52 milionë euro do të investohen për modernizim të pajisjeve nëpër spitalet publike

Aktuale

52 milionë euro do të investohen për modernizim të pajisjeve nëpër spitalet publike

Më: 12 prill 2019 Në ora: 10:50
Ceremoninë përmbyllëse të studimit të fizibilitetit për ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve

(E plotësuar) - Mbi 52 milionë euro parashihen të investohen në ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore, e që do të jetë investim nga Komisioni Evropian përmes kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor.

Kështu është bërë e ditur në ceremoninë përmbyllëse të studimit të fizibilitetit për ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore, ku ndër të tjera është bërë e ditur se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është planifikuar që të investohen 26 milionë euro. Investime do të ketë edhe në spitalet e përgjithshme rajonale.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ajo që dëshirojnë të arrijnë me këtë projekt është përmirësimi i infrastrukturës dhe modernizimi i pajisjeve mjekësore në institucionet mjekësore.

Ismaili: Investime rreth 52. 66 milionë euro për QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme

“Studimi që është financuar nga Komisioni Evropian përmes kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor parashihen investime rreth 52. 66 milionë euro për QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme. Janë 26 milionë euro të cilat janë planifikuar për investime në QKUK dhe 26.1 milionë euro në spitale të përgjithshme. Implementimi i këtij studimi të fizibilitetit për ngritje në infrastrukturës fizike në institucionet publike shëndetësore është planifikuar të zhvillohet në dy faza, plani afatshkurtër që të realizohet brenda dy viteve dhe planin afatmesëm që mendohet të realizohet brenda një periudhe 2 deri në 5 vite. Çfarë dëshirojmë ne që të arrijmë përmes këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës dhe modernizimi i pajisjeve mjekësore në institucionet dytësore dhe tretësore, duke ofruar shërbime më të mira diagnostike dhe trajtime më të dinjitetshme për pacientët”, tha ai.

Kreu i shëndetësisë tha se zbatimi i tërësishëm i këtij projekti do të reduktojë diferencat në mes shërbimeve shëndetësore nëpër regjione me ato lokale, duke përdorur pajisje të nevojshme diagnostike dhe terapeutike.

Ismaili tha se modernizimi i pajisjeve nëpër spitale është i domosdoshëm për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

Ismaili: Kosova ka trashëguar një sistem shëndetësor të rrënuar

“Kosova ka trashëguar një sistem shëndetësor të rrënuar, në veçanti me pajisje dhe infrastrukturë të vjetër të cilat nuk janë të denja për kohën që jetojmë. Ballafaqimi me aparaturë të vjetër mjekësore për dy dekada pas luftës ka qenë një kokëçarje e madhe për të gjithë ne, në veçanti qytetarët tanë të cilët në një mungesë të sistemit të mirëfilltë publik shëndetësor vazhdimisht kanë qenë të ekspozuar ndaj varfërimit të mëtejshëm. Në mungesë të pajisjeve në institucionet publike shëndetësore, profesionistët shëndetësor përkundër përgatitjes së tyre profesionale shpesh herë nuk kanë arritur që t’iu japin shërbimet e nevojshme mjekësore qytetarëve tanë. Si rrjedhojë qytetarët tanë janë detyruar që të drejtohen tek institucionet private e shpesh herë edhe jashtë vendit”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e aparaturave shëndetësore ka ditur të jetë shpeshherë një kokëçarje e madhe dhe që ka zgjatur me vite të tëra, ai ka përmendur si shembull repartin e Gastroenterologjisë ku për dy vite me radhë nuk ka pasur pajisje dhe i ka detyruar qytetarët që të kërkojnë shërbime në klinika të tjera.

Ai tha se përmes një plani emergjent vitin e kaluar kanë nisur modernizimin e pajisjeve në institucionet publike shëndetësore, në veçanti në QKUK, por gjatë këtij viti ai tha se do të vazhdojnë me pajisje të reja për të gjitha klinikat dhe spitalet  e përgjithshme në Kosovë.

Ndërkaq, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se si ministri dhe Qeveri janë të fokusuar të financojnë projekte të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Gashi: Nevojat për investime në sektorin e shëndetësisë janë shumë të mëdha

“Ne jemi të vetëdijshëm që nevojat për investime në sektorin e shëndetësisë janë shumë të mëdha dhe që për këtë së bashku me ministrinë e linjës jemi duke ndjekur logjikën e prioritetizimit të projekteve dhe investimeve, ashtu që rezultatet të jenë sa më të favorshme. Në të vërtetë ky projekt që e kam parë unë vet është një ndër projektet kryesore që Ministria e Shëndetësisë dhe guximi i ministrit që të hyj në këtë dhe të bëjë një zgjidhje të përgjithshme për tërë sektorin e shëndetësisë. Neve të financave na mbetet që ta ndjekim këtë projekt dhe t’i gjejmë mjetet  financiare nga institucionet e ndryshme financiare dhe ne atë do e bëjmë, pasi që është projekti kryesor për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Nis modernizimi i spitaleve në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka organizuar ceremoninë përmbyllëse të studimit të fizibilitetit për ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore, të financuar nga Komisioni Evropian përmes kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se modernizimi i pajisjeve nëpër spitale është i domosdoshëm për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

 "Ballafaqimi me aparaturë të vjetër ka qenë një kokëçarje për të gjithë. Në mungesë të pajisjeve profesionistët shëndetësorë shpeshherë nuk kanë mundur ti ofrojnë shërbime qytetarëve tanë, e ata pastaj janë detyruar të kërkojnë shërim jashtë vendit. Ne përmes një plani emergjent kemi nisur modernizimin e pajisjeve sidomos në QKUK, por tashmë do të vazhdojmë për të gjitha spitalet", tha ai.

Ai tregoj shumën që është paraparë për ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore.

 "Mbi 52 milionë euro në të gjitha spitalet, 26 milionë euro në QKUK. Përmes këtij projekti synojmë të modernizojmë spitalet tona për qytetarët tanë", tha ai.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se janë të përkushtuar që të financojnë projekte që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

 "Si qeveri nuk kemi pushuar të financojmë projekte që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Ky projekt është i pari në sektorin e shëndetësisë që mbështetet nga bankat e  Evropës dhe është shumë i rëndësishëm. Ne jemi të vetëdijshëm që nevoja për investime në shëndetësi janë të mëdha dhe jemi duke e ndjekur logjikën e emergjencës dhe jemi duke vepruar", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat