Beqaj: Nëse nuk e pranojmë realitetin që na tha ambasadori i Zvicrës, do të fundosemi

Aktuale

Beqaj: Nëse nuk e pranojmë realitetin që na tha ambasadori i Zvicrës, do të fundosemi

Më: 29 mars 2019 Në ora: 20:47
Behlul Beqaj

Njohësi i zhvillimeve politike, Behlul Beqaj ka thënë se atë çka e deklaroi ambasadori zviceran në Skenderaj për veteranët e rrejshëm, e kemi ditur të gjithë.

Beqaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se reagimi i ambasadorit Hubert ka qenë i jashtëzakonshëm dhe pa ekuivokë.

“Ka qenë një reagim në momentin e vonuar, para njerëzve të duhur që përçoi një mesazh jashtëzakonisht të duhur dhe të domosdoshëm”.

Njohësi i zhvillimeve politike ka thënë se reagimi i ambasadorit ka qenë inkurajues, pasi sipas tij të kuptojmë ka ardhur koha për ndryshime.

“20 vite kemi pasur pushtete të ndryshme por nuk kemi rotacione politike. Ndoshta ka hyrë një parti dhe ka dalë një tjetër, por pak a shumë akterët kryesor janë të njëjtit. Këta janë arsye dhe shkak pse kemi ardhë në këtë gjendje”.

Beqaj ka thënë se duhet të kuptojmë mesazhin tjetër që dha ambasadori zviceran në Skenderaj.

“Të ballafaqohemi me realitetin objektiv, i cili nëse nuk ndërpritet do të na fundos definitivisht”.

Ai ka thënë se një ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova e që e përmendi edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, është stërmadhimi i administratës. Kujtojmë që ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet në Skenderaj kishte deklaruar se “nuk është normale që Qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës së buxhetit për veteranët e luftës. Nëse paratë ruhen e nuk financohen veteranë të rrejshëm, do të mund të ndërtoni më shumë se një ujësjellës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat