Lutfi Haziri i kundërpërgjigjet ashpër Vjosa Osmanit për akuzat ndaj tij

Aktuale

Lutfi Haziri i kundërpërgjigjet ashpër Vjosa Osmanit për akuzat ndaj tij

Më: 4 prill 2019 Në ora: 09:17
Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, është deklaruar për akuzat që mbrëmë ia bëri bashkpartiakja e tij, Vjosa Osmani.

Haziri, në një bisedë, ka thënë se ende nuk ka pasur mundësi që t’i dëgjojë deklarimet e Vjosa Osmanit, dhe do t’i komentojë në momentin që do të ketë mundësi ta shohë ato.

“Nuk e kam pa çka ka thënë Vjosa. Unë e respektoj mendimin dhe deklarimin e saj. Kaq mund të them. Tani për tani i kam punët e mia dhe kurdo që të kem mundësi që t’i shohë deklarimet e saj do të flas.”, ka thënë Haziri, teksa është përgjigjur edhe në pyetjen se a e zbehë kandidimin e tij për kreun e LDK-së, fakti që ai ka marrë 12 mijë vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.

“Sinqerisht nuk po dua të flas. Kur të informohem për atë se cka ka deklaruar, ne dëgjohemi prapë edhe flasim“, ka thënë Haziri.

Haziri ditë më parë, ia kishte përmendur Osmanit, “dështimet e saj brenda LDK-së”.

Kryetari i Gjilanit, kishte thënë se Osmani ka dështuar me kandidimin për deputete në listën e ish-kryetarit të LDK-së Fatmir Sejdiu dhe më pas kishte favore në lista për t’u bërë deputete.

Këtyre deklarimeve të Hazirit, i është përgjigjur mbrëmë Vjosa Osmani.

“E para presidenti Sejdiu i ka pas dy lista. Më 2007 kam pas fokus tjetër sepse po punoja në zyrën e presidentit. Isha e propozuar për KQZ, pastaj ishte dashtë formalisht të plotësohej numri në listë. Ishte një proces ku në fakt s’kam garuar. E kam rezultatin e vërtetë të 2007-shit dhe atë që është publikuar. Janë në dijeni të gjithë. Kam pas detyrë më të rëndësishme sepse ishte procesi i pavarësisë dhe kam tentuar të vazhdoj atë. Më 2010 isha po ashtu në listë të presidentit Sejdiu. Ajo u mor e gatshme nga Isa Mustafa që u zgjodh kryetar. Dhe me tri katër ndryshime të vogla është dërguar në KQZ. I kam marrë 10 mijë vota”, ka thënë Osmani.

Ajo më tej ka thënë se në Gjilan, komunë ku tash kryetar është pikërisht Lutfi Haziri, ka pas raste kur procesverbalet ishin shkatërruar në faqen ku ishte numri i saj.

“Në vitin 2014 i kam marrë 40 mijë vota, e më 2017 i kisha 65 mijë vota. S’po flas për shumë procesverbale kryesisht nga Gjilani ku faqja e dytë ishte shkatërruar sepse ishin numrat 81 e te poshtë. Procesverbalet janë publikuar nga ana e KQZ-së. S’kam ndier asnjë nevojë për të gjitha ato prova që i kam akoma të ankohem në KQZ sepse prapëseprapë pata dal më e votuara dhe s’e kam pas të arsyeshme. S’janë dyshime, por dokumente të publikuara nga KQZ-ja. Mungon faqja e dytë e procesverbalit jo vetëm nga Gjilani, por të mos hymë andej”, ka shtuar ajo.

Osmani më pas ka thumbuar Hazirin duke thënë se “ata që duhet të brengosen për veten janë ata që kanë hipur lartë jo për ndonjë meritë të veten, e më pas kanë rënë vazhdimisht dhe e kanë humbur besimin e popullit”.

Duke folur për votat, ajo ka thënë se Haziri vetë ka pas hapësirën e tij në listë, por mezi ka marrë 12-13 mijë vota dhe më pas kishte refuzuar të kandidonte për kryeministër në emër të LDK-së.

“Është e vërtetë që jam propozuar nga Mustafa në numrin 3. I pata marrë 40 mijë vota. Pse nuk i mori numri 2 apo 4. Në vitin 2017, jam fut numër 81 në listë dhe i kam marrë 65 mijë vota. Prapë po ankohen. Kur isha numër 3 thoshin se ishe në krah të Mustafës, tani 81 sepse s’ke qenë në krah të tij. Kurrë s’po ju bie tamam. Këtë logjikë e refuzoj. Ajo që më pengon është mënyra se si tentohet të shitet kjo dezinformatë sepse mendojnë se qytetarët janë jointeligjentë e mund të mashtrohen. Por qytetarët janë më të mençur se shumë politikanë. S’ka qenë kurrë numri determinues. Sikur të ishte, zoti Haziri, me numrin gjashtë, mezi i pati marrë 12-13 mijë vota kur garoi për herë të fundit për deputet”, ka shtuar Osmani. “Duhet të prezantohet platformë e të mos merren me shifra sepse mund ta pyes pse e refuzoi kandidaturën për kryeministër kur partia ia propozoi më 2017 e shumëçka tjetër, por këto janë tërësisht të parëndësishme në krahasim me krizën e që mund të ndalet nëse LDK-ja ka ekip fitues”, ka përfunduar Osmani.

Lutfi Haziri, tanimë ka shpallur kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ani pse të tjerët ende nuk e kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën për kreun e partisë, flitet se kësaj gare do t’i hyjë sërish edhe kryetari aktual, Isa Mustafa.

Vjosa Osmani, përmendet si një kandidate potenciale për t’u bërë kryetare e Lidhjes Demokratike, teksa ekziston mundësia që në garë të futet edhe ish-kryetari, Fatmir Sejdiu./Blic

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat