Tahiri: Kodi Civil projekti më i madh legjislativ pas Kushtetutës

Aktuale

Tahiri: Kodi Civil projekti më i madh legjislativ pas Kushtetutës

Më: 9 prill 2019 Në ora: 15:15
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur për punën e deritanishme në kodifikimin e të drejtave civile që për herë të parë po bëhet në Kosovë.

Sipas Tahirit, në Kodin Civil janë përfshirë parimet e Kushtetutës dhe Shtetit të së Drejtës, barazisë para ligjit por edhe standardet bashkëkohore.

“Këtë vit kur po shënojmë 11 vjetorin e Kushtetutës tonë, Republika e Kosovës do të bëhet edhe me Kodin Civil, si një prej projekteve më të mëdha legjislative që është ndërmarrë pas saj. Kodifikimi i të drejtës civile është ndër projektet themelore të Ministrisë që unë udhëheqë, i cili është duke u realizuar për herë të parë në historinë e shoqërisë dhe shtetit tonë sovran. Parimet e Kushtetutës dhe Shtetit të së Drejtës, barazisë para ligjit dhe standardeve bashkëkohore janë duke zënë vend në projekt Kodin Civil, i cili shënon një hap vendimtar në reformat e drejtësisë në Republikën e Kosovës” ka shkruar Tahiri.

Kodi Civil, sipas Tahirit, përfshin kapitujt e parimeve të përgjithshme, detyrimeve, pronësisë dhe të drejtave sendore, familjes si dhe trashëgimisë, por në fondamenti të këtij projekti është garancia e barazisë para ligjit.

“Projekt Kodi Civil është duke u hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, udhëhequr nga modelet më të avancuara kontinentale dhe referencat progresive të traditave më të mira që njihen në Evropë. Struktura e tij përfshinë kapitujt e parimeve të përgjithshme, detyrimeve, pronësisë dhe të drejtave sendore, familjes si dhe trashëgimisë. Gjatë punës që kemi bërë kemi pasur përkushtim që të drejtat dhe detyrimet, pronësia dhe marrëdhëniet kontraktuale të definohen qartë dhe të gjejnë zbatim të lehtë nga institucionet e sistemit të drejtësisë. Fondamenti i këtij projekti është garancia e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët e Republikës, si instrument juridik që parimet e Kushtetutës tonë i sjellë në një format të zbatueshëm në përditshmëri” ka shkruar Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat