“Thikën e mbante për t’u mbrojtur nga qentë”- arsyetimi i babait të Bledart Elshanit që po dyshohet se kërcënoi kryeministrin

Aktuale

“Thikën e mbante për t’u mbrojtur nga qentë”- arsyetimi i babait të Bledart Elshanit që po dyshohet se kërcënoi kryeministrin

Më: 4 prill 2019 Në ora: 20:52
Bledart Elshani

Bledart Elshani nga fshati Baicë e Drenasit, prej sot do të përballët me aktakuzën për terrorizëm, të ngritur nga Prokuroria Speciale. Ai, dyshohet se, si militant i ISIS-it, në fillim të këtij viti kishte kërcënuar kryeministrin Ramush Haradinaj. Për këtë, 22 vjeçari më 11 janar 2019 ishte arrestuar nga Policia, dhe mbajtur në paraburgim.

“Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”. Ishte ky, mbishkrimi që Bledart Elshani, verën e vitit të shkuar e kishte shpërndarë përmes videove dhe fotografive të ndryshme, në rrjete sociale.

Si mbështetës i organizatës terroriste ISIS, i riu nga Drenasi, propagandë të dyshimtë terroriste, përmes rrjeteve sociale shpërndante qysh në gusht të vitit 2018.

Por, për këto veprime, rreth 5 muaj, Bledartin nuk e kishte penguar askush. Deri kur, ai u morr me Kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

Mbishkrimi “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH” ishte bërë ‘sebep’ që Bledart Elshani të arrestohej nga Policia, një ditë pasi e publikoi në një fotografi në rrjete sociale.

E vetëm pak muaj pas arrestimit dhe ndalimit në paraburgim, 22 vjeçarit nga Drenasi, Prokuroria Speciale i ka ngritur aktakuzë.

Sipas aktakuzës, të ngritur në Gjykatën Themelore të Prishtinës ai dyshohet se me veprimet e tija ka kryer veprat penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së, dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri B.E, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e shtetit Islamik. Po ashtu, i pandehuri B.E, më 23.08.2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10.01.2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj me mbishkrim “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Arrestimi i Elshanit kishte ndodhur më 11 janar 2019, gjatë një bastisje në shtëpinë e tij. Përveç, pajisjeve elektronike dhe materialeve audio dhe video me përmbajtje propagandistike, autoritetet e sigurisë kishin njoftuar se të riut nga Drenasi i kishin gjetur edhe armë të ftohta në shtëpi.

Sipas prokurorisë, arma e ftohtë që iu gjet atij, ishte e llojit thikë ushtarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe mbajtja në pronësi e saj nga i dyshuari është në kundërshtim më një nen të Ligjit për Armët në Kosovë.

“Më 11.01.2019, në Drenas në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – DKT në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bart në trup një armë të ftohtë – thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

E pikërisht për këtë thikë, kishte reaguar babai i Bledartit, pak ditë pas arrestimit.

Sipas Blerim Elshanit, i biri i tij nuk kishte lidhje me terrorizëm, dhe thikën e ka mbajtur për t’u mbrojtur nga kafshët, pasi kthehej vonë në shtëpi.

“Po thikë mund me bajt gjithkush. Atë e ka mbajt për qenë, ka ardhë në 10-11 në orar të pacaktuar”, u kishte thënë babai i Bledartit mediave.

“Djali jem ashtë fal qysh falen krejt hoxhallarët. S’ka lidhje me kurgjo, as me terrorizëm as kurgjo”, kishte insistuar ai.

Nga ana tjetër, avokati i Bledartit, Isak Hoxha kishte deklaruar se klienti i tij nuk ka shkollë të lartë të kryer dhe se nuk ka qenë në dijeni për pasojat pas postimit të fotografisë kërcënuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat