Kërkohet shkarkimi i Pacollit

Aktuale

Kërkohet shkarkimi i Pacollit

Më: 7 prill 2019 Në ora: 12:33
Behgjet Pacolli, foto: Bota sot

Dështimi në arritjen e sjelljes së njohjeve të reja për Kosovën, tash e trembëdhjetë muaj dhe mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ka bërë që të kërkohet dorëheqja ose shkarkimi i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Ndërsa ky i fundit thotë se ato nuk mund të merren si me magji.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit të saj, Ismet Beqiri shprehet se ka stopim të njohjeve të reja dhe për gjithë këtë dështim diplomatik, siç konsideron ai duhet të kenë përgjegjësinë gjithë bartësit e institucioneve.

Për pozitën aktuale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, Beqiri thotë se ajo asnjëherë nuk ka qenë më e keqe.

Beqiri: Nuk kemi efektivitet në diplomacinë tonë, kemi ngecje të jashtëzakonshme

“Ne kemi institucione që fatkeqësisht nuk kanë  kredibilitet dhe nuk janë duke e kryer punën siç duhet. Përkundrazi janë duke bërë dëme të mëdha vendit. Në mungesë të këtij kredibilitetit brenda në vend, mund të kredibiliteti dhe besueshmërie kanë jashtë vendit. Andaj dhe në gjendjen që jemi, kjo po reflekton dhe në aspektin diplomatik ne kemi aktualisht një gjendje jashtëzakonisht të keqe, në aspektin e relacioneve përgjithësisht ndërkombëtare, me theks të veçantë në aspektin diplomatik dhe rreth njohjeve...mbi 1 vit nuk kemi njohje, nuk kemi efektivitet në diplomacinë tonë, kemi ngecje të jashtëzakonshme, kjo i bën përgjegjës gjithë bartësit e institucioneve”, thotë deputeti i LDK-së Ismet Beqiri.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar, pasi sipas tyre nuk po lobohet për njohje dhe anëtarësim në organizata multilaterale, por në ndarje dhe korrigjim të kufijve.

Deputetja nga radhët e kësaj partie, Fitore Pacolli për gjithë këto dështime, siç i cilëson ajo, në diplomacinë kosovare duhet dorëheqja e ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, dhe jo vetëm e tij.

Për mundësit e njohjeve të reja, deputetja e VV-së për KosovaPress shprehet se nuk do të ketë asnjë njohje të re deri sa është kjo situatë. 

Pacolli: Diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar

“Diplomacia e shtetit të Kosovës ka dështuar dhe po vazhdon me atë ritëm, ne nuk kemi diplomaci. Nuk kemi lobim,  shqetësuese mbetet ajo që tani presidenti po lobon që të njihet dhe të përkrahet iniciativa e tij për korrigjim të kufijve. Ne patëm deputetin e përfaqësueseve në Britani i cili e thekson se presidenti i Kosovës ka shpenzuar mjaft para për me i bërë shtetet që e kanë njohur Kosovën për me përkrah iniciativën e tij. Pra, në vend që ne të lobojmë për njohje, ne po lobojmë për ndarjen e Kosovës. Presidenti i Kosovës po lobon për ndarje të Kosovës. Këtu është problemi dhe nuk do të ketë asnjë njohje deri sa është kjo situatë. Kush e mban përgjegjësinë, përgjegjësinë e mban ky president, ministri i Punëve të Jashtme, dhe Kryeministri. Që të tre duhet të japin dorëheqje”, thotë deputetja Pacolli.

Se ka dështim në diplomaci e thonë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

 Profesori universitar, Afrim Hoti, thotë se diplomacia kosovare është pranë kolapsit, për shkak të dështimeve të vazhdueshme dhe mos arritjes së realizimit të objektivave.

Për gjitha këto, Hoti kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e ministrit të Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Hoti: Mendoj që është akti elementar që ministri i Punëve të Jashtëm të shkonte

“Diplomacia tashmë nuk ka ndonjë objektiv të qartë, shërbimi i jashtëm është krejtësisht i politizuar dhe nuk ndërtohet në bazën e meritokracisë, por më shumë se kaq është i ndërtuar ose funksionon mbi bazën e kusuritjeve dhe aritmetike dhe matematikave politike mes subjekteve qeverisëse dhe si rrjedhojë kanë sjell vendin, në kuptimin ose sferën e diplomacisë para kolapsit...deri më tani nuk po shohim llogaridhënie, nuk po shohim transparencë, madje dhe tërheqje më ekstreme, në ato raste siç është rasti tash me diplomacinë do t’i bënte mirë qeverisë në radhë të parë, por mbi të gjitha vendit. Gjithsesi, në ato raste kur dështojmë të marrim anëtarësinë në organizata ndërkombëtare, nuk marrim njohje. Përkundrazi, ballafaqohemi me tërheqjen e njohjeve, mendoj që është akti elementar që ministri i Punëve të Jashtëm të shkonte”, deklaron Hoti.

Përkundër gjitha këtyre akuzave, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke arsyetuar mungesën e njohjeve tha se ato nuk janë një gjë magjike që shkon dhe i merr, por janë shumë të komplikuara.

Pacolli: Njohjet nuk janë një gjë magjike që shkon dhe i merr

“Njohjet nuk janë një gjë magjike që shkon dhe i merr. Njohjet janë jashtëzakonisht të komplikuara  për arsye se nuk është vetëm vullneti i një personi”, ka thënë ministri Pacolli.

Kujtojmë se shteti i Kosovës është përballur dhe me pretendime të tërheqjeve të njohjeve, të cilat gjithmonë i ka mohuar shefi i diplomacisë e Kosoves.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat