MAShT pranon plotësimin e kërkesave të SBAShK-ut për kompensim të vetëm një jave mësim

Aktuale

MAShT pranon plotësimin e kërkesave të SBAShK-ut për kompensim të vetëm një jave mësim

Më: 3 prill 2019 Në ora: 10:13

(E plotësuar) - SBAShK-u i ka vendosur dy kushte Ministrisë së Arsimit për të zëvendësuar vetëm një javë të mësimit të humbur gjatë grevës. Tërheqja e vendimit për kompensim të orëve dhe plotësim-ndryshimi i ligjit për paga që të ketë rritje të koeficientit për mësimdhënësit e klasave nga 1-5, janë kushtet që Ministria e Arsimit është zotuar t’i plotësojë në mënyrë që SBAShK-u të merr vendim për kompensim të orëve.

Pas një takimi prej dy orësh të mbajtur mes Komisionit Parlamentar për Arsim, ministrisë, SBAShK-ut dhe Këshillit të Prindërve, është arritur vendimi që të plotësohen të dy kërkesat e SBAShK-ut që pastaj të bëhet zëvendësimi i vetëm një jave të mësimit të humbur.

Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, tha se nuk janë duke i shfrytëzuar fëmijët për të bërë pazare, pasi sipas saj, përgjegjëse për humbjen e orëve janë institucionet e Kosovës.

Shala: Do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit shkollor

“Ministri u deklarua se do ta bëjë se do ta bëjë tërheqjen e vendimit për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës. Njëkohësisht kryetari i komisionit për Arsim premtoi se do të filloi iniciativa për plotësim ndryshimin e ligjit të pagave, e në veçanti koeficientin për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5, që të jetë i barabartë me koeficientin e mësimdhënësve të nivelit të mesëm të ulët 6-9. Andaj në momentin që do të bëhet ky plotësim ndryshimi i ligjit të pagave atëherë ne do ta ftojmë Këshillin drejtues, edhe pse paraprakisht jemi konsultuar me kryetarët e sindikatave komunale, e ata me kryetarët e sindikatave të shkollave që kanë paraqitur zërin e mësimdhënësve që do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit shkollor”, tha ajo.

Po ashtu, ajo u shpreh se mësimdhënësit do të angazhohen në realizimin e plan programit mësimor dhe gjithashtu në arritjen e rezultateve të pritshme për këtë vit shkollor.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thënë se janë të interesuar që të gjejnë mënyrën më të përshtatshme, vetëm që nxënësit të mos dëmtohen. Ai u shpreh se është më rëndësi që të gjendet një formë e re për kompensimin e orëve dhe se janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat e SBAShK-ut.

Bytyqi: Çfarë do formë që është më e mira për nxënësit tanë ne jemi të gatshëm ta bëjmë

“Ne nuk kemi qenë në garë me askënd, duhet të jemi të qartë sepse ne i respektojmë procedurat ligjore, jemi të thirrur për të respektuar ligjet të cilat janë në fuqi. Ne mund të marrim një vendim tjetër, sepse asnjë ndryshim i orarit të vitit kalendarik nuk mund të bëhet pa një vendim të ministrit. Vendimi i parë ka ardhur si propozim nga DKA-të, tani e kemi një propozim të ri që ka dal sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, jemi të gatshëm ta respektojmë sepse ne nuk punojmë për inate, ne jemi për të mirën e nxënësve tanë. Çfarë do formë që është më e mira për nxënësit tanë ne jemi të gatshëm ta bëjmë”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Arsim, Ismaj Kureshi, ka thënë se me dakordimin që ministria të plotësojë kërkesat e SBAShK-ut, këta të fundit nuk kanë asnjë arsye që të mos i zëvendësojnë orët e humbura.

Kurteshi: Pas kërkesave të plotësuara nuk ka asnjë arsye që të mos i zëvendësojnë orët e mësimit

“Pas kërkesave të plotësuara të tyre nuk ka asnjë arsye që të mos i zëvendësojnë orët e mësimit. Janë dy kërkesa të tyre edhe se kërkesa për plotësim ndryshimin e ligjit është iniciativë e Komisionit para se të vije si kërkesë, por natyrisht tash është kërkesë edhe e tyre dhe ne do ta plotësojmë dhe do të fillojmë procedurat në momentin kur ligji e lejon një gjë të tillë. Ne nuk kemi hyrë në pazare, ne jemi për zëvendësimin e mësimit ashtu siç është propozuar nga Komisioni për Arsim, një plan i punës që është shumë i arsyeshëm. Ne nuk bëjmë pazare me fatin e fëmijëve tanë”, tha Kurteshi.

Kujtojmë se në fillim të gjysëmvjetorit të dytë për tri javë mësimdhënësit kanë qenë në grevë, ku kanë kërkuar rritje të koeficientit. Më pastaj, Ministria e Arsimit kishte vendosur që orët e humbura të kompensohen gjatë pushimit pranveror, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur./

SBASHK dhe MASHT afër marrëveshjes për kompensimin e orëve

Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u janë afër marrëveshjes që të bëhet kompensimi i orëve.

Pas takimit te sotëm ministri i arsimit Shyqiri Bytyqi, është zotuar që të tërheq vendimin për kompensimin e orëve dhe do të punohet për ndryshimin e koeficientit për mësimdhënësit e klasave 1 deri në 5, e nëse këto kërkesa realizohen atëherë SBASHK-u do të bëjë kompensimin e një jave të mësimit pas përfundimit të vitit shkollor.

Kryetari i komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka treguar kërkesat e SBASHK-ut.

"Dy kërkesat e SBASHK-ut tanimë janë të plotësuara, sepse ministria është e gatshme vendimin e marrë ta tërheq dhe të gjejnë një zgjidhje me SBASHK-un. Kërkesa e dytë, plotësimi i ligjit për paga sa i përket nivelizimit të pagave të mësimdhënësve nga klasa e parë deri në klasën e 5-të. Këto kanë qenë dy kërkesat e SBASHK-ut", tha Kurteshi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se si ministri janë të gatshëm të flasin për kompensimin e orëve.

"Siç e kemi marrë vendimin e parë me një formulë e cila është paraqitur nga drejtorët e DKA, po të njëjtën mund ta tërheqim dhe të gjejmë një formë tjetër. Ne jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje dhe të mos dëmtohen nxënësit", tha ai.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se vetëm një javë do të kompensohet nëse përmbushen kërkesat e tyre.

 "Ministri u deklarua se do ta bëjë tërheqjen e vendimit për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës. Njëkohësisht na u premtua se do të bëhet ndryshimi i koeficientit për mësimdhënësit 1-5. Në momentin kur realizohen këto kërkesa ne do t ftojmë këshillin drejtues dhe do të marrim vendim dhe do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit mësimor", tha ajo.

***

Komisioni parlamentar për Arsim ka filluar takimin për të diskutuar për kompensimin e orëve të humbura nga greva e mësimdhënësve.

Kryetari i këtij Komisioni, Ismajl Kurteshi, ka thënë që janë të brengosur për gjendjen aktuale në arsim.

“Nëse palët ndihen më të lira për të biseduar pa praninë e mediave atëherë lus mediat ta lëshojnë sallën dhe deklaratat për rrjedhën e kësaj mbledhje do t’i merrni pas përfundimit”, tha ai.

***

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi diskuton lidhur me kompensimin e orëve të humbura nga greva e mësimdhënësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat