Demaliaj: Jo kryeministër s’jam idhnuar, politikisht kam thënë që kisha punësu veç njerëz të AAK-së

Aktuale

Demaliaj: Jo kryeministër s’jam idhnuar, politikisht kam thënë që kisha punësu veç njerëz të AAK-së

Më: 2 prill 2019 Në ora: 19:55
Shkumbin Demaliaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj në një deklaratë dhënë ka folur për deklaratat e mëhershme të tij për punësimin e anëtarëve të partisë së tij. Demaliaj, ka folur edhe për kundërpërgjigjen e kryeministrit se ndoshta ai ka qenë i idhnuar kur ka thënë ashtu…

Deputeti nga radhët e AAK’së, Shkumbin Demaliaj ka thënë sot përsëri se përpos njerëzve të AAK’së nuk ka dëshirë tjetër kush të punësohet në institucione publike.

Ai këtë e arsyeton duke thënë se nuk do t’i ndihmojë njerëzit e tjerë që kanë kundërshtuar programin e AAK’së.

“Asnjë njeri përpos Aleancës nuk kisha pas qef me pa në punë në Kosovë, pse unë më ndihmu tjetër këndë që ma ka kundërshtu programin e Aleancës, unë I jap përparësi njerëzve të Aleancës”, tha Demaliaj.

Kjo deklaratë e tij bëri bujë të madhe nëpër media sot.

Por, në një deklaratë dhënë Periskopit, Demaliaj thotë se mediat po u japin zjarr deklaratave të tij, duke i keqinterpretuar ato.

“Nuk është deklaratë e imja. Është deklaratë e portaleve. Deklaratat e mia i gjeni te transkripta e komisionit. Unë thjesht i jam përgjigj deputetit Frashër Krasniqi dhe kundërshtimit të tij se pse unë me qenë në komision hetimor parlamentar, ndonëse gjithçka është në funksion të ligjit dhe barazisë. Mediat po i keqinterpretojnë deklaratat. Në transkripta i gjeni të vërtetat. Se mediat po i japin zjarr kësaj pune, sepse unë jam njohës i mirë i legjislacionit. Është ndikim i drejtpërdrejt nëse shkon ashtu siç po thonë mediat, që po duan të shesin lajm”, ka thënë Demaliaj.

Ai ka thënë se nuk ka qenë i idhnuar me askënd, teksa ka folur për reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj deklaratave të tij.

“Kryeministri nuk e ka pa deklarimin tim të saktë. Kryeministri e din që unë nuk veproj ashtu, e lëre me mendu, se unë jam njohës i legjislacionit. Kryeministrit i kanë shku shpejt gazetarët, e ai s’ka pas mundësi me i pa deklaratat e mia. Ai e ka respektuar mendimin tim edhe në rast se unë kisha qenë i idhnuar, por në të vërtet s’kam qenë i idhnuar. Kam përgjegjësi të plotë kur deklaroj diçka. Unë e kam thënë atë në kuptim politik. Kam thënë që me mujt sot i shti në punë krejt të Aleancës. Edhe në kushte të barabarta e ligjore, ju kisha dhënë përparësi të Aleancës për shkak se të tjerët nuk e kanë përkrah programin e partisë tonë. Ajo është e vërtet, por e thënë politikisht, pasi në kuptim të përgjithshëm, ligji është i barabartë për të gjithë”, ka thënë ai tutje.

Ndërkohë ndaj deklaratave të tij sot është distancuar kryeministri Haradinaj.

“Distancohna prej kësaj, nuk mendoj se as Demaliaj mendon ashtu, as nuk mendon në këtë Kosovë normal ashtu në Kosovë të gjithë duhet me pasë punë, nuk mendon askush ashtu.”, ka thënë Haradinaj, derisa ka shtuar se ‘ndoshta ka pasë naj idhnim Demaliaj”

Deputeti Demaliaj edhe më herët ishte kritikuar për deklarata të tillë.

Javë më parë ai kishte thënë që sa herë të ketë mundësinë do të punësonte vetëm njerëz të AAK’së dhe jo të tjerë.

Demaliaj njihet për gjuhën e ashpër, ai madje kishte kërcënuar në një emision televiziv edhe prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat