Ymeri: Nëse Telekomi nuk dorëzon dokumentacionin, do t’i drejtohemi gjykatës

Aktuale

Ymeri: Nëse Telekomi nuk dorëzon dokumentacionin, do t’i drejtohemi gjykatës

Më: 4 prill 2019 Në ora: 16:09
Telekomi Kosovës

Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar menaxhmentin e Telekomit të Kosovës se nëse nuk do të dorëzojë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar hetimor deri në javën e ardhshme, do të veprohet përmes gjykatës.

Nënkryetari i PSD-së Visar Ymeri, sot në një konferencë për media, tha se javën e kaluar ka kërkuar nga menaxhmenti i Telekomit dokumentacionet, bashkë me pasqyrat e auditorëve, për të përcjellë ndryshimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve dhe çështjen e punësimit në telekom, por deri sot asnjë nga këto dokumente nuk janë dorëzuar.

Ai tha se ka marrë përgjigjen lidhur me këtë çështje nga kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi, me arsyetimin se bëhet fjalë për ndjeshmërinë e lëndës dhe se disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.

Ymeri: Nuk kuptoj  pse kontratat e nënshkruara nuk janë të gatshme

“Është bërë gati se e zakonshme që kontratat e dëmshme të fshihen nga sytë e publikut, me pretekstin se ato mbajnë ose përmbajnë të dhëna konfidenciale qofshin ato financiare ose personale, ose me pretekstin se janë në procedura hetimore nga prokuroria dhe nuk duhet zbuluar në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i hetimeve dhe këtë gjë e pamë edhe në letrën e dërguar nga menaxhmenti i Telekomit javën e kaluar. Në asnjë mënyrë nuk mund ta kuptoj se si kontratat e nënshkruara dhe pasqyrat financiare të audituara e regjistrit të të punësuarve përgjatë viteve nuk qenkan gati, por si mund të mos jetë gati një kontratë e nënshkruar, si mund të zbatohet një kontratë që nuk është gati. Ky është arsyetim absurd dhe i pakuptimtë”, ka thënë Ymeri.

Ai gjithashtu  ka renditur çështjet që sipas tij e kanë dëmtuar deri më tani Telekomin.

Ymeri: Kontratat e nënshkruara me palët e treta dëmtuan Telekomin

“Së pari janë kontratat e nënshkruara me palët e treta, siç e përmenda janë mbi 12 lloje të kontratave të cilat ne i kemi kërkuar, e të cilat secila prej tyre, në një formë ose tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës, qoftë në aspektin zhvillimor, qoftë në aspektin financiar, e shpesh herë në uzurpimin e një pjese të tregut të Telekomit, duke ia cenuar kështu mundësinë zhvillimore të Telekomit të Kosovës. E dyta është punësimi, veçanërisht mbi-punësimi  që është bërë pa kurrfarë kriteri e nevoje, kryesisht i motivuar partiakisht e si nepotist”, tha Ymeri.

Për më tepër, ai theksoi se komisioni hetimor është i vendosur që këtë çështje ta përcjellë deri në fund, duke përgatitur edhe një raport hetimor, për të parë se cilët janë shkaktarët që kanë sjellë Telekomin në gjendjen aktuale.

Ymeri: Nëse nuk dorëzohen dokumentacionet, i drejtohemi gjykatës

“Në kërkesën fillestare ne kemi caktuar afat deri të mërkurën, do të thotë deri dje që të dorëzojë dokumentacionet. Sot ia kemi dorëzuar një kërkesë shtesë ku ia kemi zgjatur afatin deri të enjten e javës së ardhshme. Nëse nuk dorëzohet dokumentacioni deri atëherë, dhe nëse nuk ka një përgjigje të kënaqshme për vonesën, atëherë duhet të veprojmë përmes organeve të tjera të rendit. Siç e përmenda me ligjin për hetimin parlamentar, komisioni ka të drejtë që t’i drejtohet gjykatës dhe të kërkojë që gjykata të obligojë palën të dorëzojë dokumentacionet për të cilat ajo nuk po përgjigjet”, tha ai.

Ndryshe, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës gjatë ditës së sotme ka refuzuar  t’i japë dokumentacionin me kontrata të kërkuara nga Komisioni parlamentar Hetimor për PTK-në dhe Valën, me arsyetimin se një pjesë e lëndëve janë të ndjeshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat