Ashpërsim i retorikës politike Prishtinë-Beograd para takimit të Berlinit

Aktuale

Ashpërsim i retorikës politike Prishtinë-Beograd para takimit të Berlinit

Më: 12 prill 2019 Në ora: 09:34
Pamje nga samiti i Ballkanit të zhvilluar në Sofje, Maj 2018, në qendër kancelarja Merkel

Udhëheqësit politikë në Beograd dhe Beograd po ashpërsojnë tonin me akuza dhe kundërakuza para takimit të Berlinit. Shkas për grindje bëhet Masakra e Reçakut, të cilën Vuçiq e cilësoi si trillim të shqiptarëve,

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk ka ndonjë parashikim nëse nga takimi i 29 prillit në Berlin, do të ketë ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi, por, gjithësesi ai këtë takim e sheh shumë të rëndësishëm për vendin. Haradinaj tha se këtë takim që drejtohet nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel dhe Presidenti francez Emanuel Macron, do ta shfrytëzojë për ta shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave.

"Është një nder që në emër të Kosovës e përfaqësojmë Kosovën në këtë takim. Është një takim me peshë dhe është mirë që ky takim do të drejtohet nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron. Takimi i 29 prillit është një mundësi që të ecim përpara edhe me liberalizimin e vizave", tha Haradinaj.

Ashpërsim i retorikës politike

Por para këtij takimi, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të rajonit të Ballkanit dhe ku do të flitet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhnëieve, është ashpërsuar retorika politike ndërmjet udhëheqësve kosovarë dhe atyre ne Serbi. Udhëheqësit politik të Kosovës reaguan ashpër pas një deklarate të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, i cili tha se është e vërtetë një deklaratë e një ministri serb të Kosovës Ivan Teodosijeviq, i shkarkuar nga qeveria Haradinaj ku tha se "masakra e Recakut në Kosovë në vitin 99 ishte trillim i shqiptarëve”.

Për këtë deklaratë të Vuciqit, u shpreh i tronditur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, që e cilësoi deklaratë fyese për Kosovën. "Shpreh brengën time për këto deklarata ofenduese që vijnë nga zyrtarët në Beograd, duke mohuar në këtë kohë, masakrat mbi civilët e pafajshëm të bëra nga forcat e qeverisë serbe në vitet '98-'99. Duke mohuar Reçakun dhe qindra masakra të tjera, kjo është thellësisht shqetësuese dhe nuk jep një sinjal për pajtim”, thotë në reagimin e tij, Presidenti Thaçi.

Edhe partitë politike opozitare në Kosovë në raport me këto deklarime të zyrtarëve në Beograd, janë në një linjë me Presidentin Thaçi. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se "Kosova nuk guxon të hyjë në aventura për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë derisa kjo e fundit të mos e njohë shtetin e Kosovës”.

Image
Ramush Haradinaj

"Si mund të negociohet me dikë që e quan fabrikim masakrën e Reçakut?! Kështu ka deklaruar presidenti serb. Kjo është sikur të mohohet holokausti. Duhet të jemi unik dhe të kërkojmë reagim të fuqishëm nga e gjithë bota demokratike kundër këtyre deklarimeve të Beogradit. Është e qartë se do të na duhen vite dhe ndërrim të disa qeverive në Beograd para se atje politikanët t'i thërrasin ndërgjegjes për krimet e bëra në Kosovë nga shteti serb”, thotë Avdullah Hoti, duke shtuar se "vetëm atëherë Serbia mund të bëjë hapin e madh për njohjen e shtetit të Kosovës dhe normalizim të marrëdhënieve.

BE kërkon dalje nga rrethi vicioz

Në muajt e fundit, sidomos që nga ndërprerja e dialogut Kosovë-Serbi dhe vendosja e taksës për mallrat serbe, ka pasur ashpërsim të tonit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me akuza dhe kundër akuza. Serbia thotë se pa u hequr taksa, nuk rifillon dialogun me Kosovën, ndërsa, Prishtina zyrtare thotë se taksa mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësnë e Kosovës. E kjo situatë nuk po i pëlqen komisionerit të BE-së për zgjerim Johannes Hahn dhe ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Në një letër kembim që po e publikojnë mediet në Prishtinë, thuhet se, "Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të dalin prej rrethit vicioz dhe t'i ndalojnë provokimet e ndërsjella”.

Image
Hashim Thaçi

"Bashkëpunimi rajonal, paqja dhe pajtimi varen nga përkushtimi që tregojnë të gjitha palët, guximi dhe lidershipi politik. Fatkeqësisht, ajo që kemi parë së fundi është e kundërta e kësaj, veçanërisht spiralja e veprimeve në muajt e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, duke reaguar me provokime ndaj njëri-tjetrit”, publikojnë mediet në Prishtinë, një pjesë të letrës së Johanes Hahn.

Haradinaj kritika Mogherinit

Në të njëjtën linjë u shprehen edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara, G7, në takimin e tri dite më parë që u mbajt në Francë, ku ftuan Serbinë dhe Kosovën që të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse e ligjërisht të detyrueshme. "Pa normalizimin efikas e gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës përmes dialogut me ndërmjetësim të BE-së, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon”. Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon ta drejtojë gishtin e akuzës pikërisht tek Bashkimi Evropian, përkatësisht te shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, për atë që ai e quan "devijim të dialogut Kosovë-Serbi. Zyrtarët e BE-së në Prishtinë, thonë se "taksa e vendosur ndaj produkteve serbe ka vashtirësuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Por, kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se taksa nuk e pengon dialogun, ndërsa, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të BE-së Federika Mogherini, sipas tij "ka shkaktuar trauma me diskutimet për shkëmbim territoresh”.

"Pse agjenda evropiane ka pengesa për t'u zbatuar. Po, një vështirësi të madhe e kemi nga komisionerja Federica Mogherini, për faktin se e ka devijuar dialogun me diskutimet për ndërrim të territorit, dhe na ka shkaktuar trauma politike të brendshme dhe në rajon. Fatkeqësisht, një pjesë e energjisë time dhe Qeverisë time ka shkuar për të kundërshtuar një temë si kjo," ka thënë kryeministri Haradinaj në një konferenë në Prishtinë ku u fol për reformat në Kosovë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA)./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat