Haradinaj flet për vizat, tregon kur mund të merret vendimi

Aktuale

Haradinaj flet për vizat, tregon kur mund të merret vendimi

Më: 1 prill 2019 Në ora: 19:03
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur optimist se pas votimit të Parlamentin Evropian, vendimi për heqjen e vizave mund të ndodhë në qershor, por tha se nuk mund të japë një datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Ai këto komente i bëri pas akademisë përkujtimore në nderim të masakrës së Lybeniqit, i pyetur nga mediat se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, pasi tash së fundi PE ka votuar serish pro heqjes së tyre.

Kreu i Ekzekutivit tha se votimi i dytë që ka ndodhur në Parlamentin Evropian për vizat mund të përshpejtojë marrjen e vendimit për qershor, por nuk mund të garantojë se një gjë e tillë mund të ndodhë me siguri.

Haradinaj: Nuk guxoj të jap data, në qershor mund të merret vendimi

“Po punojmë që me ndodh s’mund të garantojmë edhe s’guxojmë me dhanë data se po na kritikojnë, edhe këtu, edhe më larg, po punojmë që të ndodhë, është e drejtë të ndodhë. Besoj që disa sinjale edhe ju po i hetoni, disa zhvillime më të mira, por nuk është punë e kryer. Duhet punuar me kujdes. Shumë ka qenë mirë që është votuar në parlament prapë të BE-së, se sikur të mos ishte votuar është dashur të pritet konstituimi i Parlamentit të ri. Do të thotë nuk humbim kohë. Vota e dytë që ka ndodhur në Parlament të BE-së është pikërisht për të mos humbur kohë. Me votën e dytë është mundësuar që edhe në qershor të merret vendimi”, tha Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se edhe në takimin që ka pasur sot me zyrtarët gjermanë ka kërkuar që Berlini të marrë përsipër t’ua shpjegojë vendeve tjera të Evropës rëndësinë e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që më në fund t’i jepet fund izolimit të lirisë së lëvizjes.

Haradinaj: Meritojmë të lëvizim lirshëm

“Me të drejtë e ka Igori, falënderoj edhe Tanjën dhe të gjithë që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Sot kishim vizitorë të rëndësishëm prej Berlinit, mendoj që nuk jemi në drejtim të keq, por vetët ka shkuar shumë gjatë dhe meritojmë të drejtën të lëvizim lirshëm. Unë i kam siguruar çdo herë se as nuk shkojnë njerëz refugjatë, as nuk shkon krimi atje, por vetëm mundësia e lëvizjes së lirë. Kemi nevojë për një vend sponzorizues me mund këtë ta bëjë Berlini për t’i shpjeguar qeverive të tjera se ka ardhur koha”, tha Haradinaj.

Duke folur rreth çështjeve të pagjeturve, Haradinaj tha se do të ketë një përmirësim ligjor të statusit të kategorive të pagjeturve dhe martirëve.

Haradinaj: Do të ketë përmirësim ligjor të statusit të kategorive të pagjeturve dhe martirëve

“Është një skemë që i trajtoj si kategori me ligj, por është një ligj i mangët shumë, pasi nuk është bërë si duhet në atë kohë. Ne i kemi zgjidhur në mënyrën më të mirë çështjen e viktimave të dhunës seksuale, kategoritë e lirisë, familjet e dëshmorëve, luftëtarët, invalidët, edhe ato janë ligje më të avancuara. E vetmja kategori që ka mbetur janë të pagjeturit, por edhe martirët, pasi edhe kur gjendet i pagjeturi, atëherë familja kalon në kategori të martirit. Jemi duke e përgatitur ligjin dhe besoj që për dy-tri javë do ta kemi në qeveri, por s’po guxoj t’i jap detajet tash që janë në diskutime, por do të ketë një përmirësim ligjor të statusit të kategorive të pagjeturve dhe martirëve”, tha Haradinaj./KosovaPress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat