Dy muaj nga skandali i së miturës nga Drenasi, flasin prokuroria, komuna dhe familjarët e të akuzuarve

Aktuale

Dy muaj nga skandali i së miturës nga Drenasi, flasin prokuroria, komuna dhe familjarët e të akuzuarve

Më: 6 prill 2019 Në ora: 18:35
E mitura në Drenas

Dy muaj të kaluar nuk i mjaftuan prokurorisë të ngrisë aktakuzë për rastin e abuzimit të së miturës në Drenas.

Saktësisht dy muaj më parë, më 6 shkurt ishte publikuar skandali i abuzimit seksual të së miturës nga mësimdhënësi i saj, dhe hetuesi policor në Drenas.

Lidhur me rastin, në paraburgim janë duke qëndruar ish-zëvendësshefi i hetimeve në policinë e Drenasit, Vesel Veseli, profesori  Shkëlzen Xhekaj ndërkaq që në arrest shtëpiak janë avokati Gazmend Halilaj dhe gjinekologu që dyshohet se kreu abortin e së miturës, Fehmi Ahmeti.

Mirëpo, dyshimet se edhe persona të tjerë janë të përfshirë në këtë skandal, shtynë prokurorinë të zgjerojë hetimet e saja si dhe ngritjen e aktakuzave.

Në pyetjen se a është intervistuar ndonjë tjetër zyrtar policor apo mësimdhënës në lidhje me rastin në fjalë, nga prokuroria e Prishtinës kanë thënë se rasti është ende nën hetime, dhe se prokurori i çështjes është duke u marrë ende me rastin në fjalë.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj lidhur me rastin e abuzimit te se miturës nga Drenasi, ju njoftojmë se rasti është duke u trajtuar nga prokurori i çështjes, i cili është duke i zhvilluar hetimet në këtë çështje penale. Transmetimi i çdo informacioni tjetër në këtë fazë, mund të ndikojë negativisht në dëmtimin e procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

E ishte vetë drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj i cili në raportimin e tij para Komisionit Parlamentar kishte thënë se në lidhje me rastin janë duke u hetuar edhe zyrtarë tjerë policorë.

Për këto deklarata, lajmi qe gati një javë ka kërkuar përgjigje nga Inspektorati Policor i Kosovës mirëpo një të tillë nuk e ka marrë.

Zgjerimi i hetimeve duket se do të përfshijë edhe mësimdhënës të tjerë në gjimnazin ku e mitura mbante mësim.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në një paraqitje televizive kishte thënë se në lidhje me rastin në  fjalë janë duke u hetuar edhe disa mësimdhënës të tjerë.

Pikërisht për këtë paraqitje televizive të Lladrovcit, media ka kërkuar përgjigje nga komuna e Drenasit, nëse këta të fundit në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit kanë marrë masa ndaj ndonjë mësimdhënësi tjetër, i cili dyshohet se është pjesë e skandalit.

Të njëjtit duke refuzuar t’i përgjigjen pyetjes, kanë thënë se kryetari Lladrovci sipas tyre e ka sqaruar të gjithë situatën përmes asaj interviste dhe nuk kanë se çfarë t’i shtojnë deklaratës së tij.

“Në lidhje me kërkesën tuaj për informacione shtesë  ju njoftojmë se kryetari Lladrovci  e ka sqaruar  në intervistën e tij gjithë atë që tani për tani mund të thuhet për këtë çështje dhe nuk ka më shumë për të shtuar për këtë çështje e cila ende është nën hetime”, është thënë në përgjigjen e komunës së Drenasit.

Media ka kontaktuar edhe me vëllaun e policit të akuzuar, Vesel Veselit për të marrë një qëndrim të tij për procedurën e zhvilluar deri më tani.

Duke mos dashur të deklarohet, ai ka thënë se e vërteta do të dalë shpejtë në shesh dhe se këtë çështje ia ka lënë në dorë avokatit të Veselit, Bekim Kafexholli.

Nga ky i fundit media ka kërkuar përgjigje për procedurën e zhvilluar deri më tani si dhe për numrin e intervistimeve të Vesel Veselit nga Prokuroria, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Skandali seksual i publikuar në shkurt të këtij viti kishte ngjallur reagime të mëdha në opinion.

Përveç raportimeve të mediave botërore, në Prishtinë dhe Drenas ishin mbajtur protesta masive në të cilat ishte kërkuar drejtësi për viktimën dhe ndëshkim për abuzuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat