Baraliu: Korrigjimin e kufijve e pamundëson Kushtetuta

Aktuale

Baraliu: Korrigjimin e kufijve e pamundëson Kushtetuta

Më: 7 prill 2019 Në ora: 11:02
Mazllum Baraliu

Jetësimi i idesë që Kosova Lindore t’i bashkohet Kosovës, pamundësohet nga Kushtetuta e vendit. Kjo pasi që të ndodh ndryshimi i kufijve së pari duhet të ndryshohet Kushtetuta, e ndryshimi i saj nuk mund të bëhet pa 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe pa 2/3 e votave të deputetëve nga pakicat.

Kështu deklaron profesori universitar Mazllum Baraliu, i cili thotë se ideja e korrigjimit të kufijve është e pamundur të realizohet, pasi sipas tij, ka barriera kushtetuese të cilat janë të patejkalueshme.

Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me shtetin Serb, që Presheva me rrethinë t’i bashkohet Kosovës, pamundësohet nga vetë Kushtetuta.

Profesori Baraliu deklaron se idetë e korrigjimit të kufijve ndër vite kanë prodhuar vetëm fatkeqësi, prandaj, sipas tij, kjo ide e korrigjimit të kufijve është e importuar nga qarqet lindore, nga Rusia dhe nga Serbia.

Baraliu: Kjo Qeveri nuk i ka as 61 vota

“Si ide unë mendoj se nuk do të duhej të zbatohej, besoj që tash është e qartë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, për faktorin ndërkombëtarë edhe për faktorin vendor se kjo ide nuk mund të gjejë zbatim për arsye edhe të problemeve kushtetuese dhe pasojave. Kushtetuta e Republikës së Kosovës po të ndodhte një veprim i tillë do të duhej që në Parlament, pra negociatat, marrëveshja që do të lidhej eventualisht nga kushdo qoftë në përfaqësuesit institucional të Kosovës, do të duhej që të miratohet në Kuvend dhe në Kuvend duhen 2/3 e Kuvendit. Ndërkohë që kjo Qeveri tani jo vetëm që nuk i ka 2/3 e votave të Parlamentit, por nuk e ka as atë që quhet shumicë e thjeshtë nuk i ka as 61 vota, hera herës ka probleme serioze në zbatimin e agjendës legjislative nga ana e Kuvendit”, thotë ai.

Përveç kësaj, Baraliu thotë se që të realizohet një ide e tillë, duhen edhe 2/3 e votave nga deputetët e komuniteteve. Sipas Baraliut, për këtë nuk mund të llogarisin në votat e deputetëve nga Lista Serbe.

Baraliu: Duhen 2/3 e deputetëve nga komunitetet

“Mund të ketë pasoja të tjera dhe pengesa të tjera siç është shumësia ose shumica e dyfishtë e banditerit e cila përveç shumicës të të gjitha subjekteve politike që duhet të votojnë, do të duhej të votojnë edhe shumica e komuniteteve. Ndërkohë që Lista Serbe si anëtarë i koalicionit qeverisës tani është që kaq muaj është jashtë Parlamentit, jashtë Qeverisë, jashtë institucioneve dhe është e kundërta e një realiteti objektiv të themi dhe integrativ institucional në Kosovë. Por, është një barrierë që i bëhet vazhdimisht nën pretekstin e kërkesave të ndryshme që janë dhe kërkesave të Beogradit, pra të teledirigjuara nga Beogradi. Kjo fuqi politike, kjo forcë politike është e instrumentalizuar dhe ajo do të duhej të ishte pjesë vendimtare e këtij problemi, pra miratimit të ndonjë marrëveshjeje dhe ratifikimit të saj eventualisht për këmbimin e territorit ose korrigjimin e kufijve. Prandaj ka shumë probleme , në radhë të parë kushtetuese që janë barrierë e patejkalueshme dhe po të donte dikush të përqafonte këtë ide unë mendoj që barrierat kushtetuese janë të tilla që nuk do të lejonin që kjo të realizohet”, shprehet ai.

Për profesorin Baraliu, deklaratat se Serbia do të jap Kosovën Lindore pa marrë asgjë, janë iluzione. Madje, ai thotë se kushdo që e njeh Serbinë e dy shekujve të fundit, e di që ajo kërkon territore dhe nuk jep territore.

Baraliu: Serbia ta jap Kosovën lindore dhe të mos merr asgjë është e parealizueshme

“Ajo ide është iluzioniste që Serbia ta jap Kosovën lindore dhe të mos merr asgjë është e parealizueshme, për më tepër kur e kemi parasysh diskursin e saj që nga Tadiqi si president i saj e deri tek Vuçiqi që ka thënë që nuk mundet dikush të fitoi çdo gjë, siç e konsiderojnë Kosovën, dhe dikush të humbë çdo gjë. Prandaj, kjo teori është teori ekspazioniste  që flet shumë që Serbia nuk e heq dorë nga territoret, por kërkon territore”, deklaron ai.

Baraliu ka folur edhe për dialogun me shtetin serb, ku ka thënë se për ta njohur Serbia Kosovën duhet të ndryshohet komplet klasa politike aktuale në Serbi.

Baraliu: Që ta njihte Kosovën në Serbi duhej të kishte tjetër udhëheqje

“Jam i bindur për më tepër se Serbia do ta njihte në mënyrë klasike Kosovën, Serbia po ta bënte këtë do të duhej të kishte tjetër udhëheqje, do të duhej të kishte tjetër Kushtetutë në fuqi, do të duhej të kishte tjetër klasë politike dhe jo një klasë politike që është trashëgimtare e trashëgimisë së Millosheviqit. Pra, një trashëgimi gjenocidiale që ka bërë disa luftëra dhe gjenocide jo vetëm në Kosovë, në Bosnje dhe gjithandej. Unë mendoj që Serbia po taktizon, Serbia nuk e ka vitale interesin që ta njoh Kosovën, ajo ndoshta do ta normalizojë ta nënshkruaj një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, por jo edhe për njohje klasike. Edhe po të ishte njohja klasike nuk do të thotë gjë, asgjë Kosovës as nuk i duhet njohja klasike në kuptimin diplomatik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare klasike nga Serbia, sepse Serbia përsëri do të vazhdojë të punojë kundër Kosovës në çdo dimensio n”, thotë ai.

Por, ai thotë se edhe po të ndodh njohja nuk do të kishte stabilizim të marrëdhënieve, pasi sipas tij, shteti serb nuk i zbaton marrëveshjet e arritura.

Kujtojmë se ideja për bashkimin e  Preshevës dhe rrethines së saj me Kosovën ka dal vitin e kaluar nga presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat