Antenat e Telekomit në oborret e vëllait të Presidentit dhe vëllait të Zonjës së Parë – përfituan rreth 90 mijë euro

Aktuale

Antenat e Telekomit në oborret e vëllait të Presidentit dhe vëllait të Zonjës së Parë – përfituan rreth 90 mijë euro

Më: 5 prill 2019 Në ora: 19:37
Lumnije Thaç dhe Hashim Thaçi

Mbi 550 antena kishte vendosur PTK-ja në mbarë Kosovën. 300 prej tyre vlerësohet se janë të shpërndara në qytete e 250 në fshatra.

Kostoja mujore që Telekomi paguan për to dhe rrymën që ato shfrytëzojnë, kap vlerën e 302 mijë eurove dhe, në total, në vit për to paguhen 3 milionë e 600 mijë euro.

Disa prej tyre janë të vendosura në pronat e familjarëve të politikanëve.

Agimi është vëllai i katërt i presidentit dhe është më i madh se ai.

Bazuar në faturat e siguruara nga KTV-ja, Agim Haxhi Thaçi ka filluar të marrë pagesa nga fundviti i 2006-s, kur është paguar në vlerën prej 723 eurosh.

Në vitin 2007, faturat arritën në 7 mijë euro, për t’u ngritur në 10 mijë e 100 euro në vitin 2008, derisa gjatë viteve 2009-2010, Thaçi, nga PTK-ja mori 9,120 euro.

Por, nga viti 2011, Thaçit më nuk iu pagua rryma dhe, rrjedhimisht, çmimi vjetor zbriti në 3,290 euro.

Edhe në vitin 2019, figuron që Thaçi paguhet nga Telekomi.

Në total, në këto vite vëllai i presidentit ka marrë nga PTK-ja 59 mijë e 205 euro.

Kohavisioni ka parë disa antena në fshatin Burojë, dy të mëdha e disa të vogla dhe, sipas banorëve, Thaçi e ka larguar antenën nga oborri i tij.

Në një distancë të largët nga Buroja ndodhët fshati Studime e Poshtme. Dhe lagjja Gerxhaliu e këtij fshati është aty ku është rritur zonja e parë, Lumnije Thaçi. Një antenë tjetër e Telekomit ndodhët në shtëpinë e Besim Gerxhaliut.

Besimi është vëllai i Zonjës së Parë.

Gërxhaliu nuk ndodhej në shtëpi, por bashkëshortja e tij i ka thënë Kohavisionit se ata kanë kontratë ligjore të rregullt me Telekomin e Kosovës dhe shumë mujore që është 227 euro.

Sipas dokumenteve, Besim Gerxhaliu mori kontratën e parë në vitin 2009 dhe brenda një viti është paguar 2,500 euro. Por, menjëherë në vitin 2010, pagesa iu rrit për 500 euro, ndërsa në dy vjetët e fundit, i është rritur edhe për 260 euro të tjera.

Në total, në këto vite, vëllai i Zonjës së Parë ka marrë nga Telekomi mbi 30 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat