Shala: Kosova të ketë vetëm një qëndrim në Berlin

Aktuale

Shala: Kosova të ketë vetëm një qëndrim në Berlin

Më: 11 prill 2019 Në ora: 00:29
Haxhi Shala

Platforma për dialogun duhet të jetë qëndrimi i Kosovës në takimin e Berlinit të ftuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, sipas deputetit të Nismës, Haxhi Shala.

Në Interaktiv ai ka thënë se Kosova s’duhet të ketë dy qëndrime në takimin e 29 prillit.

“Një platformë është përgatitur dhe ajo besoj se do të jetë përfaqësim i Kosovës e jo të kenë dy qëndrime siç jemi mësuar deri tash, një nga presidenti e një nga kryeministri. Platforma është qëndrimi i Kosovës karshi dialogut me Serbinë. Kur të mblidhen liderët gjithmonë ka lëvizje. Jemi mësuar me Gjermaninë të ecim përpara. Kosova tash është e gatshme, ka ekipin, dhe është e gatshme për bisedimet finale. Mirë që Gjermania e ka marrë këtë iniciativë. Ka pas qëndrim kundër ndryshimit të kufijve dhe kjo është shumë pozitive për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh me Serbinë është zbehur dhe tash ka mbetur i vetëm në këtë pikë.

“Kjo ka qenë ngritje e temës për të mbetur në skenë. Dihet qëndrimi i qeverisë dhe ai do të jetë qëndrimi zyrtar i Kosovës. Duket që është ndal pak lobimi i tij. Ka lobuar jashtëzakonisht shumë në gjitha vendet e botës e tash duket se ka mbetur vetëm ide e tij sepse ka humbur mbështetjen e vendeve që u është dukur interesante”, ka thënë Shala sipas të cilit qëndrimi unifikues i subjekteve në Kosovë dhe qëndrimi i qeverisë Haradinaj e kanë zbehur këtë ide të presidentit.

Për taksën ndaj mallrave serbe, Shala ka thënë se s’duhet hequr derisa Serbia të kuptojë se s’ka më lojë me Kosovën.

“E kanë kuptuar miqtë tanë edhe vendorët që e kundërshtuan. Duhet të mësohemi me vendimet tona. Të respektohet kur merret vendimi. Është zbehur presioni. Dëshiroj që Serbia të kuptojë se s’ka lojëra me Kosovën siç ka pas deri tash. Ajo po vazhdon si me zgjedhje e të tjera, por taksa mbetet në fuqi. Në momentin që e kupton Serbia se duhet të ulet me Kosovën si fqinje, mund të tërhiqet. Por karshi kësaj diplomacie të saj të egër pse të hiqet”, ka deklaruar Shala.

Shala më tej ka mbrojtur qëndrimin për propozimin që të punësohen disa punëtorë teknikë për Ekipin negociator. Për raportimet që ata njerëz janë të partive që udhëheqin dialogun, Shala ka thënë se “të gjithë janë nëpër parti politike”.

Për ikjet e qytetarëve drejt vendeve të Evropës, Shala ka thënë se është e dhimbshme që njerëzit po shkollohen dhe po shkojnë të punojnë punë fizike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat