Telekomi nuk ia dorëzon kontratat Komisionit Hetimor

Aktuale

Telekomi nuk ia dorëzon kontratat Komisionit Hetimor

Më: 4 prill 2019 Në ora: 13:23
Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës refuzon t’i japë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar Hetimor për PTK-në dhe Valën.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës refuzon t’i japë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar Hetimor për PTK-në dhe Valën.

Kryeshefi i kësaj kompanie, Bedri Istrefi ka dhënë arsyetimin se dokumentacioni është konfidencal dhe disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e shtetit.

Kryesuesi i Komisionit, Visar Ymeri theksoi se kanë marrë një përgjigje përmes letrës nga kryeshefi i Telekomit, më 29 mars, në të cilën thuhet se për shkak të vëllimit të madh të dokumentacionit të kërkuar nuk ka qenë i mjaftueshëm afati treditor për t’i bërë gati ato dhe për t’i dorëzuar.

Ymeri tha se sipas menaxhmentit të Telekomit, një pjesë e këtij dokumentacioni janë konfidenciale dhe si e tillë duhet edhe trajtuar.

Për këtë përgjigje të Telekomit, Ymeri thekson se nuk është e arsyeshme dhe është e pa pranueshme.

Ymeri: Shtohet dyshimi se Telekomi ka diçka për të fshehur

“Ne sot e kësaj dite nuk kemi kurrfarë dokumentacioni zyrtarë nga Telekomi i Kosovës dhe kur farë përgjigje shtesë për kërkesën tonë, e cila është dorëzua qe më shumë se një javë. Ky ngurrim i menaxhmentit të Telekomit për t’i dorëzuar kontratat dhe kjo mënyrë e të komunikuarit shton dyshimin se ka diçka për të fshehur, sepse ndryshe nuk mendoj që asnjë prej dokumentacionit që e kemi kërkuar ne, në asnjë mënyrë nuk bie ndesh me asnjërin prej ligjeve e veçanërisht jo me atë për të dhënat personale. Këtu shihet një lloj arrogance të cilën besoj që me kalimin e kohës e kanë fituar veçanërisht menaxhmenti i Telekomit, e mbase edhe i shumë kompanive të tjera”, theksoi Ymeri.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj, kërkoi nga kryesuesi i komisionit që t’i drejtojë menaxhmentit të Telekomit një letër urgjente për t’u treguar se me çka do të përballen nëse pengojnë hetimin nga ana e komisionit.

Zemaj: Çdo pengim i hetimit parlamentar nënkupton përgjegjësi penale

“Unë ju kisha lut që t’i shkruani një letër shtesë – urgjente dhe t’i njoftoni për pasojat juridike për ata të cilët e pengojnë punën e Komisionit. Çdo pengim i hetimit parlamentar nënkupton përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët tentojnë të pengojnë punën dhe mbarëvajtjen e Komisionit”, theksoi Zemaj.

Deputetja nga VV Albulena Haxhiu shprehu shqetësimin, siç tha ajo me qasjen që  kryeshefi Bedri Istrefi ka zgjedhur në raport me kuvendin e Kosovës.

Haxhiu: Asgjë konfidenciale s’kemi kërkuar

“Edhe me këtë qasje që nuk ka sjellë dokumente në kohën kur Komisioni ka kërkuar tregon pa përgjegjësinë dhe tendencat për të penguar punën e Komisionit hetimor. Sa i përket konfidencialitetit asgjë konfidenciale ne s’kemi kërkuar. Të gjitha çështjet që ne i kemi kërkuar nuk janë as sekret as top sekrete”, deklaroi Haxhiu. 

Ndërsa, këtij Komisioni i ka dalë edhe një problem tjetër për ta hetuar Telekomin e Kosovës. Sipas deputetit të Nisma Socialdemokrate Milaim Zeka, Komisioni Hetimor është në përfundim të mandatit. 

Zeka: Kemi telashe me mandatin e Komisionit

“Shpresojmë që në seancën e radhës që do ta kemi ditën e enjte, Kuvendi do ta na vazhdon mandatin për arsye se unë si hartues i kësaj kërkese kam bërë një gabim teknik, e kem shkruar një muaj, në vend të gjashtë muajve. Do të angazhojmë disa ekspert ligjor. Sot i kemi shqyrtuar disa CV-ja, nuk kemi marrë vendim për ekspert”, theksoi Zeka.

Ndërsa, për shqyrtimin e përzgjedhjes së ekspertëve hetimor, Komisioni ka zhvilluar mbledhjen pa media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat