Edhe djali i motrës së Fatmir Limajt në Ekip Negociator

Aktuale

Edhe djali i motrës së Fatmir Limajt në Ekip Negociator

Më: 2 prill 2019 Në ora: 19:50
Fatmir Limaj

“Me NISMËN në Qeveri çdo familje do ta ketë nga një të punësuar”

Ky ishte një nga sloganet e fushatës zgjedhore të fundit të Nismës.

Nëse jo për familjet e tjera, kreu i saj Fatmir Limaj, këtë synon ta realizojë me njërin prej familjarëve të tij.

Endrit Zabërgja, djali i motrës së Limajt, është propozuar që të punësohet në Zyrën e Koordinatorit Administrativ, pranë Ekipit negociator.

Atij i është rezervuar pozita e këshilltarit politik profesional, duke iu caktuar paga 800 euro.

Në këtë propozim-vendim, Limaj dhe Ahmeti kanë propozuar bashkëpartiakë dhe militantë të Nismës e PSD-së për t’u bërë pjesë e ekipit.

Aty kanë ndarë hisen për të rehatuar njerëz të partive përkatëse, shkruan KTV.

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka arsyetuar punësimet politike duke thënë se edhe dialogu është i tillë.

Por, ka shtuar se koordinatori i kësaj zyre nuk do të jetë as nga NISMA e as nga PSD-ja.

“Ekipet janë profesionale, por edhe politike, sepse dialogu është politik. Ka logjikë që ka bashkëpartiakë. Për koordinator e kemi lënë të hapur pasi mundësia ka qenë të koordinohen nga PDK-ja e të vijnë edhe ekspertë tjerë. Ne, si Qeveri, e përkrahim funksionimin e kësaj zyre, por s’jam në dijeni të të gjithë procesit, sepse është punë e bashkëkryesuesve. Mua më duhet tash ta dërgoj një përfaqësues pasi Avni Arifi shkon”, ka thënë Haradinaj.

Derisa ende nuk është emëruar koordinatori i kësaj zyreje, zëvendës-koordinator administrativ është propozuar Ilir Cacaj, të cilit paga bruto i është propozuar 1 mijë e 50 euro.

Dy bashkëkryesuesit e ekipit të dialogut, kanë vënë nënshkrimet e tyre për t’i emëruar 14 persona si staf administrativ derisa lista ende nuk është votuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat