Kurti në Vushtrri: Nuk mund të bëhet shtetndërtimi me kushëri e dosta

Aktuale

Kurti në Vushtrri: Nuk mund të bëhet shtetndërtimi me kushëri e dosta

Më: 5 prill 2019 Në ora: 15:19
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot në Vushtrri tubimet me qytetarë për të larguar nga pushteti Qeverinë Haradinaj.

Me këtë rast, lideri i VV-së, Albin Kurti para qytetarëve të Vushtrrisë, tha se dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës janë papunësia dhe korrupsioni.

“Vjedhja nalt e varfëria poshtë janë të lidhura. Mbi 650 zyrtarë të lartë kanë më shumë se një pozitë, e kryeprokurori i Kosovës i ka 7 pozita, ai nuk po funksionon sepse është shumë i zënë. Paga e presidentit është 15 herë më e lartë sesa paga minimale, paga e shoferit të kryetarit të Kuvendit është më e madhe se paga e profesorit në shkollë të mesme”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se në Kosovë kemi individ më të fuqishëm se vet shteti, duke theksuar se na duhen zgjedhje të reja dhe qeverisje e re ku ligji do të jetë mbi politikën.

“Me qeverisjen e re pas zgjedhjeve të reja hiqet zullumi mbi bizneset dhe fukarallëku midis popullsisë. Nuk mund të bëhet shtetndërtimi demokratik me kushëri e dosta, me Gent Begollin e Bedri Istrefin në Telekom e Valon Tolajn në AKP, nuk ec ekonomia. Shteti i Kosovës sot ka aq institucione sa kanë kushëri Thaçi e Haradinaj, me listë të dasmave tyre i kanë shti njerëzit në punë nëpër institucione. Me një tarifë 100% ndaj Serbisë, nuk mbulohet gjithë ky korrupsion e krim i organizuar”, u shpreh Kurti.

Kurti ka thënë se politikanët që janë në pushtet duan ta zëvendësojnë Gjermaninë me Rusinë.

“Nëse Rusia dështoi me puqet e saj në Mal të Zi e Maqedoni pse duhet të ketë sukses në vendin tonë. Këta duan që Gjermaninë ta zëvendësojnë me Rusin, por projekti i tyre për shkëmbim territorial ka dështuar ndonëse ideja e tyre nuk ka vdekur”, tha Kurti, duke shtuar se që ta ndalim hajnin duhet ta largojmë qeverinë.

Në fund të fjalës së tij, Kurti ka përshëndetur të pranishmit duke u bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimet e ardhshme dhe protestat paqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat