Ibrahim Berisha: Rugova ishte kundër ndarjes së Kosovës

Aktuale

Ibrahim Berisha: Rugova ishte kundër ndarjes së Kosovës

Më: 10 prill 2019 Në ora: 16:37
Foto nga takimi

Munish Hyseni tha se libri përmban intervistat e botuara në shtypin e Kosovës gjatë një periudhe 15-vjeçare  të ish-presidentit Ibrahim Rugova, frymëzuesit e ideologut të demokracisë dhe themeluesit të shtetit të Kosovës, të botuara në shtypin e Kosovës.

“Intervistat e përmbledhura në këtë botim sintetizojnë idetë dhe veprimet koherente të Ibrahim Rugovës në dy plane: në organizimin e brendshëm të shqiptarëve dhe në planin e jashtëm, në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti atë të Kosovës”, tha Hyseni.

Profesori universitar dhe bashkëthemeluesi i LDK-së, Ibrahim Berisha, duke folur për jetën dhe veprimtarin e presidentit Rugova tha se ish-lideri i LDK-së ka qenë këmbëngulës në orientimet e tij strategjike.

Përveç tjerash Berisha foli edhe për idenë, së fundmi si temë aktuale e paraqitur në skenën politike, për ndarjen e Kosovës. Sipas profesorit Berisha, Rugova nuk e kishte përkrahura asnjëherë ndarjen e Kosovës.

“Për ndarjen, qe fjalia e plotë për ndarjen: Ideja për ndarjen e Kosovës është paraqitur nga ish presidenti jugosllav Qosiq. Unë mendojë se ndarja e Kosovës është e pamundshme, sepse jashtë pjesës shqiptare do të mbeteshin të paktën 1 milionë shqiptarë”, citon Berisha presidentin Rugova. 

Publicisti Ibrahim Berisha para të pranishmëve tregoi se si Rugova kishte qenë i afërt me qytetarët dhe gazetarët. Ai tha se Rugova ishte personaliteti i katërt me autoritetin më të madh në ish-Jugosllavi që flet për një koncept demokratik që ishte artikuluar një personalitet publik paqësor dhe që kalonte kufijtë në Kosovë e Shqiptari.  Berisha po ashtu tha se Ibrahim Ruvova si askush, nisi krijimin e miqve ndërkombëtar, duke u shndërruar në një lider për liri dhe pavarësi.

Autori dhe analisti Shkëlzen Gashi deklaroi se i ka lexuar shumë intervista në shtypin vendor, evropian dhe amerikan të Ibrahim Rugovës,  të cilat sipas tij kanë qenë mjaft të rëndësishme.

Ai tha se një prej qëllimeve kryesore të Ibrahim Rugovës ka qenë shmangia e konflikteve, për kundër që Serbia ka pasur qëllime të vazhdueshme për konflikt në Kosovë.

“Rugova e ka pasur të qartë që nëse dhunës së regjimit serb kishin me ju përgjigjur me dhunë, kjo kishte me ndikuar negativisht në konkretizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe rezistencës së tyre, dhe kështu kishte me humbur simpatia ndërkombëtare për Kosovën dhe për çështjen e Kosovës”, tha Gashi.

Ai këto botime i sheh si shumë të rëndësishme ku përmes tyre po njihet më mirë veprimtaria e ish-presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat