Osmani: Thaçi është takuar fshehtas me Vuçiqin, ma kanë konfirmuar disa njerëz

Aktuale

Osmani: Thaçi është takuar fshehtas me Vuçiqin, ma kanë konfirmuar disa njerëz

Më: 3 prill 2019 Në ora: 23:55
Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar fshehurazi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Romë, dhe se kjo i është konfirmuar asaj nga disa persona.

Osmani ka deklaruar në “Interaktiv” të se Thaçi ka tentuar vazhdimisht që idenë për ndryshime kufijsh ta shesë kinse se është ide që përkrahet plotësisht në Kosovë. Ajo e ka quajtur këtë ide ruso-serbe me synim destabilizimin e rajonit.

Osmani ka thënë se zbehja e diskutimeve të shumta për kufijtë ka ardhur për shkak se është kuptuar që Thaçi është i vetëm në këtë ide dhe se nuk e ka as përkrahjen e qeverisë e as të Kuvendit. Megjithatë, ka thënë se duhet të mos konsiderohet si temë e vdekur.

“Presidenti siç e dini ka mbajtur një sërë takimesh të fshehta me Vuçiqin përfshirë në Itali, Romë, që janë konfirmuar përmes disa kontakteve. Edhe vetë e kishte konfirmuar, por ka ikur si informatë. Ai e quan takim prapa kamerave, por s’mundet të mbajë një president i një vendi takime të tilla të fshehta me presidentin e një vendi që e konteston shtetësinë tënde dhe të mos e informojë askënd në Kosovë se çfarë është folur aty. Është qesharake edhe ai dokumenti 7-8 faqësh që presidenti ua ka dhënë Delegacionit shtetëror kinse ai qenka raporti i tërë për më shumë se një vit e gjysmë negociata të fshehta kur dihet mirë se ai ka hapur temën e kufijve”, ka shtuar Osmani.

Ajo më tej ka thënë se përtej idesë së kufijve atakohet komplet sovraniteti i Kosovës. Sipas saj, Gjermania tashmë e ka kuptuar se kjo ide është destabilizuese, ndërsa një mesazh të tillë ka thënë se po ia përcjellin vazhdimisht edhe SHBA-së. Ajo ka shtuar se SHBA-ja ka thënë se i ka dy parakushte për dialogun, e para që në Kosovë të ketë pajtueshmëri për marrëveshjen dhe e dyta që e ruan stabilitetin në rajon. Këtu ka shtuar se kushdo që e njeh rajonin e di se ndryshimi i kufijve gjithmonë ka çuar në gjakderdhje e destabilizim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat