Apostolova e pakënaqur me zbatimin e MSA-së

Aktuale

Apostolova e pakënaqur me zbatimin e MSA-së

Më: 1 prill 2019 Në ora: 13:01
Apostolova e pakënaqur me zbatimin e MSA-së

Në tre vjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova nuk u shpreh e kënaqur me atë se çfarë është bërë deri më tani, prej kur edhe ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje.

Sipas saj, MSA nuk sjell vetëm përfitime por është edhe përgjegjësi e madhe për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i bindur, se destinacioni i Kosovës është  Evropa. Sipas shefit të Ekzekutivit, ani pse Kosova është para disa vështirësive kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës është e fokusuar në zbatimin e MSA-së.

Haradinaj: Një plagë e mbetur mes Kosovës dhe BE-së është pamundësia për të lëvizur lirshëm

“Ne tani e kemi përpjesëtuar zbatimin e MSA-së, të ndarë si Era 1 dhe Era 2. Janë disa vështirësi kohëve të fundit, të ndërlidhura edhe me dialogun edhe me proceset tjera që kanë ndodhë. Megjithatë, ju siguroj se Qeveria e Kosovës prapë nuk e heq fokusin në zbatimin e MSA-së dhe njëkohësisht punon shumë ngushtë me gjithë ekipin e ambasadores Apostolova në zbatim të MSA-së, në vlerësim, të marrim sugjerimet... janë partnerë të përditshëm. Ne çdo ditë punojmë bashkë. Një plagë e mbetur në marrëdhëniet Kosovë-BE është pamundësia e qytetarëve të Kosovës me lëviz lirshëm. Unë shprehi falënderim të madh për komisionin edhe komisionerin, për përkrahjen edhe shprehjen e besimit për të drejtën për të lëvizur lirshëm. Më vjen mirë që edhe PE i ka dhënë një përkrahje në shumicë”, tha ai.

Ai në tryezën e organizuar nga Instituti EPIK për trevjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tha se Evropa me hapjen e dyerve për kosovarët do të përfitonte mbi dy milionë turistë.

Haradinaj: Kosova nuk eksporton as refugjatë, e as krim

“Kosova nuk eksporton më as refugjatë, e as krim. Rendi dhe ligji janë në përparim në Kosovë. Fakti se dëgjojmë shumë lajme të këqija, është lajm i mirë. Ju siguroj, që kur dëgjojmë shumë lajme të këqija në Kosovë, është lajm i mirë, çfarë do të thotë kjo, së pari mediat e Kosovës, janë të lira që të raportojnë, e dyta që është me rëndësi, sistemi ligjor i Kosovës  ka avancuar edhe po i hap problemet, po ballafaqohet me to. Pra, të gjitha këto aktakuza, gjithë këto përballje janë dëshmi se Kosova është duke u përballur  edhe nuk po e fsheh më ndonjë defekt ndonjë vepër të paligjshme të askujt”, ka vazhduar Haradinaj.

Sipas shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, MSA-ja është mundësi e madhe por gjithashtu edhe përgjegjësi  për Kosovën, që e vendos atë në pozitë të barabartë me partnerët e tjerë të Ballkanit perëndimor.

Apostolova: I bëjë thirrje Qeverisë së Kosovës të përparojë në inventarin e ndihmës shtetërore

Siç e përmenda më herët, MSA-ja sjell jo vetëm të mirë, por edhe përgjegjësi. Më lejoni të jap një shembull. Sot, 3 vjet që kur MSA-ja ka hyrë në fuqi, afati kohor për të caktuar inventarin e ndihmës shtetërore sapo ka kaluar. Fatkeqësisht, ka pasur progres të paktë në këtë drejtim dhe i  bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përparojë në këtë angazhim. Kosova ka ndërmarrë hapa tjerë seriozë në konkurrencë dhe në të drejtat e pronësisë intelektuale. Pas dy vjetësh, Kosova duhet të garantojë mbrojtje për të drejtat industriale dhe tregtare të pronësisë intelektuale, njëjtë me mbrojtjen që ekziston në BE, duke përfshirë metoda efektive të zbatimit të këtyre të drejtave”, tha ajo.

E pakënaqur doli të jetë edhe me shfrytëzimin e fondeve  të BE-së.

Ndërsa, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, tha se Kosova në këtë proces duhet të jetë transparente dhe llogaridhënëse.

Stjernvall: Është koha të zbatohet MSA-ja

“BE-ja e ka ofruar MSA-në dhe tani është koha të zbatohet ajo, jo për ne por për Kosovarët. Të gjithë këtu shpresojë më të mirën për fëmijët e tyre dhe MSA-ja ndihmon në krijimin e një shoqërie të barabartë, transparente dhe më të mirë. Finlanda dhe shtetet e tjera të BE-së do ju mbështesin në këtë rrugëtim”, tha ajo.

Demush Shasha nga Instituti EPIK, prezantoi studimin e këtij instituti mbi MSA-në.

Sipas tij, pas hyrjes në fuqi të MSA-së, përkrahja financiare e BE-së është rritur në vlerë prej 157 milionë eurove.

Shasha: Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, asistenca buxhetore e BE-së u rrit në vlerë prej 157 milionë eurosh

“MSA me një anë ofron detyrime, por anën tjetër  parasheh asistencë financiare, për të përkrahur Kosovën në këtë rrugëtim. Dhe në këtë drejtim që nga hyrja në fuqi të MSA-së, kemi parë, kemi qenë dëshmitarë, të rritjes përkrahjes, asistencën financiare të BE-së në zbatimin e MSA-së. Në periudhën 2014-2016, para hyrjes në fuqi të MSA-së alokimi financiar ishte për Kosovën 223 milionë, në periudhën 2017-2020, periudha pas hyrjes në fuqi të MSA-së, pamë që buxheti u rrit në vlerë prej 157 milionë euro të tjera, duke e kapur shumën prej 379 milionë që janë afruar Kosovës, për të përkrahur në zbatimin reformal të MSA-së”, ka përfunduar Shasha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat