Gurthyesit rrezikojnë jetën e banorëve të Çirezit

Aktuale

Gurthyesit rrezikojnë jetën e banorëve të Çirezit

Më: 2 prill 2019 Në ora: 14:42
Pamje nga mbledhja e komisionit

Banorët e Çirezit po përballen me rreziqe të mëdha gjatë punimeve që po zhvillohen në kodrat dhe shtratin e lumenjve të këtij fshati. Kjo ishte edhe arsyeja e raportimit të sotshëm të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmi Matoshi, para komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

Gjatë këtij diskutimi, u tha se ka probleme me lejet e integruara, sigurinë gjatë minimit si dhe degradimin e lumenjve për shkak të eksploatimit ilegal të zhavorrit gjatë natës nga operatorët.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se nga 112 gurore aktive, 25 prej tyre janë në gjykata.

Ai deklaroi se do të ketë dënime për të gjithë ata operatorë që nuk i janë përmbajtur lejes së punës. Teksa tha se dje, është mbyllur një gropë në Çirez.

Matoshi: Çështja e sigurisë nuk i përket MMPH-s

“Informacionin rreth problemeve në Çirez unë e kam kuptuar nga mediat. Mandej, kam pasur disa kontakte me deputeten Musliu, dhe po ashtu bashkë me të ne i kemi takuar disa përfaqësues nga Çirezi në zyrën time dhe kemi dëgjuar hallet e tyre siç i keni parë në teren. Sa i përket MMPH, ne monitorojmë tri aspekte të gurthyesit, që ndërligjen me ndotjen e ajrit, degradimit të ambientit dhe ndotjen e ujit. Çështjet tjera që janë ngritur si shqetësim nga banorët, që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre gjatë minimit, nuk i përkasin MMPH-s, janë tema të cilat i trajtojnë institucionet tjera... Nga tereni, informacionet që kemi pasur, kemi vërejtur që në këtë zonë ka disa gropa të mbushura me ujë, ku unë i kam parë që kanë paraqit shqetësim dhe rrezik për fëmijët, qytetarët por edhe për kafshët. Inspektimet e fundit lidhur me këtë janë bërë ditën e djeshme dhe jam njoftuar se kët o gropa kanë filluar të mbyllen nga ky operues. Operatori posedon pëlqim nga MMPH-s”, tha ai.

Deputetja nga radhët e PDK-s, Ganimete Musliu, tha se dëshiron të informohet edhe lidhur me zjarret e shumta që po shkaktohen në Kosovë, pasi sipas saj është një gjendje alarmante.

Musliu: Ministri të na njoftojë lidhur me zjarret që po ndodhin në vend

“Kisha pas dëshirë, në bazë të informacioneve që ka nga tereni, ministri të na njoftojë edhe lidhur me zjarret e shumta që po ndodhin në Kosovë, sepse është një gjendje alarmante. Nëse kanë informacion nga tereni, të na njoftojnë se çfarë është duke ndodhur me zjarrin”, u shpreh ai.

E ministri Matoshi tha se kjo nuk është kompetencë e ministrisë që ai e drejton.

Matoshi: Ndezësit e zjarreve në ara gjobiten me nga 100 euro

“Ne e kemi paraparë një nen që u mundëson inspektorëve komunalë, që djegia e hamullishtave të arave të ndëshkohet me 100 euro, aq sa është gjoba më e madhe dhe, këtë e kemi lidhur me ndotjen e ajrit. Si ministër jam shumë i shqetësuar për këtë dukuri që po na përcjell kohëve të fundit... Por, ne nuk kemi ndonjë kompetencë të drejtpërdrejt, as të menaxhimit të kësaj situate, as të pyjeve që po digjen dita ditës", tha ai.

E pyetje të shumta për ministrin Matoshi parashtruan deputetët e këtij komisioni.

Kështu deputeti i VV-së, Liburn Aliu, pyeti nëse do të ishte dashur të pajisej operatori me leje para se të fillojë punimet.

Duke kujtuar se në vitin 2013 ky komision e ka monitoruar çështjen e eksploatimit të zhavorreve, ku sipas tij gjendja kishte rezultuar të jetë alarmante, ai tha se kjo situatë nuk ka ndryshuar as sot.

Aliu: Pse nuk iu ndalet puna atyre që eksploatojnë zhavorre

“Këta operatorë që eksploatojnë zhavorr, a kanë pëlqime mjedisore? Me sa e di unë, nuk kanë. Meqenëse nuk kanë as leje mjedisore e as pëlqime mjedisore, pse nuk iu ndalet puna”, parashtroi ai.

E, ministri Matoshi e pranoi se ka degradim të shtratit të lumenjve për shkak të eksploatimit të zhavorrit. Për të, është debat i gjerë nëse duhet të ketë leje të integruara apo jo. Sipas tij, procedurat e lejeve kanë vazhduar ashtu siç i kanë gjetur. Ai tha se këta operatorë nuk kanë leje mjedisore për shkak se ende nuk e kanë kthyer ambientin siç ka qenë para se të kryhet puna aty.

E, deputeti i PSD-së, Salih Salihu, tha se MMPH duhet të gjejë një strategji se si ta bëjë këtë punë më mirë.

Ai mori shembull Vjenën, kur gropat e rrafshëta janë shfrytëzuar fillimisht për punë e më pas si liqene akumuluese që tani shërbejnë për rekreacion. Teksa pyeti se sa gjoba janë shqiptuar gjatë vitit 2018 ndaj operatorëve që shfrytëzojnë zhavorrin nëpër kodra.

Salihu: Sa gjoba janë shqiptuar në vitin 2018

“Sa gjoba i keni shënuar ju në vitin 2018 ndaj operatorëve që shfrytëzojnë edhe zhavorrin nëpër kodra, por edhe nëpër lumenj. Dhe, a e shihni veten që jeni duke kontribuar në ndotje të ambientit”, u shpreh ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e VV-së, Salih Zyba pyeti se a është e vërtetë që në teren operojnë 200 operatorë.

Kurse deputeti i AAK-s, Muharrem Nitaj, shprehi shqetësimet e tij për sigurinë e banorëve të fshatit Çirez, çka sipas tij, do të duhej të aktivizonte Ministrinë e Mjedisit.

Nitaj: Në oborret e shtëpive në Çirez kemi parë gurë të përmasave të tmerrshme

Video 

“Cilat janë instrumentet e MMPH-s, që të angazhojë një komision profesionistësh, të cilët do të mund të bënin matjet e ujit dhe të ambientit e të zhurmës... Atje kemi parë gurë të përmasave të tmerrshme që iu kanë rënë njerëzve nëpër oborre”, tha ai.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe kryeinspektori Fatmir Gërguri, i cili tha se në rast të ndonjë fatkeqësie me fatalitet përgjegjësia bie mbi ndërmarrjen minuese ose gurthyese. 

E deputeti Liburn Aliu adresoi edhe një çështje tjetër.

Aliu: Me e pas mbyt guri dikë, a i kishit mbyllë veprimtaritë

Video 

“Këtu e kam problemin kryesor, ka ra guri 350 metra larg, kanë ra edhe të vegjël, ka mujtë me e mbyt dikë. Tash se kemi pasur fat që se ka mbytur dikë, se po ta kish mbytë dikë e kishit mbyllë a po? Nuk duhet me prit rastin e vdekjes për me marrë masa”, tha ai.

E, kryeinspektori Fatmir Gërguri tha se do t’i marrin të gjitha masat që të mos lejojnë nj gjë të tillë.

Gërguri: Do të marrim masa konkrete që të mos ndodh një gjë e tillë

Video 

“Zotri deputet unë nuk dua të bastardoj dialogun për çështje të cilat na takojnë, s’po dua me thënë diçka krejt të kundërt. Neve, nuk mundem me e ndal komunikacionin kur na vdesin 2-3 veta. Por, duhet me marrë masa për t’i parandaluar këto dhe kemi me marrë masa konkrete që mos të ndodhë një gjë e tillë”, tha kryeinspektori.

Ndryshe, me kërkesë të deputetëve, çështja e hidrocentraleve ka mbetur të diskutohet në një mbledhje të radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat