Haradinaj: Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve, ne arritëm ta ruajmë identitetin tonë

Aktuale

Haradinaj: Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve, ne arritëm ta ruajmë identitetin tonë

Më: 7 prill 2019 Në ora: 10:07
Ramush Haradinaj në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë
“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, i ftuar nga Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot ndihet jashtëzakonisht i nderuar që e ndajnë këtë kohë bashkë duke thënë se bashkëkryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail - Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.
 
“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përçark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, shtoi ai.
 
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj theksoi se toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetësës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjten Nënë Terezën.
 
Në nderim të kësaj date dhe gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe, në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim.
Kryeministri Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së.
 
Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:
 
Të dashtur motra e vlëllezër, shqiptarë të Komunitetit Katolik Shqiptar – Shën Pali në Detroit;
Të dashur malësorë, motra e vëllezër nga do që vini;
Të dashur Prijës të Kishës sonë, këtu në Michigan, Dom Fred Kalaj dhe Nik Gjonaj;
 
Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-tës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit.
 
Jam sot me Ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përçark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë!
 
Kryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjës së flamurit në Vlorë nga Ismail - Qemal Vlora si dhe shpalljës së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.
 
Sot kur kujtojmë 108-vjetorin e Malësisë, dua të përmend prijësit që i prinë asaj, Dedë Gjo Lulin që i priu Hotit, Dedë Nikë Martinin e Grudës, Dodë Prëçin e Kastratit, Palë Lucën e Këlmendit, Gjon Ucin e Vuklit, Gjon Sokolin e Nikçit, Tomë Nikën e Shkrelit, Mehmet Shpendin e Shalës dhe Prëtash Zekën e Kojës.
 
Për me e ditë se kush jemi ne shqiptarët dhe me i njoftë rrënjët tona të thella në histori duhet ta kujtojmë lidhjen tonë si mishi me thonin, sepse atëbotë edhe autoritetet osmane u shpërndanë shqiptarëve myslimanë të atyre trevave rreth 4 mijë armë, për me nxitë konflikt ndërmejt shqiptarëve të të njëjtit gjak. Por popullsia shqiptare e besimit mysliman e priti me shpërfillje këtë propagandë, siç i shpërfilli gjatë tërë historisë së re pykat e përçarjës.
 
Toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetësës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohenme të Shenjten Nanën tonë, Terezen!
 
Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve për shtëpinë e shqiptarit që është  e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit, si përkujtim të përpjekjeve tona ndër shekuj, ne arritëm ta ruajmë identitetin tonë Dardan-arbnor dhe të bëjmë miq të mëdhenj, përtej Atlantikut, edhe këtu në tokën amerikane.
 
Dhe sot, i madh e i vogël, shqiptarë kahdo që janë, përditë angazhohen për vazhdimësinë, kultivimin dhe thellimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në dhe kombin bujar amerikan.
 
ShBA-ja dhe aleatët e saj europianë, mbështetur në vlerat e përbashkëta, parandaloi gjenocidin në Kosovë. Për këtë shqiptarët kudo që janë do të jenë përjetësisht mirnjohës Amerikës dhe amerikanëve dhe ata e ndjejnë si obligim shpirtëror të jenë përjetësisht krah tyre, si një komb euro-atlantik.
 
Duke e dëshmuar këtë moment, në këtë Tempull të Zotit dhe njeriut që flet shqip, sot, nuk mundem e të mos përmend martirizimin tonë që nga Dardania antike, Shën Florin e Laurin nga Ulpiana afër Prishtinës, martirizimin e shqiptarëve të krishter, nën regjimin komunist e deri në Kosovën e sotme, duke mbrojtur tokën e të parëve tanë dhe identitetin tonë Perëndimor, përmes sakrificave të mëdha në çdo cep të atdheut, dhe pikërisht këto ditë po i kujtojmë martirët e Kosovës të masakruar 20-vjet më parë.
 
Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të gjitha kohrave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë, ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe  fryma jonë e shenjt që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër…
Lavdi e përjetshme të gjithë brezave të luftëtarëve shqiptarë! Hiri i Hyut qoftë me Ju!
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat