Afrimi i ri i Thaçit me Haradinajn dhe largimi Veselit…

Aktuale

Afrimi i ri i Thaçit me Haradinajn dhe largimi Veselit…

Më: 1 prill 2019 Në ora: 20:39
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Kadri Veseli mungoi edhe më 24 mars, mungoi edhe sot… ndoshta mungon edhe nesër!

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli ka kohë që nuk është parë krah kryeministrit Ramush Haradinaj. Muaj më parë, të dy këta shiheshin shpesh nëpër tubime e manifestime të ndryshme. Nga pamja e jashtme dukeshin si dy udhëheqës të koalicionit që po kalonin ditët më të mira tënjë “viti të mjaltit”.

Megjithatë, në paraqitjet e fundit publike, Haradinaj në krah tash e ka presidentin Hashim Thaçi, me të cilën, për dallim prej Veselit, pati shumë përplasje publike e private. Por sikur diçka ka ndryshuar në raportet e tyre javëve të fundit.

Presidenti Thaçi e nderoi Haradinajn duke marrë pjesë në shënimin e 21 vjetorit të Betejës së Dukagjinit, apo siç njihet ndryshe “Epopeja e Dukagjinit”. Ai mbajti fjalim para të pranishme dhe ndau dekorata për heronjtë e asaj anej. Gjithçka u duk sikur i takon të kaluares në raportet e acaruara Thaçi-Haradinaj. Presidentit, pas manifestimit, iu rezervua edhe balli i oxhakut në Odën e Haradinajve në Gllogjan ku u shtrua drekë për mysafirët.

Më 24 mars në Gllogjan nuk u pa Kadri Veseli. Ai zgjodhi që atë ditë vikendi ta kaloi në një kafeteri në Shkup me homologun e tij, Talat Xhaferi. Zgjodhi që nga atje t’i thotë disa fjalë falënderimi për Xhaferin dhe shqiptarët e Maqedonisë në 20 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarako-policore serbe.

E për “Epopenë e Dukagjinit”, Veseli nxori një fotografi nga arkivi dhe dy rreshta si postim në llogarinë e tij në Facebook.

Që nga 24 marsi e deri më sot, dy drejtuesit e shtetit, Haradinaj dhe Veseli, nuk janë parë asnjëherë bashkë në publik. Ndryshe ka ndodhur me presidentin Thaçi. I pari i shtetit edhe sot në një far forme tregoi se akujt mes tij dhe Haradinajt sikur kanë filluar të shkrihen. Ai mori pjesë në shënimin e 20 vjetorit të masakrës së Lybeniqit. Kjo ceremoni ishte organizuar nën patronatin e kryeministrit Haradinaj.

Edhe këtu mungoi Kadri Veseli.

Kryekuvendari Veseli duket se ditëve të fundit ka mbetur i vetmuar ose thënë më ndryshe, i anashkaluar, nga dyshja Thaçi-Haradinaj.

Mungesat në tubimet publike ku po marrin pjesë Thaçi dhe Haradinaj, sikur po tregojnë një ‘idhnim’ të Veselit jo vetëm më Haradinajn, por ndoshta edhe me presidentin, shokun e tij të paraluftës, luftës dhe pasluftës.

Hatrimi i Veselit me Haradinajn e ka gjenezën tek deklarimet rreth tarifës ndaj mallrave serbe. Fillimisht ishte Veseli ai që mori bajrakun për vendosjen e tarifës, por pas presionit amerikano-evropian, ai dhe njerëzit e tij dolën kundër Haradinajt duke kërkuar me ngulm pezullimin për 120 ditë.

Kjo deklaratë e nxiti Haradinajn që t’ia thotë disa fjalë “të rënda” në publik atij dhe njerëzve tjerë të politikës si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Megjithatë, Haradinaj këmbënguli dhe vazhdon të mbajë po atë qëndrim të fillimit se taksa nuk pezullohet e as nuk hiqet.

Shtrohet pyetja, a është problemi vetëm i taksës që Veseli është distancuar nga Haradinaj, apo ka edhe diçka më shumë? Këtë përgjigje mund ta marrin në ditët ose javët në vazhdim – Shkuarja në zgjedhje të parakoheshme!

Por, zgjedhjet aktualisht duket se nuk i konvenojnë as pushtetit e as opozitës. PDK-ja e Kadri Veselit dhe LDK-ja e Isa Mustafës janë në proces të zgjedhjeve të brendshme dhe shkuarja në zgjedhje nacionale në këtë kohë nuk është zgjidhja më e mirë. Ndërsa, qarkullojnë zëra se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme në shtator, pasi që deri atëherë këto dy parti i përfundojnë proceset e brendshme zgjedhore. As Vetëvendosje nuk është fort e nxehtë për zgjedhje, duke ditur ndarja e PSD-së ka lënë pasoja goxha të mëdha dhe partia e Albin Kurtit ende s’e ka marrë vetën.

Ndoshta aktualisht zgjedhjet do t’i konvenonin vetëm AAK-së së Haradinajt e deri dikur Nismës së Fatmir Limajt. Për PSD-në e Shpend Ahmetit as që bëhet fjalë. Kjo parti është në konsolidim e sipër dhe në shondazhe nuk qëndron mirë. E ka problem kalimin e pragut zgjedhor prej 5 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat