Letër publike liderëve shtetërorë: Mjaft me popullizëm të turpshëm tek varrezat, plotësojeni ligjin për krimet e Serbisë

Aktuale

Letër publike liderëve shtetërorë: Mjaft me popullizëm të turpshëm tek varrezat, plotësojeni ligjin për krimet e Serbisë

Nga: A.ZH Më: 28 mars 2019 Në ora: 18:06
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Shoqata-OJQ “Familja dhe Shpresa” në Klinë, u ka dërguar letër publike liderëve shtetërorë të Kosovës. Kjo OJQ derisa ka kritikuar liderët për popullizëm të “turpshëm” tek varrezat, u ka kërkuar liderëve që të plotësojnë Ligjin për Gjykatën Speciale, për krimet e Serbisë në Kosovë, përcjell Bota sot.

“Stop popullizmin tuaj të turpshëm dhe të pafalshëm, e përmirësojeni gabimin dhe ofendimet e gënjeshtrat që JU po i bëni përditë ndaj krejt viktimave shqiptare dhe neve të mbijetuarve, kur në vitin 2015 e miratuat ligjin selektiv dhe të padrejtë për Gjykatën Speciale për Kosovën dhe i injoruat plotësisht krimet e Serbisë ndaj më të dashurve tanë”, thuhet në letër.

Letra është dërguar në emër të Zana Bytyqit, si përfaqësuese e OJQ “Familja dhe Shpresa”.

Letra e plotë:

Letër publike për:

Hashim Thaçi, Kryetar i Kosovës,

Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës,

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës,

Fatmir Limaj, Zv-Kryeministër e Kryetar i Nisma-s

Isa Mustafa, Kryetari i LDK-së

Albin Kurti, Kryetar i VV-së

Shpend Ahmeti, Kryetar i PSD-së

Behxhet Pacolli, Zv-Kryeministër e Kryetar i AKR-së

Dërguar nga : Zana Bytyqi, Shoqata-OJQ “Familja dhe Shpresa”, Klinë

MJAFT me popullizmin të turpshëm tek varrezat, PLOTËSOJENI ligjin për gjykatën speciale - për krimet e Serbisë

Po bëhen afër 3 vite (pikërisht që nga 13 nëntori 2016) që ne ( Shoqata ‘Familja dhe Shpresa’ ) prej se filluam t’ju drejtohemi juve dhe krejt deputetëve të Kosovës me kërkesa publike që të plotësoni ligjin e vitit 2015 për Gjykatën Speciale për të gjykuar krimet e Serbisë dhe megjithatë JU, që të gjithë JU, refuzuat që ta plotësoni këtë kërkesë tonën dhe të shoqatave të tjera të ngjashme.

Pikërisht JU, që të gjithë JU, që ishit sot në varrezat në Izbicë dhe të tjerët që nuk ishin, por që kanë fuqi vote në parlament, rregullisht po dukeni edhe nëpër varrezat e tjera anekënd Kosovës dhe po bëni popullizëm të turpshëm dhe qesharak para kamerave televizive me dhembjet tona tash e 20 vjet për vrasjen e më dashurve tanë nga kriminelët e Serbisë, të lirë në Serbi e të mbrojtur nga ministri i Sllobodan Millosheviqit, tash Kryetar i Serbisë Aleksandar Vuçiçi.

Pikërisht JU, jeni ata që refuzuat dhe ende po refuzoni që të plotësoni ligjin në fjalë, me të cilin JU, të gjithë JU, e amnistuat Serbinë dhe kriminelët e saj me duart tuaja nga masakrat ndaj 12000 civilëve shqiptarë të Kosovës, më ta dashurve tanë.

Është koha e fundit që t’i jepni FUND këtij turpi dhe ofendimi të përditshëm që JU po iu bëni mbi 12000 civilëve shqiptarë e 20000 grave dhe vajzave të përdhunuara nga kriminelët serbë.

Prandaj, STOP me gënjeshtra . STOP me këtë lojë me ne dhe varret e më të dashurve tanë.

STOP popullizmin tuaj të turpshëm dhe të pafalshëm, e përmirësojeni gabimin dhe ofendimet e gënjeshtrat që JU po i bëni përditë ndaj krejt viktimave shqiptare dhe neve të mbijetuarve, kur në vitin 2015 e miratuat ligjin selektiv dhe të padrejtë për Gjykatën Speciale për Kosovën dhe i injoruat plotësisht krimet e Serbisë ndaj më të dashurve tanë.

Unë Zana Bytyqi, po ju shkruaj në emër të familjarëve të 86 viktimave – vëllezërve, bashkëshortëve e prindërve tanë nga komuna e Klinës - të vrarë e të zhdukur me 4 Prill 1999 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës - nga ushtria dhe policia e Serbisë.

Të gjithë JU,

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa, Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe deputetët tuaj në KUVEND, JU jeni pikërisht ata që MUND dhe DUHET që ta plotësoni këtë ligj të mbrapshtë e të obligoni Prokurorin Jack Smith që të ngre akuza ndaj kriminelëve serbë që gjenden në Serbi.

Drejtësia për viktimat e Kralanit dhe ne familjarëve të tyre si dhe për krejt viktimat e tjera të shqiptare nëpër tërë Kosovën është në duart tuaja dhe askujt tjetër dhe ADRESA për këtë drejtësi është gjykata speciale që e themeluat ju vet.

Mjaft më gënjeshtra tuaja të përditshme.

“Drejtësinë” deri më tash e “kërkuat” me fjalime populiste të turpshme e gënjeshtare nëpër media e tubime ... e deri tek varrezat e viktimave.

Ky është një mashtrim i turpshëm që po bëni. Kështu bëtë sot edhe tek varrezat në Izbicë. Çfarë maskarade të turpshme po bëni para popullit që të gjithë JU.

Plotësojeni ligjin URGENTISHT. Vetëm atëherë mund ta fitoni të drejtën që të vini tek varrezat e më të dashurve tanë.

Përndryshe, JU deri atëherë, nuk keni të drejtë që të vini e të na mashtroni pranë varreve të më të dashurve tanë as këtë vit e as viteve tjera me radhë, siç keni bërë plot 20 vite me radhë këto 20 vite turpi e popullizmi.

20 vite mashtrim. E që nga 2015 që kur e themeluat gjykatën selektive, u bënë plot katër vite poshtërim nga ana e juaj ndaj nesh dhe më të dashurve tanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat