Kurti-Hrebickova-s: Është thelbësore për Kosovën shkuarja në zgjedhje

Aktuale

Kurti-Hrebickova-s: Është thelbësore për Kosovën shkuarja në zgjedhje

Më: 2 prill 2019 Në ora: 13:56
Kurti-Hrebickova-s: Është thelbësore për Kosovën shkuarja në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot Emisaren Speciale për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë, Janina Hrebickova, dhe zëvendës ambasadorin, Dusan Kralik.

Siç njofton Vetëvendosje, në këtë takim, Hrebickova shprehu mbështetjen e Çekisë për Republikën e Kosovës dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, për demokratizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre në rrugën drejt integrimit të rajonit në BE.

Kryetari Kurti shpjegoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i njëhershëm në BE i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në dekadën e ardhshme, për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe si mënyrë për demokratizimin e mëtejshëm të këtyre shteteve.

Ai shpjegoi nevojën për një plan zhvillimor të BE-së për këto gjashtë shtete duke e lidhur me dialogun nga poshtë-lart, që i bashkon qytetarët përmes zhvillimit.

Ai kujtoi edhe një herë nevojën e madhe për të vlerësuar 33 marrëveshjet e arritura deri më sot mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar se pazari për copëtimin e Kosovës, i ashtuquajtur “shkëmbim territorial” ose “korrigjim kufijsh”, është një plan që ka dështuar.     

“Megjithatë, pushtetarët që e kanë dashur këtë lloj pazari ende nuk kanë hequr dorë nga ideja. Prandaj, është thelbësore që në Kosovë të kemi një qeveri të re me legjitimitet demokratik, gjë që mund të realizohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme”, ka thënë Kurti.

Palët ranë dakord të vazhdojnë të shkëmbejnë ide dhe analiza, me synimin për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Çekisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat