Në një kamp në Siri shihen dhe dëgjohen fëmijë të ngujuar shqiptarë

Aktuale

Në një kamp në Siri shihen dhe dëgjohen fëmijë të ngujuar shqiptarë

Më: 5 prill 2019 Në ora: 17:45
Fëmija që flet shqip në kampin Al Hol

“Haxhi”, “Oj Sarë” , “ku o Sara”, janë fjalët shqip që dëgjohen trishtueshëm në një kamp të izoluar në Siri.  Aty janë strehuar të afërm të luftëtarëve të ISIS’it, e një video e publikuar nga The New York Times kapen fëmijë teksa flasin shqip. Nuk dihet se cili është fati i fëmijëve i kampeve të zeza, e as nëse institucionet kanë plan t’i kthejnë.

Në një kamp në veri të Sirisë po strehon të afërmit e luftëtarëve famëkeq të ISIS’it, pas humbjes që pësoi para disa javësh i ashtuquajturi kalifat, i njohur për krime dhe terror.

Ky është një vend i izoluar i quajtur Al Hol, i rrethuar me rojtarë të armatosur.  Aty strehohen gratë, fëmijët dhe jetimët e luftëtarëve të ISIS’it.

Image
Fëmija që flet shqip në kampin Al Hol

Brenda këtij kampit, në një video të publikuar nga mediat perëndimore, dëgjohen dy fëmijë që flasin shqip, që sipas të gjitha gjasave i takojnë luftëtarëve të trojeve shqiptare që kishin marrë pjesë në ato luftime. Njëri prej tyre shihet në pamjet e publikuara nga prestigjiozja amerikane The New York Times.

Fëmija i parë, në këtë video, thërret emra si Haxhi e Sara, ndërsa një zë tjetër i një fëmije të dytë dëgjohet në sfond duke pyetur se “ku është Sara”.

Në institucionet e Kosovës askush nuk përgjigjet se a kanë ndonjë plan për të kthyer fëmijët dhe gratë kosovare të ngujuara në kampe të Sirisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, thotë se kjo ministri është e informuar se ka kosovarë, por nuk ka treguar nëse MPJ planifikon t’i kthejë ata.

As në Zyrën e Kryeministrit nuk dëshiron të komentojnë asgjë rreth kësaj teme.

Në këtë zonë deri në dhjetor kanë qëndruar rreth 9 mijë persona, mirëpo me thellimin e humbjeve të ISIS’it dhe me ngushtimin e zonave të tyre, aty numri ka shkruar në 72 mijë javën e kaluar. Mirëpo nëntë mijë prej tyre janë qytetarë të vendeve jashtë Sirisë.

Image
Fëmija që flet shqip në kampin Al Hol

Të dhënat e fundit të publikuara në media tregojnë se më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës, por që asnjë shtet nuk dëshiron t’i mbajë.

Ndërsa janë edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.

Të kthehemi sërish te “kampi i Sarës dhe Haxhisë”: NYT raportoi se aty nuk kanë mjaftueshëm ujë e ushqim, ndërsa disa prej shteteve si Franca, Rusia e Çeçenia i kanë nxjerrë qytetarët e vet nga ky kamp. Të tjerat vende nuk duan t’i rikthejnë këto gratë, fëmijët, e jetimet.

Aty gjenden vetëm gratë e fëmijët që nuk i pranojnë shtetet e tyre dhe më nuk kanë më vend të tyre për të jetuar.

Zyra e Kryeministrit nuk jep detaje se çka specifikisht planifikohet të bëhet me fëmijët dhe gratë që tashmë janë në Siri dhe a do të kthehen ata. Megjithatë përmenden hartimi i dokumentëve për rehabilitim të të gjithë atyre që në një mënyrë ose tjetrën u përfshinë në luftën e Sirisë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë hartuar dokumente dhe kanë ngritur mekanizma për rehabilitimin e personave të radikalizuar, luftëtarëve të huaj dhe familjet e tyre”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Kryeministrit.

“Si pjesë e koalicionit global kundër ISIS-it, Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë partner i besueshëm, duke dhënë kontribut të çmuar në arritjen e objektivave të këtij koalicioni”.

Siria po hyn në vitin e nëntë të luftës civile, ndërsa Shtet Islamik (ISIS) po e shënon fundin e tij. Lufta nisi dhe po përfundon me Bashar Al-Assadin që nuk u dorëzoi asnjëherë kreun e shtetit tashmë të shkatërruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat