: Ka pasur dilema sa i përket licencave

“Ka pasur dilema sa i përket licencave, tash u njoftova se licnat janë pa afat, këtë duhet të konfirmojë ministri, e kishim të pamundur të diskutonim me të. Ne nuk kemi rekomanduar asgjë për seancë jemi pa rekomandim”, tha ajo.

Shefi i deputetëve të Nismës, Bilall Sherifi tha se kanë pasur paqartësi, mirëpo duhet të ketë një qëndrim.

Sherifi: Nuk kemi fare rekomandim

“Jo vetëm që nuk kemi rekomandim të përbashkët, por nuk kemi fare rekomandim pikërisht se na mungonin sqarimet në disa çështje, vota e deputetit është për”, tha deputeti sherifi.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj tha do të votojnë për, mirëpo për përgjegjësit duhet t’i merr parlamenti për pasojat që mundet të ndodhin.

Demaliaj: Për pasojat dhe përgjegjësin e merr Kuvendi i Kosovës

“Qeveria e ka kryer punën e vet, LDK-së dhe VV e kanë pruar një rezolutë në kuvend, në emër të AAK-së për votën vendosin si grup, ajo dihet. Për pasojat dhe përgjegjësin e merr Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

***

U votua në lexim të dytë projektigji i iniciuar nga Qeveria e Kosovës që ndalon funksionimijn e  lojërave të fatit për 10 vjet.

Kuvendi i Kosovës ka kaluar me 69 vota pro në shqyrtimin e dytë projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit.

Kalon në lexim të parë Projektligji që ndalon lojërat e fatit

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila në debatin që është duke u mbajtur për lojërat e fatit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, është shprehur se asnjë nga lojërat e fatit nuk mund të mbyllen për një orë dhe se pas kësaj ato do të lulëzojnë ilegalisht.

Ajo theksoi se çdo ligj i miratuar në shpejtësi, i është kthyer Kosovës bumerang dhe për këtë arsye nuk duhet vazhduar në këtë formë.

Kusari-Lila: Lojërat e fatit do të vazhdojnë ilegalisht

“Kemi me pasur lojëra të fatit që kanë me vazhduar në mënyrë ilegale, kanë me u vazhduar dhe gjitha aktivitetet në formë ilegal, kemi me pasur një Ministri të Punëve të Brendshme jo kompetente për me i ndjek ata që ilegalisht, po merren me lojërat e fatit. Shpejtësia është prodhim i dreqit”, tha ajo, raporton KosovaPress.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar në lexim të parë Projektligjin që ndalon lojërat e fatit. Projektligji kaloi me 60 vota për dhe 3 abstenime.

Me anë të këtij projektligji  ndalohen  lojërat e fatit për 10 vjet, përveç lotarisë së Kosovës.

Pas këtij votimi, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli u shpreh se seanca e jashtëzakonshme për leximin e dytë të këtij projektligjit do të fillojë në ora 18:30.

Kamishi pyet: A është jadeci bast

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se e përkrah mbylljen e të gjitha bastoreve, por ka deklaruar se duhet të definohet çfarë janë “lojërat e fatit” dhe çfarë janë “bastoret”.

Haxhiu, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku në rend të ditës është vënë Ligji për Lojërat e Fatit, ka pyetur nëse ‘jadeci’ është bast apo lojë e fatit.

Ai po ashtu ka thënë se nëse e zënë një deputet duke luajtur ‘jadec’, duhet ta ndëshkojnë.

“Parimisht jam që të mbyllen të gjitha lojërat e fatit, por me këtë ligj ne po krijojmë një monopol. E unë jam që të mbyllen të gjitha lojërat e fatit. Unë jam që të mbyllen të gjithë, pa krijuar monopole. Nuk është se po mbyllen lojërat e fatit me këtë ligj. Pastaj, ata që janë njohës të kësaj fushe thonë duhet t’i dallojmë lojërat e fatit dhe bastoret. A është ‘jadeci’ bast, apo lojërat e fatit. Prandaj, unë mendoj se edhe komisioni përkatës ta bëjë punën e vet në mënyrë që t’i mbyllim të gjitha lojërat e fatit. Por edhe nëse një politikan e zëmë duke luajtur ‘jadec’, edhe ai duhet të ndëshkohet”, ka thënë Bekim Haxhiu.

Zeka: Kurrë s’votoj për mbylljen e kazinove, dem babadem ka ekzistu bixhozi

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka është kategorikisht kundër votimit të Projektligjit i cili mbyll të gjitha Lojërat e Fatit, përpos Llotarisë së Kosovës.

Ai sot në Kuvend tha se vetë kurrë s’do ta votojë këtë ligj, sepse sipas tij dëmtohet buxheti i vendit dhe shuhen mijëra vende pune.

‘’Kur na jemi shtet mazfioz, pse mos me luajt edhe me lojëra të fatit. Pse mos me i dëmtu familjet,punëtorët, ata që kanë paguar për licencë. Pse nuk erdhëm e me thënë se do t’i mbyllim lojërat e fundit si në Shqipëri, me dy vjet afat’, tha Zeka.

Zeka thotë se me këtë Ligj, po përçohet një mesazh i rëndë tek ndërkombëtarët.

‘’Kujt po i teket, këtu po vjen me seancë të jashtëzakonshme. Reflekoni, mos votoni një ligj antibiznes, antinjerëzor dhe që lë pa punë. Dem babadek ka ekzistu bixhozi gjithë,  me pasul nër kapuqa. Unë kurrë nuk e votoj një ligj të tillë’’, përfundoi Zeka.

Subjektet politike përkrahin mbylljen lojërave të fatit

Grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë mbështetur në parim Projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit, mirëpo u theksua se duhet pasur kujdes te mënyra se si do të funksionojë Lotaria e Kosovës, për të cilën më herët është thënë se nuk duhet të mbyllet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se ky projektligj nuk është në përputhje me rezolutën e votuar në Kuvend, derisa rreth paqartësisë për vazhdimin ose jo të punës së Lotarisë së Kosovës, ai kërkoi nga qeveria të sjellë projektligjin e ri për lotarinë.

Hoti: Ky projektligji nuk është në përputhje me rezolutën e votuar në Kuvend

“Unë e kam analizuar ky projektligji nuk është në përputhje me rezolutën që është votuar në Kuvend, e cila kërkon që Qeveria të nisë procedurat ligjore për mbylljen e gjitha lojërave të fatit, dhe t’i sjellë projektligji për këtë çështje. Projektligji thotë që lejohet Lotaria e Kosovës. Për të thjeshtuar situatën, qeveria të sjellë projektligjin e Lotarisë së Kosovës si institucion publik”, tha Hoti.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, mbështeti projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit, por kërkoi të sqarohet roli i Lotarisë së Kosovës në të ardhmen.

Ajo propozoi një amendament për një nen të veçantë me të cilin i ndalohet Lotarisë së Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale me subjektet juridiko-private.

Nagavci: Lotaria s’duhet të ketë marrëdhënie kontraktuale me subjektet juridike

“Duke pasur parasysh se Lotaria e Kosovës është subjekt juridiko-publik, ne konsiderojmë që duhet të ekzistojë ky nen i veçantë që i ndalon Lotarisë të ketë marrëdhënie kontraktuale, apo kontrata të veçanta me subjekte juridiko-private”, u shpreh deputetja Nagavci.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, Safete Hardergjonaj, mbështeti projektligjin, derisa kërkoi kujdes te gjetja e modaliteteve për Lotarinë e Kosovës. Mirëpo, për dallim prej saj, deputeti Nait Hasani nga e njëjta parti kërkoi të mos krijohet monopol dhe të mbyllet Lotaria e Kosovës.

Hasani: Ndalja e lotarisë tregon monopolin e shtetit mbi shoqëritë aksionare

“Nëse dëshironi të ktheni sistemin socialist, mund ta ktheni, por vendosja e monopolit për rrethanat politike për demokracinë e sotshme është absurde. Kërkohet që të gjitha lotaritë të ndalet dhe veç Lotaria të funksionojë, tregon monopolin e shtetit mbi shoqëritë aksionare”, tha ai.

Edhe shefi i GP të Nisma-s, Bilall Sherifi, i dha mbështetje në praim projektligjit për mbylljen e lojërave të fatit për dhjetë vjet sikurse është kërkuar nga Qeveria e Kosovës, por shtoi se nëse do të pyetej ai, do të duhej të mbyllej edhe Lotaria e Kosovës.

Sherifi: Me më pyet mua edhe lotarinë e kisha mbyllur

“Mu me më pyet edhe lotarinë e kisha mbyll, sepse nuk ka ndonjë traditë këtu te ne për lotari”, tha deputeti Sherifi.

Edhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare, PSD, AAK e përkrahën në parim projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit.

Paqartësi për Lotarinë e Kosovës, shqyrtimi i dytë pritet në ora 18:00

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Lojërat e Fatit në Kosovës nuk mund të mbyllen brenda dy orëve, përmes një ligji me tre rreshta.

Sipas saj kjo tregon se dikush po tenton të mbulojë të gjithë krimin e organizuar që ka ndodhur gjatë kësaj kohe, derisa shteti nuk ka arritur që t’i fus nën kontrollë kazinot e lojërat e tjera të fatit.

Sipas saj në rast se shteti do t’i mbyllë plotësisht, Lojërat e Fatit do t’i zhvendosin aparaturat e tyre nëpër podrume të shtëpive, dhe do të lulëzojnë ilegalisht.

Kusari thotë se fillimisht duhet që lojërat e fatit duhet të mbyllen sipas Ligjit aktual që është, në afërsi të shkollave e objekteve fetare, dhe pasi të bëhen një filtrim i qartë, më pas të vazhdohet me mbyllje.

Ajo ka treguar se si në Gjakovë ka tentuar t’i mbyll lojërat e fatit në afërsi të objekteve të arsimit e fetare, por më pas dikush nga ministria ka shkuar dhe i ka treguar se matja e largësisë është bërë gabim.

Nait Hasani: Policia ktheu në punë personin që dhunoi dhe që kishte probleme mendore

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për projektligjin që ndalon lojërat e fatit për 10 vjet, deputeti Nait Hasani ka folur për rastin e vrasjes javën e kaluar në një kazino të Suharekës.

Deputeti i PDK’së, Nait Hasani, thotë se polici që e vrau punonjësin e kazinos në Suharekë, më parë ka qenë i dënuar për shfrytëzim seksual, dhe Policia serish e ka rikthyer në punë.

 “Polici në fjalë ka qenë i akuzuar dhe 7 muaj ka qenë në burg për dhunim seksual. Ai u lirua si i pafajshëm. Policia e Kosovës prap e pranoi në punë dhe ia besoi armën”, ka thënë Hasani.

Po ashtu, Hasani thotë të jetë informuar se polici që kreu vrasjen ka qenë më parë duke u trajtuar në spitalin neuropsikiatrit.

“Polici në fjalë ka ra nga kati i dytë, ka pësu traumë, ka qenë në spital neuropsikitatrik dhe pas saj prap është pranu polic dhe i është ebsuar arma për siguri”, ka shtuar deputeti i PDK’së.

***

Në seancën e jashtëzakonshme që është duke u mbajtur për lojërat e fatit, u vendos të shmanget rregullorja dhe afatet procedurale për shqyrtimin e parë dhe të dytë të Projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit.

Kuvendi mori vendim fillimisht që shqyrtimi i parë i projektligjit dhe pas miratimit t’i dërgohet komisionit përkatës në mënyrë që shqyrtimi i dytë të bëhen prapë sot në ora 18:00.

Në emër të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku kishte paqartësi rreth neneve për Lotarinë e Kosovës, se a duhet shfuqizuar  gjithë ligji për nenet e Lotarisë së Kosovës apo vetëm nenet e lojërave të fatit.

Abdixhiku: Këto dy gjëra është mirë qeveria t’i qartësojë

“A po e shfuqizojmë dhe Lotarinë e Kosovës, apo e mbajmë Lotarinë? Nëse e mbajmë Lotarinë e Kosovës, atëherë në ligjin e ri duhet shtuar nenet e Lotarisë së Kosovës ose po e bëjmë proces ndryshimin e ligjit aktual dhe i shfuqizojmë vetëm nenet e lojërave të fatit. Këto dy gjëra është mirë qeveria t’i qartësojë”, tha ai.

***

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në të njëjtë pritet votimi i Projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit, si dhe pezullimi i ligjit aktual.

Kujtojmë se nisma për mbylljen e lojërave të fatit vjen pas vrasjes së dy të rinjëve nëpër kazino në Suharekë dhe Lipjan.

Me miratimin e këtij ligji, pritet që lojërat e fatit të mbyllen në një periudhë prej 10 vitesh.

E njëjta ishte shtyer në mungesë kuorumi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat