Thaçi zotohet të respektojë Kushtetutën në vendimmarrjet e ardhshme

Aktuale

Thaçi zotohet të respektojë Kushtetutën në vendimmarrjet e ardhshme

Më: 8 prill 2019 Në ora: 18:50
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Në shënimin e 11-vjetorit të Ditës së Kushtetutës të Republikës së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi theksoi se mbi bazën e kësaj Kushtetute, qytetarët janë të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të sigurt të Kosovës, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj.

Presidenti Thaçi ka listuar parimet bazë të Kushtetutës së Kosovës, të cilat duhet të respektohen, përkatësisht respektimin e plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve legjislative dhe ekzekutive të saj, sovranitetin, barazinë para ligjit.

Thaçi: Kushtetuta përcakton qartë kornizat e shtet-ndërtimit

“Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë bazamentin dhe kornizat e shtet ndërtimit dhe funksionimit të tij. Edhe sot Kosova zotohet për forcimin e shoqërisë multi-etnike. Para pak muajsh institucionet tona implementuan edhe një obligim tjetër kushtetues dhe ligjor, themelimin e Ushtrisë së Kosovës si një ushtri multi-etnike dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, e cila në të ardhmen e afërt do të funksionojë jo në mënyrë parciale, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Ky është obligim kushtetues dhe unë si president i Kosovës do të respektoj në tërësi në vendimmarrjet e mija vijuese. Po ashtu, ftoj Qeverinë e Kosovës që pa hezitim dhe pa mëdyshje, të respektojë ligjshmërinë në çdo sferë të jetës institucionale, në gjithë Kosovën”, tha Thaçi.

Ai porositi qeverinë po ashtu që të mos ndodhë kompromisi me ligjin në emër të përkatësisë etnike apo lojalitetit politik ditor, në mënyrë që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të Kosovës, ka vlerësuar se Kushtetuta është një dokument që garanton të arriturat për vendin, andaj kërkoi që Kushtetuta të respektohet.

Veseli:  Kushtetuta mbi standardet demokratike

“U ngritëm për të kërkuar të drejtën, për të kërkuar lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin si komb i lirë me dinjitet i Evropës sonë. Mbi këtë bazë u ngrit edhe UÇK-ja, mbi bazën e lavdisë të së cilës sot ne gëzojmë shtetin tonë e të pavarur e sovran, Republikën e Kosovës. Po ashtu, edhe këtë Kushtetutë mbi standardet më të larta demokratike, e ndërtojmë dhe e zhvillojmë edhe shtetin tonë të pavarur e sovran”, tha Veseli. 

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se baza e një shoqërie progresive dhe demokratike është sundimi i ligjit, ndërsa baza e tij është Kushtetuta.

Tahiri: Kemi vepruar mbi mësimet që Kushtetuta jonë i ka skalitur nëpër kapitujt e saj

“Pas 11 vjetësh shtetësi, që udhëhiqet nga kjo Kushtetutë, si shtet dhe si shoqëri kemi tejkaluar së bashku sfidat e ndryshme. Kemi marrë udhëzime, dhe kemi vepruar mbi mësimet që Kushtetuta jonë i ka skalitur nëpër kapitujt e saj”, tha Tahiri.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi Rama, theksoi se institucioni që ajo drejton dhe gjyqtarët e saj janë të pa kompromis në garantimin e kushtetutshmërisë në vend.

Thaçi tregon se sa e shenjtë është Kushtetuta për të, u kërkon të tjerëve mos ta shkelin

Kreu i shtetit, që më së shpeshti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e aktit më të lartë juridik të shtetit, u ka treguar të tjerëve se si nuk duhet të bëjnë kompromis me ligjin për interesa politikë.

Presidenti Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimin të 11-të vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kreu i shtetit ka thënë se mbi bazën e kësaj Kushtetute, qytetarët janë të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

“Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë bazamentin dhe kornizat e shtetndërtimit dhe funksionimit të tij”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se edhe sot Kosova zotohet për forcimin e shoqërisë multietnike, derisa para pak muajsh institucionet tona implementuan edhe një obligim tjetër kushtetues dhe ligjor, themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ushtri multietnike dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, e cila në të ardhmen e afërt do të funksionojë jo në mënyrë parciale, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

I pari i vendit ka ftuar Qeverinë e Kosovës që pa hezitim dhe pa mëdyshje, të respektojë ligjshmërinë në çdo sferë të jetës institucionale, në gjithë Kosovën.

“Të mos ndodh kompromisi me ligjin në emër të përkatësisë etnike apo lojalitetit politik ditor. Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë vetëm kur sovraniteti dhe ligjshmëria respektohet në gjithë territorin e Kosovës. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Vetëm ata që e respektojnë ligjin, mund të jenë në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ka shënuar progres edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Ka ndërtuar fqinjësi të mirë dhe ka përmbyllur demarkacionin me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Raporti Kosovë – Serbi mbetet shpresë për një të ardhme më të mirë”, ka theksuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, kjo mund të arrihet atëherë kur bashkësia ndërkombëtare do të jetë unike në raport me Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, e jo të flas më shumë zëra dhe interesa të ndryshme taktike, që sfidojnë interesin strategjik për të ardhëm euroatlantike të Kosovës dhe më gjerë.

“Si në të kaluarën, edhe sot bashkësia ndërkombëtare mund të kontribuojë në unifikimin politik dhe institucional të Kosovës. Askush të mos pres të ndodhë e kundërta”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka listuar parimet bazë të Kushtetutës së Kosovës, të cilat duhet të respektohen, përkatësisht respektimin e plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve legjislative dhe ekzekutive të saj, sovranitetin, barazinë para ligjit, përdorimin e gjuhëve, përdorimin dhe respektimin e simboleve të të gjitha etnive, vlerat etnike dhe të barazisë qytetare, trashëgiminë kulturore dhe fetare të të gjitha etnive, forcimin e ekonomisë, lirinë e lëvizjes, lirinë e shprehjes, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të drejta të tjera.

Presidenti Thaçi në fund ka uruar të gjithë qytetarët për 11 vjetorin e Kushtetutës, duke falënderuar miqtë ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, që na ndihmuan në hartimin dhe implementimin e kësaj Kushtetute.

‘Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë kur respektohet sovraniteti i Kosovës’

Ministria e Drejtësisë sot pasdite organizoi pritje solemne në shënimin e 11-vjetorit të Ditës së Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidenti Hashim Thaçi theksoi se Kushtetuta si akti më i lartë juridik përcakton bazamentin për sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës.

“Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë vetëm atëherë kur respektohet i gjithë sovraniteti i plotë i Kosovës”, tha ai.

Thaçi u zotua se institucionet e vendit do të vazhdojnë të respektojnë parimet bazë të Kushtetutës për sovranitetin e plotë, për barazi, lirinë e lëvizjes.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të Kosovës, ka vlerësuar se Kushtetuta është një dokument që garanton të arriturat për vendin, andaj kërkoi që Kushtetuta të respektohet.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Kushtetuta është themeli i rendit juridik, politik e ekonomik e social, ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi Rama, theksoi se ky institucion do të jetë i pa kompromis në respektimin e Kushtetutës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat