Haxhiu-Reçicës: Është marre çka ke thënë

Aktuale

Haxhiu-Reçicës: Është marre çka ke thënë

Më: 12 prill 2019 Në ora: 18:47
Haxhiu

Derisa po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, ka plasur debati ndërmjet deputetit nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Kjo ndodhi pasi deputeti Haxhiu ka kërkuar ndryshimin e nenit 8 të ligjit për pensionet, ku përkufizohet periudha e punës prej 15 vjet në mënyrë që një person të ketë të drejtën e pensionit kontributdhënës.

Haxhiu: Nga ky ligj kanë fituar ata që kanë punuar kundër interesave të vendit

“Kanë fituar ata që kanë punuar kundër interesave të vendit, por kanë vazhdu me e marrë rrogën e Serbisë deri në vitin 1999. Po ua marrë si shembull një polic të Kosovës, në vitit 1990, kundërshton regjimin e Millosheviqit, pushohet nga puna, nuk merr pension as rrogë nga pushtuesi, i bashkëngjitet UÇK-së dhe një polic tjetër lokal i Serbisë që vazhdon punën, vazhdon represionin ndaj popullatës shqiptare, merr pagë prej Serbisë dhe në fund e merr edhe pensionin kontributdhënës prej shtetit të Kosovës, por ai i cili e kundërshtoi regjimin, ai nuk e merr pensionin kontributdhënës. Ky është një ligj më shumë se diskriminues dhe gjatë elaborimit të kësaj problematike ka ardhë në shprehje se kah doli ky 15 vjetëshi”, tha ai.

E ministri Skender Reçica u shpreh se Kuvendi i Kosovës e ka pasur mundësinë që të ikë nga kjo situatë qysh në vitin 2014.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk po i ikë përgjegjësisë, derisa ka shtuar se ligji për pensionet diskriminon kategoritë më të ndjeshme të pensionistëve.

Reçica: Ky ligj ka nevojë të ndërrohet komplet

“Nuk janë këto fakte që ne i kemi shpikur në 2019-ën. Në 90-ën paska pasur dëbim masiv të punëtorëve tanë. Ky fakt ka qenë i njohur edhe në 2014-ën. Madje, po thuhet që nuk ka burim kufizimi 15 vite, z. deputet po, por ligji për KSAK-ën e ka burimin tek ligji federativ që e keni votu ky Parlament. Merre e ka burimin. Madje, madje, ky ligj, unë do të isha shumë i lumtur që ky ligj të diskriminojë punëtorët tanë vetëm ën pikën 8, sa i përket stazhit. Por ky ligj është më shumë se diskriminues për pensionistët tanë, diskriminon një kategori shumë të ndjeshme, pensionistët tatimpagues, të cilët janë familjarë të dëshmorëve, invalid... Ky ligj ka nevojë të ndërrohet komplet”, u shpreh ai.

Këtu ka replikuar deputeti Haxhiu. Sipas tij, ministri Reçica nuk po ofron zgjidhje.

Ai ka thënë se është turp për ministrin Reçica që t’i referohet Kushtetutës jugosllave.

Haxhiu: Ministër Reçica, është marre ajo çka ke thënë

“Zgjidhja të takon ty i nderuar Ministër dhe të takon i nderum ministër. Dhe, Enveri ka qenë edhe më herët pjesë e Parlamenti. Bjere ligjin me këto dy ndryshime. Epo edhe Enveri po thotë: ‘jo more çfarë’, se nuk i intereson me e zgjidh këtë problem sepse po donë me bë politikë, jo e ka pru ai, jo ky. Ligji i referohet gazetës zyrtare e jo ligjit federativ... S’kemi nevojë për Kushtetutën e Jugosllavisë më, as me ju referu ligjeve të federatës jugosllave. Është marre kjo çka ke thënë”, tha Haxhiu. 

E ministri Reçica ka thënë se për të nuk është e rëndësishme të pajtohet me të tjerët por të punohet.

Reçica: Ju e keni votu këtë ligj, jo unë

“Deputet Haxhiu, nuk e kemi ndërmend të pajtohemi, por e kemi ndërmend të punojmë. Po mendoj që jemi duke dëshmu çdo ditë punën që bëjmë. Edhe njëherë po e përsëris, ne kemi trashëguar këtë sistem pensional, dhe kemi fillu me reformu... Ju e keni votu, jo unë”, shtoi ai.

Në fund të debatit, ministri është zotuar se në javën tjetër do të nis punën për ndryshimin e këtij ligjit, gjithnjë në koordinim me ekspertë dhe Ministrinë e Financave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat