Haradinaj: Ne nuk jemi qeveri që vajtojmë

Aktuale

Haradinaj: Ne nuk jemi qeveri që vajtojmë

Më: 4 prill 2019 Në ora: 12:27
Ramush Haradinaj

Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023, ka katër objektiva kryesore, ku më e rëndësishmja është rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikë-bërje, por shoqëria civile shprehet skeptike se sa është e mundur të bëhet pjesë e saj duke thënë se ka mungesë të transparencës.

Ndër objektivat tjera të kësaj strategjie janë rritja e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik për OSHC-të, zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktimin e OSHC-ve për ofrimin e shërbimeve publike, dhe rritja dhe promovimi i vullnetarizmit në programet me interes publik.

Me rastin e lansimit të kësaj strategjie, Taulant Hoxha, përfaqësues i CiviKos-it, ka thënë se organizatat e shoqërisë civile janë të shqetësuara dhe të dëshpëruara lidhur me shpresën e këtij bashkëpunimi, shoqëri civile-Qeveri.

Ai tha se do të ketë shumë probleme për të diskutuar për një bashkëpunim të mirëfilltë në kohën kur deputetët e kanë aprovuar një ligj që rrezikon ekzistencën e OJQ-ve.

Hoxha: Transparenca dhe llogaridhënia kanë ngecur

“Është shumë e vështirë për të qenë me shpresë për një bashkëpunim të mirëfilltë, kur transparenca dhe llogaridhënia po mbesin aty ku kanë qenë para 10-15 vitesh, në vend që të avancohen në përgjithësi përgjatë institucioneve publike. Ku kontributet e shoqërisë civile i nënshtrohen dialogut me Serbinë, raporteve me Serbinë, marrëdhënieve politike, anëtarësisë së partive politike përtej fakteve dhe propozimeve që ne i ofrojmë. Këto po i them përsëri për të qenë pionier të bashkëpunimit dhe bartës të flamurit të bashkëpunimit të strukturuar shoqëri civile-Qeveri. Kohëve të fundit e kemi shumë të vështirë që t’i bindim organizatat tjera që të na bashkohen në tavolinë për të pa efekt dhe rezultat të bashkëpunimit tonë. Gjatë këtyre 12 vjetëve në këtë tavolinë jemi ulur shumë prej nesh, por një gjë që e kemi të përbashkët janë qytetarët. Nëse nuk i kemi qytetarët afër dhe mbrapa nuk ka kuptim bashkëpunimi jonë dhe në përgjithësi besimi në jetën publike, në institucione ka rënë shumë, është dramatik dhe po na e sfidon angazhimin tonë të përbashkët”, tha Hoxha.

Për këtë humbje të besimit, Hoxha tha se përgjegjësia kryesore është e atyre që kërkojnë mandate udhëheqëse dhe e marrin mandatin nga qytetarët.

Ai tha se do të vazhdojnë të angazhohen për të bërë këtë bashkëpunim që të japë rezultate konkrete, por ai tha se shpreson që pas disa vitesh do të bisedojnë se Qeveria vërtet ka ndarë buxhet për zbatimin e strategjisë, të flasin për atë se si zyrtarët publik kanë prirë në seriozitetin gjatë takimeve dhe punës që e kanë pasur.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk janë një Qeveri që vajton, por një Qeveri që përballet me të gjitha problemet e vendit.

Haradinaj: Jemi një Qeveri që përballet me krejt problemet e vendit

“Nuk është një Qeveri që vajton, nuk jemi vajtues, jemi një Qeveri që përballet me krejt problemet e këtij vendit. Për shembull, sa i përket Taulantit dhe kritikave të tij, nëse bënë me listë atu ku mund të mendoj që Qeveria mund ta ndryshojë gjendjen të na i thotë me listë. Ka ndonjëherë që nuk mundemi me u përgjigj, pra nepotizmi ose këto punësimet e tjera që kanë ndikuar negativisht, ndoshta aty është më zor, por janë plot tema që mund të jem me ju dhe unë i mirëpres mendimin e juaj. Sa i përket normatives, unë nuk e mendoj marrëdhënien Qeveri dhe shoqëri civile si përshtatje të plotë, as ju nuk duhet të bëheni Qeveri krejt, po as ne krejt shoqëri civile. Besoj e kuptoni pse e them këtë. Ne do të takohemi në mes edhe me normativë edhe me resurse dhe me të gjitha", tha ai.

Kreu i Qeverisë duke përmendur aksionin e organizuar për pastrimin e Kosovës, ka thënë se ai nuk i përket logjikës së vajtimit, e as Qeveria që ai e drejton, por janë për t’u përballur. E sipas tij ka qenë vetë ideja e Qeverisë për të ndodh pastrimi i Kosovës.

Ndërkohë, derisa ka folur për rëndësinë e lansimit të Strategjisë ka thënë se ka për qëllim vazhdimin e komunikimit të rregullt me shoqërinë civile dhe partnerët e tjerë.

Ai tha se duhet të jenë krenarë pasi treguesit e Bankës Botërore për politikë-bërje, Kosova është renditur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të politikë-bërjes në Qeveri.

E për ta vazhduar këtë punë, Haradinaj tha se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është marrë vendimi për themelimin e Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile, i cili nuk do të ketë për mandat vetëm zbatimin e Strategjisë, por do të jetë mekanizmi kryesor i cili do ta koordinoj të gjithë procesin e bashkëpunimit të Qeverisë me shoqërinë civile.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se kjo strategji është një zotim shumë i rëndësishëm për një dialog gjithëpërfshirës për zhvillimin e një mjedisit të favorshëm për shoqërinë civile në Kosovë.

Sipas saj, OSHC-të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në jetën demokratike të shoqërisë, pasi përmes avokimit dhe rolit të mbikëqyrjes kontribuojnë për të mbajtur institucionet të përgjegjshme.

Apostolova: Pjesëmarrja e OSHC-ve në konsultimet publike është e kufizuar

“Pjesëmarrja e OSHC-ve në konsultimet publike është akoma e kufizuar, 14 për qind të akteve konsultuese kanë pranuar komente vitin e kaluar dhe ato menaxhohen dhe promovohen nga disa institucione, mirëpo akoma nuk është në nivelin e duhur. Kur kemi të bëjmë me financimet publike të OSHC-ve procedurat e tërësishme duhet të jenë më transparente, me vëmendje të veçantë që t’i shmangim konfliktin e interesit në vlerësimin e projekt propozimeve. Qeveria po ashtu, duhet të rrit përpjekjet dhe resurset për të siguruar pronësinë e strategjisë dhe qëndrueshmërinë afatgjate të kësaj”, tha Apostolova.

Dajana Berisha, përfaqësuese e Qendrës Burimore për Shoqëri Civile, tha se në hartimin e politikave zhvillimore për vendim një rol të rëndësishëm e luajnë qytetarët dhe OJQ-të.

Berisha: Është një pyetje së cilës nuk mund t’i përgjigjet vetëm Qeveria

“Askush nuk ia mohon Qeverisë rolin e saj në hartimin e politikave zhvillimore për vendin, por po aq e rëndësishme është puna e qytetarëve, OJQ-ve për të krijuar pikërisht atë çka mungon në shoqërinë tonë, konsensusin e duhur për të ardhmen e vendit, politikat qeveritare dhe mënyrën se si duhet të organizohet shoqëria jonë. Pra, ku duhet të shkojmë është një pyetje së cilës nuk mund t’ia jep përgjigjen vetëm Qeveria, e sigurisht as strategjinë se si do të realizohet ky vizion nuk mund të draftohet vetëm prej një akteri të caktuar”, u shpreh ajo.

Ndryshe, Strategjia e parë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile është miratuar në korrik të vitit 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat