Përkujtohet dëshmori i kombit Hajrullah Sinani

Aktuale

Përkujtohet dëshmori i kombit Hajrullah Sinani

Më: 6 prill 2019 Në ora: 14:58
Përkujtohet dëshmori i kombit Hajrullah Sinani

Hajrullah Sinani flijoi në shtratin e lirisë dhuratën më të madhe që ia dha Zoti, jetën, ndërsa theu kufijtë e kohës dhe u bë i përtejkohshëm.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë akademisë përkujtimore kushtuar 20 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Hajrullah Sinani - Hajrushi, e cila u mbajt nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së në Mitrovicë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke thënë se Mitrovica edhe pas 20 viteve është në ankth, jo e lirë, dhe e pasigurtë për investime të huaja, ka bërë thirrje të gjithëve të kthejnë vëmendjen nga Mitrovica, sepse ky qytet është djep i lirisë dhe hambar i ekonomisë së Kosovës.

Sipas tij, çdo pjesë e tokës së Kosovës është ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe ky gjak duhet të shërbejë si vetëdijesim për ruajtjen e çdo pëllëmbe të Republikës së Kosovës.

Ai ka kritikuar qeverinë se nuk është duke bërë sa duhet për qytetin e Mitrovicës në lidhje me bashkimin e saj.

Bahtiri: Kur është në pyetje populli, nuk njoh parti

“Këta burra që kanë luftuar për këtë vend, që nuk janë të sodit apo të djeshmit, kanë luftuar që 500 vjet. Çdo pjesë e tokës tonë është ujitur me gjakun e dëshmorëve. Kjo aromë gjaku duhet të na mbrojë dhe të na vetëdijësojë që të ruhet çdo pëllëmbë e truallit të Republikës së Kosovës, dhe këtë qeveria nuk e bënë. Unë vij nga një parti që është në qeverisje, por kur është në pyetje populli, nuk njoh parti”, ka thënë Bahtiri.

Xhafer Preteni, në emër të Batalionit dhe Brigadës 141 Mehë Uka, foli për veprimtarinë luftarake të dëshmorit Hajrullah Sinani, me ç’ rast tha se Hajrullah Sinani ishte dëshmori i parë i këtij Batalioni në  pranverën e përgjakshme të vitit 1999 e cila shënoi zhvillimin e betejave 46 ditëshe të Melenicës, Pretenit, Majdanit, që në historinë kombëtare u skalit me shkronja të arta si një kapitull e cila më vonë u quajt Epopeja e Melenicës.

Preteni: Shaljanët pjesa më krenare e kombit tonë

“Muaji prill i vitit 1999 shënon fazën më të lavdishme të kësaj historie, shënon finalen më të madhe të ballafaqimit frontal në mes të dy ushtrive jo të barabarta të parametrit ushtarak. Në njërën anë ishin ata të cilët kishin teknikën dhe numrin e madh të ushtarëve, kurse në anën tjetër ishin ata të devotshmit, patriotët, djemtë e punëtorëve, minatorët, ishin shaljanët pjesa më krenare e kombit tonë”, theksoi Preteni.

Edhe bashkëluftëtari Asllan Istrefi, foli për jetën dhe veprën atdhetare të dëshmorit Hajrullah Sinani, ku potencoi se ai dha shpirtin në rrënjët e lirisë për të qenë i pavdekshëm.

Istrefi: Kjo pavdekshmëri është e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja jonë

“Kurdoherë që flasim për të kaluarën, flasim për rrugëtimin tonë ku pika e nisjes bëhet e tejkaluar dhe pika e arritjes bëhet përsëri pikënisje, për të arritur në cakun e synuar. Kjo zgjatje pothuajse bëhet e pavdekshme ndërsa kjo pavdekshmëri është njëkohësisht edhe e djeshmja, edhe e sotmja edhe e nesërmja jonë”, tha ai.

Në emër të familjarëve foli vëllai i dëshmorit, Fadil Sinani, i cili falënderoi të pranishmit, duke thënë se me pjesëmarrjen e tyre, familjarët ndjehen krenarë dhe të nderuar.

Gjatë akademisë u lexuan poezi për dëshmorin, si dhe u kënduan këngë me motive patriotike.

Ndryshe, dëshmori i kombit Hajrullah Sinani u bë me pllakë përkujtimore e cila  pas akademisë u zbulua  në Stantërg të Mitrovicës, ku të pranishëm ishin, familjarë, përfaqësues të institucioneve, bashkëluftëtarë, si dhe shumë qytetarë tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat