Vetëvendosje akuzon pushtetarët për shkelje të Kushtetutës

Aktuale

Vetëvendosje akuzon pushtetarët për shkelje të Kushtetutës

Më: 9 prill 2019 Në ora: 15:14
Albulena Haxhiu dhe Besnik Bislimi

(E plotësuar) - Në 11-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar pushtetarët se e kanë shkelur aktin më të lartë juridik dhe asnjëherë nuk kanë dhënë përgjegjësi për këtë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe pushtetarët kanë plane që të gjitha privilegjet që dalin nga pushteti publik t’i privatizojnë për vete.

Haxhiu theksoi se Kosova ka nevojë për një Kushtetutë që është shprehje e vullnetit të popullit, por jo për ndryshime të cilat do ta dëmtonin Kosovën dhe qytetarët.

Haxhiu: Privilegjet e pushtetit publik, pushtetarët po i privatizojnë për vete

“Për 11 vite jemi dëshmitar të së kundërtës, pra e cila qëllimshëm është instaluar në Kosovë nga një kastë pushtetarësh që kanë plan të detajuar se si të gjitha privilegjet që burojnë nga pushteti publik t’i privatizojnë për veten dhe të vetët. Një grup pushtetarësh që janë mbi ligjin dhe janë të paprekshëm dhe në anën tjetër qytetar që shtypen e diskriminohen nga pushteti që duhet të ishte publik dhe për publiken. Askush se ka besuar që 11 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës do të jetë sfidë e madhe të jesh qytetar e qytetare e Kosovës. Është sfidë e madhe sepse fatkeqësisht shteti nuk po e siguron as barazinë, as drejtësinë shoqërore as ndaljen e diskriminimit, as punën, as pronën publike, as arsimin, as shëndetin, as jetën”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se Kushtetutën e Kosovës pushtetarët e shkelën sa herë deshën dhe asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi për këto shkelje.

Ajo tha se opozita, së bashku m qytetarët, duhet të angazhohen për largim të qeverisjes aktuale.

Haxhiu: Pushtetarët e shkelën Kushtetutën dhe asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi

“Përballë qytetarëve të pambrojtur qëndrojnë kasta e pushtetit, ata vunë pasurinë në kurriz të punës së ndershme të qytetarëve tanë dhe të të mirave publike e të përbashkëta. E shkelën ligjin e Kushtetutën sa herë deshën dhe kurdo që deshën, dhe asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi për këto shkelje...Kjo gjendja natyrisht nuk mund të ndryshojë pa angazhimin e përbashkët opozitar dhe qytetar, prandaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi nisur tubimet tona”, vijoi Haxhiu.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi tha se sot Kushtetuta e Kosovës shkelet më së shumti nga ata që konsiderohen si mbrojtësit e saj.

Sipas Bislimit, Qeveria Haradinaj përmes vendimeve dhe skandaleve të përditshme e ka shkelur çdo aspekt të rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.

Ai tha se kjo qeveri po krijon pabarazi të madhe në mes qytetarëve duke shkelur nene të shumta të Kushtetutës së Kosovës.

Bislimi: Shkeljet e Kushtetutës i kemi sihariq nga kjo klasë politike

“Krejt këto shkelje të Kushtetutës i kemi si sihariq nga kjo klasë politike e cila sa herë që e shkel atë i lanë duart duke u thirrur në parimet e vetë Kushtetutës sonë. Sot Kushtetuta e Kosovës më së shumti shkelet nga ata që ai i definon si mbrojtësit kryesor të saj”, u shpreh Bislimi.

Kujtojmë që 9 prilli shënohet si Dita e Kushtetutës së Kosovës, dokument ky i cili e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

Vetëvendosje sqaron hapjen e zyrës së re në Tiranë të VV-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se ky subjekt politik vetëm ka bërë kërkesë për të regjistruar një qendër të saj në Tiranë, e cila me status nuk i lejohet që të garoj në zgjedhjet e Shqipërisë.

Ajo tha se duke parë punën që është bërë që nga viti 2006 edhe në Tiranë nga Vetëvendosje, kanë vendosur ta regjistrojnë një qendër atje me qëllim që idetë e tyre t’i shpërndajnë edhe atje.

Ajo tha se në krye të kësaj qendre do të jetë Bojken Abazi.

“Çfarëdo që ka ndodhur në Kosovë jemi përpjekur që të organizojmë takime, tubime, aktivitete të ndryshme edhe në Tiranë. Tani çfarë po ndodh është një strukturim i asaj që kemi bërë deri tani. Kemi mbështetje të madhe dhe anëtarë të shumtë që e përkrahin Lëvizjes Vetëvendosje, por kjo çka kemi bërë është  vetëm një kërkesë për ta regjistruar një qendër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk ka të bëjë me garimin në zgjedhje ose të jemi parti politike e regjistruar atje. Statuti që e kemi nuk lejon garime në zgjedhje, pra është një lloj qendre e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Haxhiu.

Këto komente deputetja e VV-së i bëri në konferencë për media ku diskutuan për shkeljet që po i bëhen Kushtetutës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat