PSD: Telekomi të dorëzojë dokumentacionin me kontrata deri javën e ardhshme

Aktuale

PSD: Telekomi të dorëzojë dokumentacionin me kontrata deri javën e ardhshme

Më: 4 prill 2019 Në ora: 14:47
Visar Ymeri

Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar se nëse menaxhmenti i Telekomit të Kosovës refuzon t’i japë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar hetimor për PTK-në dhe Valën deri në javën e ardhshme, atëherë do të veprohet përmes gjykatës për t' i detyruar këta të fundit të dorëzojnë dokumentacionet e kërkuara.

Por, nënkryetari i PSD-së Visar Ymeri sot në një konferencë për media, tha se javën e kaluar ka kërkuar nga menaxhmenti i Telekomit dokumentacionet, bashkë me pasqyrat e auditorëve, për të përcjellë ndryshimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve dhe çështjen e punësimit në telekom, por që deri sot asnjë nga këto dokumente nuk janë dorëzuar.

Ai tha se ka marrë përgjigjen lidhur me këtë çështje nga kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi, me arsyetimin se bëhet fjalë për ndjeshmërinë e lëndës dhe se disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.

“Është bërë e zakonshme që kontratat të fshihen nga sytë e e publikut. Dhe këtë gjë e pamë edhe nga kryeshefi javën e kaluar. Neni 13 për hetimin parlamentar i jep komisionit qasje të pakufizuar, në këto dokumente, po ashtu edhe neni 18. Këtë vonesë në dorëzimin e dokumentacionit nuk mund ta kuptojmë ndryshe veç se pengesë të komisionit. Në asnjë mënyrë s’mund ta kuptoj se kontratat e nënshkruara nuk qenkan gati. Si mund të mos jenë gati një kontratë që është e nënshkruar. Ky është arsyetim i pakuptimtë. Kur e kanë ndërmend që t’i përgatisin këto raporte financiare, si është e mundur që të mos jetë i arkivuar regjistri i të punësuarve. A i bie kjo që Telekomi nuk e di sa janë të punësuar, kjo rrit dyshimin. Ose nuk po duan t’i dorëzojnë ose nuk e din se ku duhet t’i gjejnë", tha Ymeri.

Ai ka renditur çështjet që sipas tij e kanë dëmtuar deri më tani Telekomin.

"Së pari, është shkatërruar nga kontratat e nënshkruara me palët e treta. E dyta është mbi punësimi, e treta është ndërhyrja qeveritare, shpenzimet e pakontrolluara nga menaxhmenti e bordi për qëllime luksi", tha ai.

Ymeri mes tjerash tha se komisioni hetimor është i vendosur që këtë çështje ta përcjellë deri në fund, duke përgatitur kështu edhe një raport hetimor, për të parë se cilët janë shkaktarët që kanë sjellë Telekomin në gjendjen aktuale.

Në rast që nuk dorëzohen dokumentacionet deri në javën e ardhshme, Ymeri tha se do të veprojnë përmes gjykatës, në mënyrë që të obligojë Telekomin për të dorëzuar dokumentacionet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat