Kurti kërkon zgjedhje të reja: Kemi nevojë për ndryshime

Aktuale

Kurti kërkon zgjedhje të reja: Kemi nevojë për ndryshime

Më: 6 prill 2019 Në ora: 17:45
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot tubim në Mitrovicë me sloganin "Kundër PANhajnisë", duke kërkuar ndryshim dhe zgjedhje të reja.

Në këtë tubim morën pjesë kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, struktura dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga VV, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, si dhe shumë qytetarë të tjerë.

Lideri i Lëvizjes, Albin Kurti, tha se me shtetin e kapur Kosova nuk është as vend i drejtësisë dhe as i mundësisë për qytetarët e saj. Sipas tij, demokracia në Kosovë nuk ka ngelur as vlerë e as mënyrë.

Ai shtoi se kjo qeveri ka kapur shtetin, mirëpo me zgjedhjet e ardhshme do të marrë fund "PANhajnia" dhe shteti do të orientohet nga zhvillimi e drejtësia.

Kurti: Kemi nevojë për ndryshim, zgjedhjet janë mundësia

“Ne kemi nevojë për ndryshim. Kemi nevojë për solidaritet midis të rinjve dhe të moshuarve, për solidaritet midis gjeneratave aktuale dhe brezave të ardhshëm. Kjo nënkupton para se gjithash kujdes për ambientin, borxhin publik, arsimimin dhe për infrastrukturën. E për këtë e shumëçka tjetër, për këtë e gjithçka tjetër, zgjedhjet e reja janë mundësia, kurse qeverisja e re është garancia”, ka thënë Kurti

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, potencoi se në krye të shtetit duhet të vinë njerëz si Albin Kurti, të cilët vërtetë e duan Kosovën.

Bahtiri: Albin Kurti duhet të jetë në krye të vendit

“Vështirësitë për të qenë në krye të vendit, po i shohim bashkërisht. Bëhen bashkë për ta mposhtur atë që e donë këtë vend. Kësaj radhe nuk guxojmë të lëshojmë pe, të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’i vendosim ata njerëz të cilët me të vërtetë e duan këtë vend, dhe këtë vend e donë Albin Kurti”, theksoi Bahtiri.

Edhe Faruk Mujka, kryetar i Vetëvendosjes në Mitrovicë, njëherësh nënkryetar i komunës, tha se Mitrovicën dëshirojnë ta përmbysin nga varfëria dhe se nuk mjafton puna në komunë për ta kthyer zhvillimin në Mitrovicë.

Duke vlerësuar se Kosova ka nevojë për ndryshime të mëdha, ai shtoi se duhet një koncept i zhvillimit ekonomik çfarë kjo qeveri nuk e ka, për t’u ndalur hajnia, korrupsioni dhe të fillojë punësimi për të gjithë.

Mujka: Duhet ndryshuar thelbi i politikës së qeverisjes

“Mitrovica ashtu si krejt Kosova,  ka nevojë për ndryshime të mëdha. Nuk mund të vazhdojmë ta gënjejmë veten vetëm me vazhdimin e të njëjtave politika nga pushtetarë të ndryshëm. Jo, duhet ndryshuar vetë thelbi i politikës së qeverisjes. Na duhet ndryshim i mendësisë, e jo vetëm i njerëzve”

Në anën tjetër, Mevlyde Hyseni nga shoqëria civile, u shpreh e brengosur me kahjen në të cilën është duke shkuar shteti i Kosovës dhe shoqëria e saj në përgjithësi.

Hyseni: Jam e brengosur për kahjen që jemi duke shkuar

“Jam e brengosur me zhvillimin e shtetit tonë dhe shoqërisë në cilën kah jemi duke shkuar. Shumica e rinisë kosovare duan të ikin nga vendi duke kërkuar një perspektivë më të mirë dhe një jetë më të dinjitetshme diku tjetër”, tha ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat