Qeveria gjermane jep detaje për takimin e 29 prillit, ku do të marrin pjesë Thaçi, Haradinaj, Vuçiq dhe Brnabiq - Bota Sot
Qeveria gjermane jep detaje për takimin e 29 prillit, ku do të marrin pjesë Thaçi, Haradinaj, Vuçiq dhe Brnabiq

Aktuale

Qeveria gjermane jep detaje për takimin e 29 prillit, ku do të marrin pjesë Thaçi, Haradinaj, Vuçiq dhe Brnabiq

Më: 12 prill 2019 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Me 29 prill të këtij viti, krerët e Kosovës dhe Serbisë, do të udhëtojnë në Berlin, pas një ftese të bërë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron. Ky takim në Berlin vjen pas një periudhe gati 6 mujore të bllokadës së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prej kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës.

Lidhur me këtë takim, media ka drejtuar pyetje në adresë të qeverisë Gjermane, dhe sipas tyre në këtë takim do të diskutohen, temat e veçanta me të cilat po përballet rajoni, e që janë të rëndësishme për stabilitetin e kësaj pjese.

Sipas tyre në theks të veçantë do të diskutohet për problemet me të cilat po ballafaqohen Kosova dhe Serbia, në rrugë e sipër për të normalizuar raportet e tyre.

“Stabiliteti dhe zhvillimet e mira në rajon janë të një rëndësie të madhe për kancelaren dhe presidentin. Ata synojnë që me të ftuarit të diskutojnë rreth sfidave të veçanta me të cilat po ballafaqohet rajoni, në veçanti për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë Gjermane.

Ata kanë treguar se ky takim është bërë me ftesë të kancelares, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Përveç liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kroacia, Sllovenia dhe Komisioni Evropian.

“Kancelarja gjermane, dhe presidenti i Francës, e kanë ftuar këtë takim të përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë, Sllovenisë, dhe Komisionit Evropian, që të marrin pjesë në takimin e Berlinit me 29 prill 2019”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Rreth këtij takimi dje ka folur edhe ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, i cili ka paralajmëruar se në atë takim do të diskutohet me gjasë për heqjen e taksës dhe idenë për korrigjim të kufijve.

Ai ka thënë se takimi i Berlinit do të shërbejë për  përgatitjen e terrenit për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

“Ne shpresojmë se taksa do të hiqet shpejt dhe kështu do të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut. Është fakt se marrëdhëniet nuk janë të mira dhe se dialogu është ndalur, se nuk ka komunikim. Kjo duhet tejkaluar. Taksa duhet të hiqet dhe kështu të sigurohet vazhdimi i dialogut”, ka thënë Schieb

Është thënë gjithashtu se nga ky takim do të bëhet përpjekje që Serbia të rikthehet në dialog pa e hequr taksën.

Për një përfshirje të mundshme të Francës dhe Gjermanisë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kishte folur vazhdimisht presidenti serb, Aleksander Vuçiq, megjithatë asnjëherë s’kishte dhënë detaje se në çfarë modalitetesh do të ishte ky involvim i tyre.

Ftesën për këtë takim e kanë konfirmuar të gjithë, dhe kjo pritet të jetë hera e parë kur do të takohen kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Siç ka treguar Haradinaj, në Berlin nuk është e planifikuar që të ketë takime kokë me kokë./Express

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...