Mustafa i reagon Matoshit: S’ke përgatitje akademike me ba analiza ekonomike, edhe kolegët e tu thonë se...

Aktuale

Mustafa i reagon Matoshit: S’ke përgatitje akademike me ba analiza ekonomike, edhe kolegët e tu thonë se...

Më: 2 prill 2019 Në ora: 21:07
Mustafa dhe Matoshi

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në një deklaratë i është kundërpërgjigjur sulmeve të këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshit, i cili në një publikim në rrjetin social, Facebook shkroi se kryetari i LDK’së, Isa Mustafa po manipulon opinionin kur po thotë se Kosova ka humbur 17 mijë vende të punës për një vit.

Mustafa ka thënë se reagimet e Matoshit janë krejtësisht politike, pasi ai nuk di të bëjë analiza ekonomike, pasi nuk është ekonomist.

“Halil Matoshi e ka qit një fotografi të raportit, ndërsa nuk ka ba analizë ekonomike. Unë e kuptoj se nuk e ka përgatitjen akademike e profesionale me ba analiza ekonomike, pasi është gazetar me profesion, gjë që është shumë në rregull. Por, ne jemi ekonomistë dhe është e vërtet se papunësia ka rënë 1 për qind, mirëpo punësimi, sa mijë njerëz janë punësuar është zvogëluar në dhjetor të 2017’tës kanë qenë 357 mijë, ndërsa në dhjetor të 2018’tës kanë qenë 349 mijë. Shumë më pak pra. Këta janë numra të ASK’së, nuk janë numra tonët. Ndërsa, Banka Botërore thotë se në dhjetor të 2018’tës, për dallim prej dhjetorit të vitit 2017, janë 17 mijë vende pune më pak. Ata nuk po bëjnë manipulim, e s’po bëjnë as analizë të shifrave ekonomike, veç po japin deklarime politike, pa analizë ekonomike”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë tutje se edhe sipas kolegëve të Halil Matoshit, që punojnë në Agjencinë e Statistikave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Është vetë Agjencia e Statistikave të Kosovës që thotë se në vitin 2018, dhjetor, krahasuar me dhjetor të 2017’tës, d.m.th gjatë 2018’tës i kemi humb 8 mijë vende të punës. Kjo është raport i ASK’së, Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Pastaj po flasim për vitin 2018, që sipas Bankës Botërore janë humb 17 mijë vende të punës. Sipas tabelave të ASK’së që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pra janë kolegë të Halil Matoshit, janë humb 8 mijë vende të punës. Tash kah po i nxjerrin ato të dhëna se janë shtuar vendet e punës, atëherë nuk e di çfarë llogaritje po bëjnë ata”, ka thënë Mustafa tutje.

Ndërkohë, këshilltari i kryeministrit Mustafa pretendon se kryetari i LDK’së, Isa Mustafa po tenton të manipulojë publikun sepse, sipas tij, nuk është rritur papunësia gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.

Matoshi ka thënë se në bazë të Anketës së publikuar sot (2 prill 2019) nga ASK rezulton se krahasuar me vitin 2017 (Qeveria Mustafa) kur shkalla e papunësisë ishte 30.5 % kurse në vitin 2018 (Qeveria Haradinaj) është 29.6 që dmth është nje gjendje stabile, me një ulje të shkallës së papunësisë prej rreth 1 %.

“Nga e nxjerr Isa Mustafa konstruktin për humbjen e 17 mijë vendeve të punës më 2018? Pretendimi i liderit të LDK-së Isa Mustafa se gjatë vitit 2018 janë humbur 17 mijë vende të reja pune është manipulim i publikut sepse kjo nuk buron nga Anketa e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila është publikuar sot. Duke e vlerësuar deklaratën e liderit të LDK-së Mustafa se është lajm i mirë që Kosova vazhdon të kryesojë në rajon për rritjen ekonomike, duhet theksuar se lajmi i mirë për rritjen ekonomike nuk po i përputhet me lajmet – sipas tij të këqija – që kinse në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte!??? Këtu ka diçka që nuk shkon. Si është e mundur të konstatohet nga Banka Botërore rritja ekonomike në Kosovë më e madhja në rajon dhe njëherit po sipas raportit në fjalë paska ndodhur zvogëlim i vendeve të reja të punës dhe rënie të investimeve të huaja direkte? Në bazë të Anketëd së publikuar sot (2 prill 2019) nga ASK rezulton se krahasuar me vitin 2017 (Qeveria Mustafa) kur shkalla e papunësisë ishte 30.5 % kurse në vitin 2018 (Qeveria Haradinaj) është 29.6 që dmth është nje gjendje stabile, me një ulje të shkallës së papunësisë prej rreth 1 %”, ka shkruar Matoshi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat