Gjykata refuzon pezullimin e 19 mijë pensioneve të veteranëve të UÇK’së

Aktuale

Gjykata refuzon pezullimin e 19 mijë pensioneve të veteranëve të UÇK’së

Më: 1 prill 2019 Në ora: 11:13

Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim për kërkesën e prokurorisë e cila kishte kërkuar që pezullimin e përkohshëm të pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve të luftës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë sot vendim refuzues për kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila kishte kërkuar pezullimin e pensioneve për më shumë se 19 mijë veteranë të luftës, deri në përfundimin e procedurës penale.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar avokati i Agim Çekut, Ramë Gashi.

“Po, kërkesa është refuzu nga ana e Gjykatës sot. Prokuroria kishte kërkuar që të pezullohen pensionet për veteranët, por tash gjykata mori vendim refuzues”, tha Gashi.

Javën e kaluar kur ishte mbajtur seanca gjyqësore ndaj rastit të veteranëve, Nasim Haradinaj pati thënë se nëse ndodh ky pezullim i pensioneve për 19 mijë veteranë të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës do të organizojnë protestë të ashpër.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Aktakuza thotë se të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat