Osmani porosi Thaçit nga Italia: Nuk do t’i pranojmë marrëveshjet e tua të fshehta me Vuçiqin

Aktuale

Osmani porosi Thaçit nga Italia: Nuk do t’i pranojmë marrëveshjet e tua të fshehta me Vuçiqin

Më: 29 mars 2019 Në ora: 19:39
Vjosa Osmani

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka thënë se tashmë është radha e Bashkimit Evropian që të mbajë fjalën e dhënë për qytetarët kosovarë.

Këto deklarime Osmani i ka bërë gjatë qëndrimit të saj në Itali si përfaqësuese e Komisionit të për Punë të Jashtme, në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ‘Nova’, prej ku ka kërkuar edhe nga shteti italian që të jap votën e saj të rëndësishme në ditën kur do të votohet për vizat në Këshillin Evropian.

Liberalizimi i vizave

“Është tani radha e BE-së që të respektojë fjalën e dhënë, dhe Italia ka një votë jashtëzakonisht të rëndësishme në Këshillin Evropian”, ka thënë Osmani.

Osmani ka kujtuar faktin se Kosova tashmë ka përmbushur të gjithë 95 kriteret për liberalizimin e vizave. Ajo thotë se në rast se BE-ja nuk liberalizon vizat për kosovarët, atëherë do të humbasë besueshmërinë në sytë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Shpresojmë që se shpejti Këshilli i BE-së të diskutojë për këtë çështje, pasi është gjithashtu një aspekt që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Ne po rrezikojmë të futemi në një geto në zemër të Evropës”, ka thënë deputetja e LDK’së.

Sipas Osmanit është e pakuptueshme se si BE-ja e ka lënë jashtë ombrellës së vetë, një vend të vogël prej 1.7 milionë banorësh, kur tashmë negociaon për liberalizim vizash edhe me vende të mëdha si Kina.

Deputetja e LDK’së, thotë se është e padrejtë që të ndërlidhet çështja e emigracionit me liberalizimin e vizave.

Ajo thotë se Italia mund të ketë një rol mjaft të rëndësishëm duke qenë një promotor i kërkesave të Republikës së Kosovës në nivelin Evropian.

“Ju jeni një vend që na shpëtuat jetën tonë 20 vjet më parë, pasi populli i Kosovës ishte nënshtruar politikave gjenocidale dhe krimeve të luftës kundër njerëzimit.  Njëzet vjet më vonë, si një vendi i pavarur dhe sovran, Kosova po përpiqet që të kapercejë një sërë pengesash për procesin e konsolidimit dhe forimcimit të shtetit, në mënyrë që të kontribuohet edhe në paqen e rajonit”, ka shtuar Osmani.

Taksa

Në këtë intervistë, Osmani ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

“Masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për importin e produkteve serbe dhe boshnjake nuk kanë rënë nga qielli. Serbia vazhdimisht ka kundërshtuar ekzistencën e shtetit tonë si një vend sovran që për më shumë se dhjetë vjet është i pavarur, duke penguar gjithashtu zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si INTERPOL dhe UNESCO”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka shtuar se Serbia vazhdimisht ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, në raport me Republikën e Kosovës.

Dialogu i Brukselit Kosovë-Serbi

Sa i përket bllokimit të dialogut me Serbinë, Osmani ka thënë se BE-ja duhet të marrë përgjegjësi për këtë çështje.

“Duhet të them se BE-ja duhet të marrë përgjegjësi për faktin se dialogu ka devijuar nga rruga që është synuar fillimisht. Dialogu është quajtur qëllimisht një proces normalizimi, që duhet të krijojë raporte normale mes dy vendeve, dhe duhet që të shikojë problemet konkrete të njerëzve. Nëse e shikoni qytetin tim Mitrovicën, njerëzit nuk kanë përfituar fare nga ky proces, por thuhet se disa marrëveshje që përfshijnë lirinë e lëvizjes, kanë qenë të suksesshme, edhe pse Serbia ka nevojë që t’i respektojë ato më shumë “, ka potencuar deputetja e LDK’së, Vjosa osmani.

Pa përfshirjen e SHBA-së nuk mund të vazhdojë dialogu

Sipas saj BE-ja duhet të ketë një rol konstruktiv sa i përket arritjes së marrëveshjes, duke shtuar se pa përfshirjen e SHBA-së dhe BE-së, dialogu nuk mund të vazhdojë.

Sipas saj Kosova dëshiron që të bëhet anëtare e BE-së, por thekson faktin se sa kapituj i janë hapur Serbisë dhe sa Kosovës, duke e quajtur një gjë të tillë si pabarazi dhe padrejtësi.

“Nuk ka kuptim që të hapen 22 kapituj për Serbinë, dhe vetëm dy për Kosovën”, ka thënë Osmani për agjencinë italiane ‘Nova’ .

Ideja për korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi

Teksa ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve, ajo ka thënë se Kosova është plotësisht kundër një ideje destabilizuese për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që kufijtë e Kosovës janë vendosur më 17 shkurt 2008.

“Ne jemi kundër  idesë destabilizuese për ndryshim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kufijtë u vendosën më 17 shkurt 2008, ashtu siç u konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e njohur nga 116 vende të botës. Mosnjohja e këtyre kufijve jo vetëm që do të destabilizonte Kosovën, por edhe tërë rajonin e Ballkanit, me një efekt ‘Domino’, që mund të përdoret si precedent edhe nga vendet nëpër botë për të justifikuar aneksimet e tyre të paligjshme. E gjithë qeveria kosovare është kundër këtyre ideve të rrezikshme”, ka potencuar Osmani në këtë intervistë për agjencinë e lajmeve ‘Nova’.

Osmani thotë se kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm dhe se pavarësia e Kosovës është një proces i mbyllur.

Sipas saj kufijtë nuk mund të ndryshohen po gjakderdhje, dhunë e spastrim etnik

“Deklarimi i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm dhe kufijtë e saj nuk mund të jenë subjekt i negociatave: ky është vizioni i të gjitha partive politike në Kosovë, prandaj ne jemi kundër ndryshimit të kufijve. Serbia duhet të ulet në tryezë dhe njohja e ndërsjellë duhet të jetë qëllimi përfundimtar përderisa ata nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në BE Kapitulli 35 parashikon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe kjo nuk mund të ndodhë pa njohje të ndërsjellë. Marrëveshja që përfshin ndryshimin e kufijve do të çonte në destabilizim në Ballkan, me gjakderdhje, pasi fatkeqësisht kufijtë nuk ndryshojnë pa dhunë apo spastrim etnik”, ka vazhduar ajo.

‘Negociatat sekrete’ Thaçi-Vuçiq

Ajo ka folur edhe për atë se janë zhvilluar negociata sekrete ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Kosova është demokraci parlamentare dhe nëse presidenti ose dikush tjetër dëshiron të gjejë një marrëveshje të fshehtë, ai duhet të dijë se nuk do të pranohet nga parlamenti dhe më e  rëndësishmja do të refuzohet nga populli i Kosovës. Më mirë është të mos ketë fare marrëveshje, se sa të arrihet një marrëveshje e keqe”, është shprehur ajo.

Në fund deputetja Vjosa Osmani ka thënë se e gjithë klasa politike është për vazhdimin e dialogut të Brukselit. Ajo thotë se ky dialog duhet të zhvillohet në nivele të barabarta si shtete ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të kontribuojë për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat