Historia e ‘luftës’ Dardan Molliqaj vs Glauk Konjufca

Aktuale

Historia e ‘luftës’ Dardan Molliqaj vs Glauk Konjufca

Më: 9 prill 2019 Në ora: 21:33
Dardan Molliqaj dhe Glauk Konjufca

Që nga viti 2006 e deri në fund të 2017-ës, Glauk Konjufca dhe Dardan Molliqaj, kanë qenë ndër njerëzit më të afërt me njëri-tjetrin në politikën kosovare.

Të dy ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje – njëri shef i deputetëve të kësaj partie, e tjetri sekretar i Përgjithshëm i partisë.

Protestat, aktivitetet e mbi të gjitha shoqëria e tyre, kishin mbizotëruar gjatë më shumë se 11 vjetëve sa ishin së bashku në parti.

Prishja mes tyre kishin nisur në shtatorin e vitit 2017, atëherë kur kishin dalur partia më e votuar në Kosovë, me rreth 200 mijë vota, e Molliqaj kishte hyrë për herë të parë në Kuvendin e Kosovës.

Pas një debati të brendshëm më shumë se një vit, mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt, kishte bërë që i pari, së bashku me dhjetëra aktivistë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, të dilnin nga partia.

Bashkë me Molliqajn, ishin larguar 13 deputetë të partisë së Albin Kurtit, teksa ndarja mes tyre nuk ishte aspak paqësore.

Akuza dhe kundër-akuza mes Molliqajt dhe zyrtarëve më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, kishin filluar për mënyrën dhe qëllimin e largimeve nga partia.

Kjo bëri që që në këtë ‘luftë’ të futej edhe Glauk Konjufca.

Kishte qenë 14 shkurti i vitit të kaluar, kur në Rubikon të KTV-së, pati ndodhur përballja e parë publike mes një zyrtari të Vetëvendosjes dhe atyre që tashmë ishin larguar nga partia.

Glauk Konjufca dhe Dardan Molliqaj, publikisht po debatonin për “demokracinë brenda Lëvizjes Vetëvendosje”, “largimet nga partia” dhe “arsyet e largimit”.

Në këtë debat, Molliqaj vazhdimisht deklaronte, se kishte respekt për Konjufcën, teksa ky i fundit thoshte se “Molliqaj ka qëllim që ta largojë edhe atë nga Lëvizja Vetëvendosje”.

Konjufca në atë debat pati treguar se si kishte synuar pajtimi mes “dy grupeve” – atë të Dardan Molliqajt dhe Albin Kurtit.

Pati hedhur akuza ndaj Grupit të të larguarve, se kishin qëllim “ndarjen e Vetëvendosjes”.

Këtyre deklarimeve, Molliqaj u ishte përgjigjur se “brenda VV-së nuk kishte më demokraci”, duke thënë se kjo kishte qenë arsyeja e largimeve të tyre.

Konjufca pati thënë se Molliqaj nuk mund të flasë për demokraci, teksa ia ka kujtuar atij rastin kur, vite më parë, kishte nxjerrë një qytetar dhunshëm në rrugë nga vetura e tij.

Ai po ashtu kishte folur për atë që ai e ka quajtur “projekt” të Molliqajt, i konsideruar si udhëheqës i një grupi kundër Albin Kurtit në parti.

“Molliqaj, para një viti e gjysmë apo dy viteve, ka ardhur deri te një projekt”, kishte thënë Konjufca në “Rubikon”.

Debatet mes Konjufcës dhe Molliqajt, kishin filluar që të ashpërsoheshin. Sidomos, pas momentit kur të larguarit nga Lëvizja Vetëvendosje, tashmë ishin inkuadruar në Partinë Socialdemokrate (PSD) – kryetar i së cilës, ishte zgjedhur Shpend Ahmeti – po ashtu i larguar nga Vetëvendosje.

“Lufta” dhe “diskutime të rënda”, mes tyre tanimë nuk bëheshin nëpër studiot televizive, por në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kishte qenë Konjufca, i cili e pati “provokuar” Molliqajn, për debatin në Rubikon, duke i thënë “se nuk mund t’i shërojë njerëzit që pësojnë trauma nga debatet televizive”.

Kjo fjali e Konjufcës, kishte bërë që Molliqaj, publikisht ta pranojë se “e ka humbur” atë debat.

“Po, është e vërtetë që e kam humbur atë debat. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që unë kam humbur debat. Kjo ka ndodh për shkak të respektit që unë e kam pasur për Glauk Konjufcën. Por, do ta shohim tani e tutje. Gjithçka do t’i shpalosim në këtu në seancat e Kuvendit”, pati thënë Molliqaj.

Ashpërsimi i gjuhes mes tyre, pati nisur në momentin kur Konjufca, e krahasoi Molliqajn, me Hashim Thaçin.

Kjo pasi që Molliqaj kishte kërkuar nga zyrtarët e Vetëvendosjes, që të ndalen “sulmet” ndaj të larguarve ndaj partisë, duke i paralajmëruar se do të nxjerr shumë fakte për ta.

Për këtë deklaratë Konjufca, i ishte kundërpërgjigjur Molliqajt, duke thënë se është bërë si Hashim Thaçi – dikur kryetar i PDK-së, tani president i vendit.

“Më paska marr malli me e dëgju Hashim Thaçin në Kuvend. Ai e ka pasur atë stilin, Albin mos fol se unë kam dicka për ty, që me ba me t’i qitë, kuku për ty”.

Përplasje mes tyre kishte pasur në vazhdimësi. Sidomos nën akuzën që “PSD është bërë vegël e pushtetit” e deri tek ajo se “VV nuk dëshiron rrëzimin e qeverisë”.

Eskalimi i “luftës” Molliqaj vs Konjufca, ndodhi në seancën e 2 shkurtit të këtij viti.

Në atë seanca të Kuvendit, Molliqaj publikisht kishte akuzuar Konjufcën se ka qenë pjesë e “ShIK-ut të Kadri Veselit”.

Glauku prin sdi sa e dini po Glauku u kanë në PDK në AAK tash është në VV, unë e ftojë Glauk Konjufcen qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK këtë e kam marr vesh.

Mirë është me kallxu ti edhe tjerët një ka një që jeni kanë në ShIK e po du me ta pa moralin edhe etikën”, pati thënë Molliqaj.

Ndërsa për këtë deklaratë Konjufca i është përgjigjur Molliqaj duke i thënë se “i pranoj pretendimet e Dardanit nëse ka fakte për këtë shpifje”.Pas shumë deklaratave mes tyre për këtë çështje, Molliqaj ka paralajmëruar se “dëshmitë se Glauk Konjufca ka qenë pjesë e ShIK-ut, do t’i publikojë gjatë seancës së Kuvendit, që do të mbahet më 12 prill”.

Molliqaj pati shtuar Konjufca mund ta mbyllte këtë çështje duke e pranuar këtë fakt dhe jo të fshihej ose të shkonte në gjykatë.

Por, tanimë gjithcka kishte nisur. Konjufca vendosi që ta padis Molliqajn për këtë deklaratë.

Ani pse ende nuk është caktuar seanca gjyqësore për këtë rast, shumë shpejt pritet një ballafaqim i Konjufcës me Molliqajn, për këtë akuzë.

Mirëpo, pasi Molliqaj shumë’herë kërkoi debat televiziv për këtë temë dhe refuzimit të Konjufcës për një gjë të tillë, ai dha edhe një tjetër zotim.

Paralajmëroi se në seancën e Kuvendit, që do të mbahet më 12 prill (këtë të premte), do t’i shpalos faktet “të cilat dëshmojnë se Glauku ka qenë pjesë e ShIK-ut”.


Mirëpo, duket se kësaj do t’i paraprijë vetë Konjufca, i cili për këtë të enjte, ka paralajmëruar ‘goditje të forta’ për deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Këtë e bëri të ditur gjatë ditës së sotme, zyrtari i VV-së, Valdrin Ahmeti, i cili në llogarinë e tij Instagram, ka postuar një fotografi me Konjufcën, teksa ka thënë se “Glauku po thotë që për të enjten i ka ca goditje të forta”,ka shkruar zyrtari i partisë së Albin Kurtit, gjersa nuk ka dhënë detaje se për kë bëhet fjalë.

Burime të Blic, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kanë konfirmuar se paralajmërimi i Konjufcës është për Dardan Molliqajn, teksa nuk kanë dhënë më shumë detaje.

“Po, për Dardanin është diçka. Për çka e qysh nuk mund të flas”, ka thënë burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje.“Goditja” e Konjufcës pritet të bëhet në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, këtë të enjte, duke filluar nga ora 18:00, që do të mbahet në Sallën e Kuqe, në Prishtinë.

Kështu, që këtë të enjte dhe të premte, pritet një “goditje” për njëri-tjetrit, nga dy deputetët që dikur kishin qenë në një parti.

Kështu që, edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit, duket se “lufta” mes Glauk Konjufcës dhe Dardan Molliqajt, nuk do të përfundojë edhe për një kohë të gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat