Thaçi: Shaban Viqa-Baci nderohet me urdhrin ‘Hero i Kosovës’

Aktuale

Thaçi: Shaban Viqa-Baci nderohet me urdhrin ‘Hero i Kosovës’

Më: 10 prill 2019 Në ora: 21:10
Foto

Familja e atdhetarit Shaban Viqa- Baci, ka pranuar sot nga presidenti dekoratën “Hero i Kosovës” në 10-vjetorin e vdekjes së ish-pjesëtarit të UÇK-së në një akademi përkujtimore mbajtur në Prishtinë.

Presidenti Hashim Thaçi tha se Shaban Viqa-Baci u edukua nga një familje me përcaktim të qartë kombëtar dhe idealin e tij atdhetar e zbuloi më së miri lufta çlirimtare.    

Thaçi: Shaban Viqa nderohet me urdhrin ‘Hero i Kosovës’

“Shaban Viqa ishte i shqetësuar për fatin e shqiptarëve edhe jashtë Kosovës, ai dha angazhimin e tij duke mbledhur rreth vetës luftëtarë te të gjitha viseve, ai diti t’i bashkonte njerëzit, t’i afronte por edhe të jetë në ballë të tyre. Ideali dhe projekti i Shaban Viqës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve. Andaj, Shaban Viqa si luftëtar i UÇK-së dhe të gjitha betejave tjera çlirimtare anekënd ku zhvilluan shqiptarët, secili nga ne që e ka njohur e kujton për veprën e tij madhore. Andaj jeta dhe vepra e Shabanit është e pavdekshme. Bazuar në kompetencat e mia si president i Republikës së Kosovës, kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kam marrë vendim që Shaban Viqa-Baci të nderohet me urdhrin, dekoratën më të lartë të shtetit të Kosovës, me urdhrin ‘Hero i Kosovës’”, tha ai.

I pranishëm në akademinë e organizuar në 10-vjetorin e vdekjes së “Bacit” ishte edhe lideri i BDI, Ali Ahmeti. Ai foli për përjetimet e tij me Shaban Viqën, ku në mes të tjerash tha se Baci do të kujtohet gjithmonë.

Ahmeti: Nga shtëpia e Bacit u mobilizuan dhjetëra-qindra luftëtarë

“Shtëpia e tij nuk ishte shtëpi e rëndomtë por ishte një kështjellë nga ku u mobilizuan në vet organizimin e Bacit, me dhjetëra qindra ushtarë për në front të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ishte shtëpia e Bacit ku u bë depo e kazermë për të furnizuar frontin e Ushtrisë Çlirimtare kombëtare, andaj Shaban Viqa do të kujtohet në jetë të jetëve. Ju familja humbët bashkëshortin, babain, vëllaun, kjo është një humbje e madhe, por sot, me dekorimin e Bacit në Hero të Kosovës, ju keni fituar begatinë më të madhe që mund të ketë një familje, që mund të ketë një njëri”, tha ai.

E kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Shaban Viqa ishte gjithmonë aty ku flitej për atdhe.

Aliu: Shaban Viqa ishte përherë në lëvizje aty ku flitej për atdhe

“Ishim mësuar që praninë e tij ta ndjenim edhe kur e takonim por edhe kur nuk e takonim sepse e dinim që ai ishte përherë në lëvizje duke mos munguar kurrë aty ku dëgjohej një klithje atdheu. Atdhedashuria si virtyt i Shaban Viqës nuk ishte vetëm një portret i një dashurie e adhurimi, atdhedashuria për luftëtarin Shaban Viqa ishte përgjegjësi veprimi deri në vetëflijim”, tha ai. 

Në akademinë përkujtimore të organizuar në 10-vjetorin e rënies së “Bacit”, u tha se Shaban Viqa do të kujtohet gjithmonë për veprën e tij madhore, dhe se jeta dhe vepra e tij janë të pavdekshme.

Në akademi mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, dhe përfaqësues tjerë politikë e bashkëpunëtorë të heroit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat