Thaçi: Ejup Runjeva ishte model i luftëtarit të lirisë

Aktuale

Thaçi: Ejup Runjeva ishte model i luftëtarit të lirisë

Më: 2 prill 2019 Në ora: 15:58
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore të 6-vjetorit të ndarjes nga jeta të luftëtarit të UÇK-së, Ejup Runjeva.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Ejup Runjeva ishte prej veprimtarëve të parë që iu bashkëngjit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë pjesë të Kosovës.

“Ejupi ishte luftëtar i orëve të para dhe shquhej për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme të mobilizimit, afrimit, urtësisë dhe trimërisë në veprimet e tij. Ai ishte modeli i luftëtarit të lirisë. Modeli i një luftëtari që na duhej në atë kohë, i duhej kauzës, i duhej qëllimit tonë për liri, për pavarësi dhe idealit madhor për bashkim kombëtar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke sjellë kujtimet më të mira për të, për trimërinë dhe rolin e tij udhëheqës në shumë angazhime, beteja, por edhe udhëtime të përbashkëta, presidenti Thaçi ka thënë se ka pasur nderin të kaloj me të në shumë angazhime të përbashkëta.

“Kam pas nderin që të kaloj së bashku me të në shumë angazhime të përbashkëta, të jemi së bashku përgjatë tërë bjeshkëve të Sharrit edhe në shi, edhe në borë, edhe në acar dhe vapë, gjithmonë në krye të kolonës edhe në maje të Lubotenit”, ka thënë ai.

Kreu i vendit ka shtuar se sot me krenari përkujtojmë atë sakrificë të madhe të Ejupit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Ballëlartë qëndroi në luftë. Ballëlartë qëndroi pas luftës. Edhe pse u arrestua dhe u dënua padrejtësisht, përsëri ideali, aspirata dhe kauza e tij fituan. Gjithashtu, vlerësoj lartë rolin e Ejupit në krye të shoqatave të luftës, pas luftës, për t’u përballur me shumë padrejtësi, por edhe për t’u përkujdesur për çdo luftëtar brenda mundësive, potencialeve dhe kapaciteteve që kishte”, ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi theksoi se Ejupi vdiq në moshën më të mirë, kur ende kishte mundësi, potencial dhe kapacitet t’i shërbente vendit tonë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat