Enver Hasani flet hapur: Me urdhër politik të Hashim Thaçi u hetova dhe u akuzova

Aktuale

Enver Hasani flet hapur: Me urdhër politik të Hashim Thaçi u hetova dhe u akuzova

Nga: A.M. Më: 4 prill 2019 Në ora: 14:17
Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka dal me letër të hapur ndaj Kryeprokuror Imer Beka.

Në letër Hasani ka përmendur edhe rastin e hetimeve ndaj tij, ku ka shkruar se “sikundër e dini, më datën 15 prill 2015, me urdhër politik të zt. Hashim Thaci, kryeprokurori i Kosovës ka nisur kundër meje hetime dhe akuza për dy raste”.                                                                          

Për më tepër, Hasani ka shkruar se “unë jam shumë i gatshëm e ballëhapur për t’u përballuar me çdo sfidë dhe syri nuk më trembët nga asnjë gjest huliganesh i segmenteve të caktuara të sistemit prokurorial të Kosovës”.

Letra e plotë:

PROKURORISË THEMELORE NË PRISHTINË

Kryeprokurorit Imer Beka

I nderuar zt. Kryeprokuror Imer Beka          

Unë që ju shkruaj jam Enver Hasani. Ju shkruaj me arsye krejtësisht personale, të cilat i jap në vijim.

Një javë më parë, me qëllim të rregullimit të dokumentacionit personal për çështje të udhëtimit dhe çështje tjera kam marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë vërtetimin që thotë se ndaj meje nuk zhvillohet asnjë procedurë penale.

Sikundër e dini, më datën 15 prill 2015, me urdhër politik të zt. Hashim Thaci, kryeprokurori i Kosovës ka nisur kundër meje hetime dhe akuza për dy raste. Gjykatat e Kosovës, në të gjitha instancat , kanë konstatuar se unë jam persekutuar pa të drejtë, gjë që ka dëshmuar edhe cilësia e dëshmitarëve të fabrikuar.

Për këtë arsye kam bërë kallëzime penale ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, i cili është në kopje të këtij email-i, si dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, Drita Hajdari e Sevdije Morina, siç kam bërë edhe ndaj Marijan Demës, rektorit aktual të UP “Hasan Prishtina” për kallëzim të rremë që vetë gjykatat e kanë konstatuar me vendim të formës së prerë. Shumë shpejt do të nis procedurat disiplinore ndaj prokurores Drita Hajdari sepse në një ditë të caktuar në një stacion televiziv nacional të caktuar ka komentuar deri në detaje absurde vendimet gjyqësore që kanë rrëzuar akuzat e saj të rrejshme kundër meje, veprime këto që janë në kundërshtim me etikën themelore profesionale dhe pa fije dinjiteti për pozitën që ajo mban. Jam në pritje të ndryshimeve strukturore që janë duke u kryer si pasojë e ndryshimit të legjislacionit mbi përgjegjësitë disiplinore të prokurorëve. Shpresoj se shumë shpejt nis implementimi i kësaj infrastrukture dhe rasti im kundër Drita Hajdarit do të jetë ndër të parët që teston efektivitetin e sistemit të ri të përgjegjësisë disiplinore.

T’i kthehem çështjes kryesore për të cilën ju shkruaj sot.

Në ndërkohë që unë kam kërkuar edhe një vërtetim tjetër nga Policia, që po kërkohej për të vërtetuar të ashtuquajturën “të kaluarën kriminale”, mu është thënë se në Prokurorinë Themelore gjenden dy lëndë kundër meje, d.m.th. dy kallëzime penale të paprocesuara. Njëri kallëzim qenka i vitit 2012 e tjetri i vitit 2017, i pari për shpërdorim gjoja të detyrës zyrtare e i dyti për kallëzim të rremë. Kjo e dyta, gjykoj se duhet të jetë ai kallëzimi pompoz dhe fiktiv i policit Avni Namani, që si duket ka fluturuar nga vendi ku ka qenë për shkak të jo-profesionalizmit në detyrë. Kjo, megjithatë, këtu nuk ka asnjë rëndësi. Ajo çfarë ka rëndësi është kjo:

Si ka mundësi , i nderuar zt. kryeprokuror Imer Beka, që të lihen në regjistra penal rastet fiktive për të cilat pala merr vesh pas shtatë vitesh, pas dy vitesh dhe kështu me radhë? Cili qenka ai ligji në Kosovë apo gjetiu përreth nesh që lejon mbajtjen në regjistër kriminal të qytetarëve të ndershëm pa asnjë veprim procedural ? Si ka mundësi që të krijohen regjistra kriminelësh nga njerëz të ndershëm , krejtësisht mbi bazën e kallëzimeve penale prej rrugaçëve dhe huliganëve të sistemit të drejtësisë që duan t’i bindin qytetarët e Kosovës se kryeprokurori i Shtetit të Kosovës e paska të vlefshëm provimin e jurisprudencës? A e dini ju që ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i njohur si rasti Valon Bislimi, me të cilin janë shpallur si kundërkushtetuese praktikat administrativo-policore të kufizimit të lirisë së lëvizjes përmes moslëshimit të dokumenteve të udhëtimit për shkak të regjistrave policor dhe pa vendim gjyqësor?

Kushtetuta është akti me i larët në vend e vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të njëjta me normën kushtetuese të cilën e interpretojnë, në këtë rast me normën që flet për lirinë e lëvizjes, e cila mua më cungohet sot me veprimet policore dhe administrative të organit që ju drejtoni.

Bashkëlidhur po ju dërgoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe numrat e dy rasteve që gjenden në regjistrin e ashtuquajtur kriminal të Policisë së Kosovës, me kërkesë urgjente që ju t’i fshini nga regjistri rastet në fjalë ose të nisni procedurat penale nëse vërtetë mendoni se unë qenkam kriminel .

Unë jam shumë i gatshëm e ballëhapur për t’u përballuar me çdo sfidë dhe syri nuk më trembët nga asnjë gjest huliganesh i segmenteve të caktuara të sistemit prokurorial të Kosovës. Duhet të theksoj, megjithatë, se qërimi i hesapeve personale nuk mund të bëhet siç po bëhet ndaj meje duke u fshehur pas organit të akuzës. Askush nuk ka një të drejtë dhe luks të tillë. Dihet si qërohen hesapet personale në shoqëritë ballkanike, për ata që kanë atë segment të trimërisë, asnjëherë kështu.

Duke shprehur konsideratë në punën tuaj profesionale dhe në respektim të Kushtetutës dhe ligjit, pres nga ju një përgjigje lidhur me sa më sipër.

Sinqerisht .

Enveri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat