Merovci, Hyseni dhe Abazi merrnin para “në emën” të Rugovës

Aktuale

Merovci, Hyseni dhe Abazi merrnin para “në emën” të Rugovës

Më: 5 prill 2019 Në ora: 18:59
Bujar Bukoshi

Fondi i cili ishte krijuar për të mbajtur gjallë Kosovën në kohën  e okupimit, vazhdon të përflitet për keqpërdorime. Si gjithnjë në shënjestër janë njerëz që e bënin politikën në vitet 90’të. Ndaj ish –kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshit  dhe personave tjerë tashmë ka edhe aktakuza, por sa herë riaktualizohet çështja e 3 përqindëshit shfaqet edhe dikush që do të shtojë diçka. Një zyrtar i LDK’së, Qefser Hoxha, që thotë se ka qenë i afërt dhe ka punuar me Bukoshin. Ai  akuzon drejtorin e Dardania Bank Milazim Abazin, Truprojën e Rugovës Adnan Merovcin dhe përkthyesin e Skënder Hysenin se kanë marrë para të 3 përqindëshin me arsyetimin se “po i duhen Presidentit”

Qefser Hoxha, nga Bllaca e Suharekës, që jeton në Zvicër nga viti 1996, duke folur ka folur për Fondin e 3 përqindësisht, temë kjo që u aktualizua javën që shkoi për shkak të aktakuzave të ngritura ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, kujdeset të tregojë se personalisht ka kontribuar.

“Personalisht kam kontribu në 3 përqindëshin me fonde, kam ndihmu për pavarësinë e Kosovës. I kam dhanë 76 mijë franga dhe nuk i bi pishman”, thotë Hoxha në një bashkëbisedime.

Hoxha prezantohet si anëtar i Kryesisë së LDK’së në diasporë dhe anëtar i Klubit Rinor të Degës së LDK’së në Zvicër, por edhe siç tha, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Bujar Bukoshit thotë se të gjithë anëtarët e këtij fondi ishin inkasantë, e ata që e krijuan ishte vetë Qeveria e atëhershme.

Për “Dardania Banka”

 Hoxha thotë se Drejtori i “Dardania Bankës” në Tiranë, ka qenë Milazim Abazi, dhe ai është emëruar aty nga Bujar Bukoshi.

“Milazim Abazi ka qenë drejtor i bankës, po rren që po thotë se është emëru prej Presidentit Rugova, e Bukoshi e ka shkarku. Kjo nuk është e vërtetë. Bujar Bukoshi është emëru prej presidentit Rugova si kryeministër, ministrat i ka emëru në bashkëpunim me Rugovën, e kështu e ka emëru edhe drejtor të bankës Milazim Abazin.

“Abazi ka dashtë me marrë kalanë për brenda LDK’së. Nëse dikush duhet me qenë sot në burg është Milazim Abazi bashkë me Adnan Merovcin dhe Skender Hysenin”, tha Hoxha.

Ai kështu foli pasi rrëfeu se këta tre emra, atëkohë, “që ishin truproje dhe mbajtës çantash të Presidentit Rugova, kishin keqpërdorur në emër të tij, dhe kishin shkuar të kërkonin të holla në emër të Rugovës”.

“Skender Hyseni dhe Adnan Merovci kanë shku me marr të holla, se kishe pi duhen presidentit. Ata kanë marrë pare në emër të Rugovës. Bujar Bukoshi këtë gjë nuk e ka ditë që po ndodhë”, tha Hoxha.

Në atëkohë, Shef i Zyrës së Financave Ibrahim Rugova e kishte pasur Fatmir Rexhepin nga Gjilani që sipas Hoxhës konsiderohej njëri nga ekonomistët më të mirë të kohës.

Kërkesat për para, Hoxha tha se gjithmonë i ka bërë Fatmir Rexhepi, kur ishte fjala për Rugovën.

“Kërkesën ia ka dërgu Isa Mustafës, Mustafa ka shku u konsulltu me kryeministrin dhe të hollat janë dërgu menjëherë për çka i ka kërku presidenti”, tha anëtari i Fondit të Tre përqindëshit.

Ai ka thënë se Bukoshi nuk ia ka ndalë telefonin Ibrahim Rugovës.

“Kjo është e vërteta: Bukoshi ka dhanë urdhër, se kur ka dëgju se faktura e telefonit të Zyrës së Rugovës është bërë mbi 50 mijë marka në muaj, Bukoshi ka kërku përgjegjësi”.

Ai tha se Ibrahim Rugova asnjëherë nuk e kishte zakon ta përdortë telefonin e zyrës. Bile, tha se edhe ndërkombëtarët e kontaktonin vet Rugovën kur donin të takoheshin me të.

“Këtë ngjarje e din edhe Baton Haxhiu, që atëkohë si gazetar ka nejt shumë në atë zyre, edhe ai e din se Rugova nuk e ka përdorë kurrë telefonin.  Çdo herë Rugova ka kontaktu me ndërkombëtarët kur ata e kanë thirr në telefon, e asnjëherë presidenti Rugova nuk e ka përdorë apo keqpërdorë telefonin e zyrës së LDK’së”, rrëfeu bashkëpunëtori i Bujar Bukoshit.

Për përdorimin e këtij telefoni dhe keqpërdorimin e parave, Hoxha akuzoi Skënder Hysenin, Sami Hamitin, Adnan Merovcin e anëtarë të tjerë që sot janë pjesë e LDK’së.

“Ata që e kanë përdorë, kanë marrë njerëz prej rrugës. Ka qenë krizë atëherë me bisedu me jashtë, se ka kushtu 1 minutë, dy ose tre marka, e këta sot që janë pjesë e LDK’së, këta matrapazë; Skender Hyseni, edhe kjo pjesa tjetër Sami Hamiti e të tjerë, e kanë keqpërdorë telefonin prej zyrës së LDK’së, kanë marrë njerëz e familjarë të vet, kanë fole me familjarët e vet jashtë”, tha Hoxha.

Por, ai tha se për këto keqpërdorime, Rugova nuk ka pasur dijeni. E kur Bujar Bukoshi kishte dëgjuar se çka po bëhet me telefonin e Presidentit, kishte marrë vendim që të bllokohet përdorimi i atij telefoni.

“Pas kësaj, patën dalë në gazeta atëherë titujt bombastik “Bukoshi ia ndalon financat Rugovës”, e që nuk është e vërtetë kjo sepse Bukoshi nuk ia ka ndalu Rugovës financat, por e ka ndalu keqpërdorimin e telefonit nga këta matrapazë”, tregoi Qefser Hoxha.

Ai tha se krejt çka ka kërkuar Bujar Bukoshi ishte respektimi i hierarkisë.

“Bukoshi ka kërku me u respektu hierarkia, e jo mu çu me bo kështu, kush të çohet i pari në mëngjes, pa i pastru sytë e dhëmbët me shku me kërku të holla në ‘Dardani Bankë’, e me i bo këto veprime në emër të Rugovës”, tha për Express anëtari i LDK’së në Zvicër.

Për më tepër Hoxha akuzon Sabri Hamitin, Sami Hamitin, Skender Hysenin, Fatmir Sejdiun, Agim Veliun dhe Ismet Beqirin se kanë dashur “t’ia marrin Rugovës kalanë nga brenda”.

Marrja peng e Ibrahim Rugovës dhe zëvendësimi me Donika Gërvallën

Qefser Hoxha, pohon se gjatë bombardimeve të NATO’s  në kohën kur Ibrahim Rugova u mor peng nga Millosheviqi,  Bukoshi që atëkohë ishte kryeministër kishte vendosur që zyrtarisht ta emëronte ushtrues detyre të kryetarit të LDK’së dhe të presidentit, Donika Gërvallën.

Ai tha, se ky emërim u bë nga Bukoshi në bazë të së drejtës që ia ka dhënë Kushtetuta e Kaçanikut.

Por, këtë pengmarrje të Presidentit, Hoxha tha se ditën ta shfrytëzonin Fatmir Sejdiu, Eqrem Kryeziu, Kolë Berisha, Naim Jerliu, Ilir Salihu (kryetar i Forumit Rinor në atë kohë).

“…e kanë shfrytëzu në maksimum pengmarrjen e presidentit nga Millosheviqi. Bukoshi nuk ka leju banditët dhe vagabondët me marrë kalanë nga brenda. Sot, Bukoshi po lufton me jetë, e sot këta matrapazë po e shfrytëzojnë sëmundjen e tij, madje disa mediume edhe me para po i paguajnë për me shkru gjëra që s’janë të vërteta”, tha Hoxha.

Qefser Hoxha, i bëri thirrje prokurorisë në Kosovë, që për keqpërdorime të merret në pyetje Milazim Abazi dhe të tjerët e lart përmendur.

“Nëse ka prokurori në Kosovë, u bëj thirrje që të merren me Milazim Abazin dhe ata që i përmenda që kanë keqpërdorë emrin e Ibrahim Rugovës dhe kanë bërë keqpërdorime vet.  Mbajtësi i çantës Skender Hyseni ka qenë dhe ky ka shku me kërku pare në emër të Rugovës. Kush janë këta…?”, deklaroi Hoxha.

Gjithashtu, ai përmendi edhe hapjen e një fondi nga emrat e lartpërmendur, të cilët kishin thënë se hapjen e atij fondi e kanë bërë për të mbledhur para për Rugovën, pasi “Bukoshi nuk po ia paguante telefonin presidentit dhe s’po ia paguante hotelet”.

“Në atë kohë, disa matrapazë të LDK’së bashkë me këta që i përmenda kanë hap një fond dhe i kanë mbledhë mbi 130 mijë franga, unë e kam atë dokument, ato pare i kanë mbledhë demek për “Rugovën se ka mbet në rrugë” , “s’po ia pagun Bukoshi telefonin”, “s’po ia paguan hotelin”, ka thënë Hoxha.

Për UFORK’un (Unioni i Fondeve të Republikës së Kosovës)

Unioni i Fondeve të Republikës së Kosovës, Qefser Hoxha tha se u krijua nga Isa Mustafa dhe Naser Osmani, me paratë e të cilit ai tha se janë ndërtuar 130 shtëpi, me urdhër të Bujar Bukoshit.

“Me këtë fond janë ndërtu 130 shtëpi në fshatin Çabër, ku Serbia i pat dhanë fund atij vendi. Kryeministri Bukoshi, me paren teme, edhe tuajën edhe të gjithë atyre që kanë kontribu, i ka ndërtu ato 130 shtëpi”, deklaroi Hoxha.

Në vitin 2016, Bujar Bukoshi ishte ftuar të intervistohej nga Policia e Kosovës, lidhur me veprimtarinë e UFORK’ut në Kosovë.

Krijimi i këtij fondi u bë pas luftës, dhe prokuroria pretendon se një shumë e madhe e parave është tërhequr nga ky fond nga viti 2006 deri në vitin 2001.

E Qefser Hoxha, i cili tha se ishte i afërt me Bujar Bukoshin, dha arsyen se e parave të tërhequra në atë kohë, dhe kush ishte përgjegjës i fondit.

“Nëse ka diçka që u tërheq nga Fondi në vitin 2006, atëherë është se atëherë zyrat e UFORk’ut janë kanë me qira, edhe sigurisht janë tërheq për me pagu qiranë e zyrave, po për këtë mundeni me pyet Naser Osmanin dhe Atdhe Gashin, pasi këta kanë qenë përgjegjës për transaksionet e kryera në atë fond”, ka thënë Hoxha.

Është e çuditshme që Qefser Hoxha, i mbron pikërisht ata ndaj të cilëve tashmë ka aktakuzë të ngritur për keqpërdorim të Fondit të 3 përqindëshit, duke thënë se nuk beson se Naser Osmani dhe Atdhe Gashi kanë keqpërdorur me UFORK. E për Bujar Bukoshin tha se është në gjendje të dëshmojë në çfarëdo gjykate dhe ta mbrojë atë, sepse sipas tij, Bukoshi asnjëherë nuk ka keqpërdorur dhe mashtruar për asnjë cent të parasë publike.

Ish-kryeministri i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, bashkë me këshilltarin e tij Atdhe Gashi dhe Naser Osmanin, deputet aktual i LDK’së,  janë duke u përballë me akuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për keqpërdorim të “Fondit të tre përqindëshit”.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë para dy viteve ndaj Bujar Bukoshit, Naset Osmanit dhe Atdhe Gashit për keqpërdorim të këtij fondi.

Në fondin që u shua që nga viti 99’, thuhej se janë mbledhur 250 milionë marka gjermane. Ky fond u mbyll me vendim të bankës kantonale të Gjenevës, atje ku u hap fillimisht.

Në vitin 2016, u raportua se shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta.

Bukoshi e kishte pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat