Thellohet skandali në Drenas – Kush janë personat tjerë që po hetohen për abuzim me të miturën? - Bota Sot
Thellohet skandali në Drenas – Kush janë personat tjerë që po hetohen për abuzim me të miturën?

Aktuale

Thellohet skandali në Drenas – Kush janë personat tjerë që po hetohen për abuzim me të miturën?

Më: 28 mars 2019 Në ora: 19:12
E mitura nga Drenasi

Lista e personave të dyshuar për abuzim seksual me të miturën A.G nga Drenasi pritet të rritet. Tashmë Prokuroria e Prishtinës e IPK kanë zgjeruar pistën e hetimeve, ndërkaq, dyshimet janë se të përfshirë në rast janë disa policë tjerë e një mësues nga Drenasi.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të përfundojë i gjithë procesi i hetimeve.

Mësuesi, pastaj polici hetues, e më pas edhe avokati, e si duket lista e atyre që kanë abuzuar seksualisht me atëherë të miturën A.G nga Drenasi nuk do të përfundojë me kaq.
Po bëhen gati dy muaj prej kur opinioni u trondit nga historia e A.G nga Komuna e Drenasit, e cila dyshohet së është abuzuar seksualisht nga profesori Shkëlzen Xhekaj e më pas edhe nga polici hetues, Vesel Veseli te i cili e njëjta ishte drejtuar për të raportuar Xhekajn.

Të dy këta dyshohet se e kishin shantazhuar vajzën në mënyra të ndryshme e se kishin abuzuar seksualisht me të, madje, e njëjta ishte detyruar edhe që të abortoj.

Pikërisht pasi që rasti u bë publik përmes mediave, u arrestua edhe avokati Gazmend Halilaj, i cili e kishte raportuar rastin, edhe ky nën dyshimet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare, kishte keqpërdorur seksualisht të miturën duke keqpërdorur detyrën zyrtare apo profesionin dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

Por, të tre këta, e edhe mjeku i cili i kreu abortin vajzës si duket nuk do të mbeten të vetmit të cilët janë përfshirë në rast.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka konfirmuar Gazetës Express se pista e hetimeve e personave të cilët tashmë po dyshohen për rastin e Drenasit është zgjeruar, ndërkaq, kanë shtuar se dosja do ende kohë për t’u përfunduar.
Sipas disa burimeve mirë të informuara, në llupë të prokurorisë janë edhe disa policë të Stacionit Policor në Drenas, ndërkaq, dyshohet edhe për një mësues që mund të ketë kryer veprën e njëjtë.

Inspektorati i Policisë së Kosovës tash e një kohë është duke hetuar këta persona, madje për të gjithë procesin nuk ka informuar as zyrtarë të Policisë e këta të fundit kanë mbetur jashtë hetimeve edhe pse kanë bërë kërkesë për këtë.

Rrjedhimisht ende nuk është bërë e ditur se për sa zyrtarë policor bëhet fjalë.
Se nuk kanë informacione se çka ka ndodhur me të dyshuarit nga Policia e Kosovës, ka bërë të ditur dje para komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Edhe zyrtarë të Komunës së Drenasit janë të informuar se ka të dyshuar të tjerë mësimdhënës në të përfshirë.

Vetë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci ka konfirmuar këtë informacion, e kishte deklaruar se për këtë iu ishte drejtuar edhe prokurorisë.

“Qarkullojnë informacione që ka edhe njerëz tjerë të implikuar të abuzimit seksual me vajzën dhe ka informacione që ka edhe mësimdhënës tjerë. Ne i kemi shkruar prokurorit, ju lutem në rast se jeni duke kryer hetime ndaj një mësimdhënësi tjetër, na informoni që t’i ndërmarrim masat që imazhi i shkollave tona të mos luhatet dhe ti marrim masat karshi ligjit”, u deklarua ai.

Deri më tani polici hetues, Vesel Veseli, arsimtari Shkëlzen Xhekaj, Gjinekologu Fehmi Ahmeti e avokati Gazmend Halilaj janë vënë nën pranga për rastin, e lista e atyre që kishin pasur informacione me përfundim të hetimeve pritet të rritet.

Si kishte nisur historia

Historia e vajzës kishte nisur në qershor të vitit 2016’të. Atëherë A.G (emër i njohur për redaksinë), kishte filluar të fliste përmes Facebook’ut me profesorin Shkelzen Xhekajn të cilin e kishte edhe fqinj, por, që i njëjti jepte mësim edhe në shkollën ku mësonte vajza.

Të dy këta pas një komunikimi që kishin pasur njëherë përmes Facebook-ut kishin vazhduar edhe të takoheshin, e krejt kjo kishte zgjatur një vit e gjashtë muaj.

Profesori i kishte premtuar vajzës që do të martohej me të, pasi që e njëjta të kryente shkollën, por, situata kishte ndryshuar pak muaj më vonë, e pastaj vajza kishte vendosur që për rastin të drejtohej për në polici.

Shkëlzen Xhekaj kishte angazhuar si avokat Gazmend Halilaj, ndërkaq, vajza rastin do ta raportonte te polici hetues, Vesel Veseli që më vonë do të abuzonte me të e do ta shantazhonte për një periudhë gjatë të cilës vajza do të mbetej edhe shtatzënë e do të detyrohej të abortonte.

A.G kishte rrëfyer para prokurorisë për të gjithë rastin e më vonë i kishte tërhequr deklaratat, ndërkaq, për Xhekajn nuk kishin vazhduar hetimet. Atëherë do të fillonte edhe abuzimi nga Vesel Veseli.

Dyshimet janë se avokati Gazmend Halilaj e kishte shfrytëzuar rastin, gjatë kohës sa ishte avokat i të dyshuarit Xhekaj për të krijuar afërsi me vajzën atëherë të mitur, e me të ka edhe dyshime se kishte filluar edhe raporte dashurie.

Të miturën, Halilaj dyshohet se e ka shtyrë që t’i denoncojë edhe personat e tjerë për keqpërdorimet seksuale që ia kishin bërë asaj.

Polici Vesel Veseli e profesori Shkëlzen Xhekaj po vazhdojnë të mbeten në paraburgim, ndërkaq, avokatit Gazmend Halilaj, iu është ndërruar masa në burgim shtëpiak.

Rasti i Drenasit ka tronditur opinionin në vend, e në disa komuna janë organizuar edhe protesta duke e dënuar atë se çka kishte ndodhur si dhe duke kërkuar që fajtorët të vihen nën pranga.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...